Krejt Shqipëria e Edi Ramës është kthyer në një “Lazarat” të madh !

Nga Qamil XHANI.

Nga një qendër që ishte si “Republika e hashashit” Lazarati para dy viteve, tashmë duket se krejt Shqipëria është kthyer në  Lazarat. Por prapë në krye të listës së zonave me kultivim lendësh narkotike mbetet, Tepelena, Vlora, Saranda dhe zona e Shkodrës.

Drejtoritë e Policisë në Shkodër dhe Vlorë organizuan dy ditët e fundit disa operacione për asgjësimin e lëndëve narkotike. Në përfundim të aksionit, në Vlorë dhe Sarandë u asgjësuan rreth 18 mijë rrënjë kanabis sativa. Ndërsa në Malësinë e Dukagjinit në Shkodër, rreth 10 mijë bimë. Parcelat ishin shpërndarë në zona të ndryshme. Ndërkohë policia ka rritur të arrestojë vetëm dy persona që u kapen në një parcelë me 800 rrënje hashash. Për pronarët e rreth  27 mijë rrënjëve të tjera, në njoftimin e policisë, thuhet se po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Këto janë njoftimet standarde të policisë së çdo qarku gjatë muajve të fundit. Tre ditë më parë, 2 mijë rrënjë u sekuestruan në Përmet. Më herët në fshatrat e Gjirokastër u asgjësuan  8 mijë rrënjë. Në zonën e Tepelenës 12 mijë rrënjë. Në fshatrat e Lumit të Vlorës rreth 10 mijë rrënjë. Lista e njoftimeve të policisë vijon me raste sporadike të parcelave me nga 200-300 rrënje në fshatra të ndryshme të vendit. Po këto të fundit nuk konsiderohem më lajm as për në portale dhe kalojnë pa vëmendje.

Pavarësisht se aksionet e policisë janë intensifikuar ditët e fundit, me afrimin e kohës për mbledhjen e prodhimit të hashashit, numri i madh i parcelave tregon se beteja e institucioneve kundër kultivimit të drogës është e humbur. Nga komunikatat e Drejtorisë së Policisë rezulton se vetëm gjatë muajve të fundit janë asgjësuar me qindra mijëra rrënjë hashash. Parcelat nuk janë më vetëm në një vend. Tashmë flitet për një shtrirje në të gjithë vendin, nga Jugu në Veri. E gjithë Shqipëria është bërë “Lazarat”.

Qeverisja aktuale deklaroi se lufta ndaj kultivimit të drogës u fitua me hyrjen e Policisë së Shtetit në Lazarat. Ishte aksioni më i madh i policisë në 26 vitet e fundit. Në një muaj rrethim, në verën e vitit 2014, policia arriti të sekuestrojë rreth 30 tonë hashash të përpunuar dhe rreth 200 mijë rrënjë të mbjella. Sigurisht që kjo ishte një fitore e Policisë së Shtetit dhe një kthesë në luftën kundër trafiqeve.

Por ku jemi sot? Dy vite pas ndërhyrjes në Lazarat, vetëm në dy muaj janë asgjësuar rreth 200 mijë rrënjë kanabis. Është e njëjta shifër që u asgjësua në plantacionet e fshatit rebel në Gjirokastër që njihej si qendra e prodhimit të drogës. Por këto shifra janë vetëm maja e ajsbergut. Në media është raportuar për plantacione të mbjella në çdo cep të vendit, të cilat policia ose nuk i di, ose segmente të saj janë pjesë e grupimeve që i kanë mbjellë.

Lazarati ishte një biznes kriminal që lulëzoi përgjatë viteve me dijeninë e shtetit. Sot jemi në një situatë më të rëndë. Nga biznes i zhvilluar në një segment gjeografik, mbjellja e drogës është kthyer në një industri gati kombëtare. Në zonat rurale të vendit hashashi është i vetmi produkt që po gjelbëron dhe është në pritje për t’u mbledhur. Dhe nuk janë disa fshatarë që u bënë befas  trima dhe kanë mbjellë disa rrënjë. Janë investime të grupeve të fuqishme kriminale me qindra mijëra euro, madje kanë bërë dhe plane biznesi. Kanë marrë me qera ose kanë blerë toka në zona malore. Janë blerë fidanë të modifikuar gjenetikisht për rritje në kohë rekord. Janë blerë pajisje për vaditje e përpunim. Gjithashtu ka dhjetëra njerëz që i ruajnë dhe mirëmbajnë dhe paguhen me rrogë ditore. Janë të gjithë të armatosur me armë kallashnikovë. Janë banda të rrezikshme që e kanë bërë si biznes të hapur. Mungon vetëm që të paguajnë tatimet dhe të presin kupon tatimor! Të gjitha këto nuk janë punë të disa fshatarëve që jetojnë duke shitur domate, por të njerëzve me pushtet ekonomik dhe politikë që kanë investuar në drogë, njëlloj si të bënin biznes të ligjshëm. Dhe kanë pas vetes politikanë, zyrtarë të lartë shtetrorë. Kjo është e rrezikshme.

Më të rënda se gjitha këto fakte, për të cilat gjithnjë e më rrallë po flitet edhe në media, janë thashethemet që qarkullojnë afër zonave të plantacioneve. Thashetheme që thonë se këtë herë mbledhja e hashashit është një pakt i madh mes “investuesve” dhe segmenteve të shtetit. Edhe pse duket absurde një marrëveshje e tillë, këtë e dëgjon nga ata që kanë marrë përsipër riskun e investimit e deri tek fshatarët që punojnë në plantacione. Sigurisht, askush në qeveri nuk e pranon një ide të tillë. Por në vend të fjalëve do ishte më mirë të veprohej tani në kulmin e sezonit të hashashit. Fushat që gjelbërojnë nga Saranda në Vermosh me hashash janë ende aty edhe sot.

E pabesueshme se si nga një fshat si Lazarati ku ishte ndërtuar “mbreteria e drogës”, por që si fshat kishte prapavijë politike nga PD, tashmë krejt Shqipëria është konvertuar në një fshat të madh “lazaratas” ku mbillet bimë narkotike, bile është kthyer si biznes i ligjshëm (!) dhe duket se është PS-ja suportuesja e këtij trafiku disa miliarda eurosh.

Më këtë trafik PS-ja i blen votat në zgjedhje, blen deputetë, blen opozitën, blen gjithçka.

Është e rrezikshme kjo që po ndodh. Do pendohemi, por do jetë vonë. Ambasadori Lu dhe ambasadoresha Vlahutin të thonë një fjalë kundër faktit se Shqipëria është kthyer në një “Lazarat” të madh droge.

 

 

 

SHKARKO APP