Kreu i AMA: Sinjalin do ta ndërpres në janar se respektoj Ligjin
Kreu i AMA, Gentian Sala ndonëse pranon se nuk kishte fushatë paralajmëruese të mjaftueshme, përsëri insiston se do ta ndërpres në janar sinjalin analog, pasi sipas tij, po respektoj ligjin.
Ai këto i tha ndër të tjera në Top Channel. Sipas TCH në versionin online thuhet se ndërprerja e transmetimeve analoge nga Autoriteti i Mediave Audiovizive për të kaluar njëherë e mirë në transmetime numerike, një çështje që preku opinionin publik gjatë ditëve të fundit, ka qenë tema për të cilën është folur në emisionin “Top Talk” të kësaj të enjteje në ekranin e Top Channel, ku i ftuar i gazetarit Denis Dyrnjaja ka qenë kreu i AMA-s, Gentian Sala.
AMA mori një vendim më 10 shtator për ndërprerjen e transmetimeve analoge për qarqet Tiranë e Durrës, dy qytete që kanë edhe popullsinë më të madhe në rang republike, vendim për të cilin nga sa u duk opinioni publik ishte i papërgatitur. Por, a i kishte marrë masat AMA dhe a e kishte parashikuar reaksionin publik që shkaktoi ai vendim?
“Ne nuk vinim rishtaz në Tiranë e Durrës me këtë proces, por pas Beratit, Korçës e Fierit. Fakt është jo që rezultoi, se në këto dy qarqe shumë më të mëdha pati problematika, me të cilat u ndeshëm për herë të parë. Të pazakonta ishin problematikat, sikurse i pazakontë është edhe vendimi i AMA-s për tërheqjen pas dhe dhënien kohë që procesi të vijojë më i zbutur”, deklaroi Gentian Sala, i cili gjithsesi refuzon të thotë se masat nuk ishin marrë.
“Ne jemi institucion i pavarur, por unë nuk kam aspak komplekse për të thënë se puna e qeverisë në mbështetje të këtij procesi ka qenë maksimale. Prej dy vitesh bëhet fushatë informimi për publikun, në të cilën kanë marrë pjesë të gjitha televizionet e rëndësishme dhe më me peshë. Janë shpërndarë 88 mijë dekodera për familjet me ndihmë ekonomike, sikurse është bërë një ligj i posaçëm që ndihmon mediet për të kaluar nga transmetimet analoge në numerike. Janë marrë edhe vendime nga AMA për uljen e tarifave për operatorët lokalë dhe rajonalë, që ta kalojnë më lehtë këtë proces”, ka shtuar më tej kryetari i AMA-s, Sala, sipas të cilit u duk se nuk ishin të mjaftueshme.
Gentian Sala theksoi se kjo nuk ka lidhje me fondet, por fushata ndoshta ishte e pamjaftueshme, më konkretisht mënyra sesi iu qasën publikut. Por, Shqipëria nuk është vendi i parë që ndeshet me problematika të tilla, pasi çdo shtet që e ka bërë këtë kalim më parë ka pasur të tilla vendime: hapje procesi, bërje kalimi, kthim mbrapsht, e më pas është bërë sërish kalimi në transmetim numerik, derisa situata të stabilizohej tërësisht.
Por, a ndihet Gentian Sala, si kryetar i AMA-s, përgjegjës për këtë pamjaftueshmëri masash apo parashikimesh që të mos ndodhte ajo që ndodhi?
“Të jem i sinqertë, nuk e kam kompleks të them se kam përgjegjësi dhe e marr përsipër atë. Por, këto janë probleme që kanë ndodhur në çdo vend. U gjendëm para një fakti, që njerëzit ishin në një numër jo të zakontë para dyqaneve për të blerë dekodera. Brenda 24 orësh u mor një masë për këtë. Sigurisht nuk kaluam një ‘black out’ total, por një numër i caktuar i popullsisë u vu para një situate jonormale, të prisnin në radhë për një proces kaq normal. Ne u tërhoqëm pas, njerëzit tashmë kanë kohë të kuptojnë procesin dhe rëndësinë e tij, ndaj besoj se 4 muaj janë të mjaftueshëm që qytetarët të pajisen me dekodera”, tha Gentian Sala.
Ndërkohë, 4 anëtarë të bordit të AMA-s kanë parashtruar një kërkesë për shkarkimin e kreut të këtij institucioni të pavarur. Si pritet të përballet me këtë fakt kryetari Sala dhe a është ligjore kjo nismë, apo thjesht verbale?
“Mbledhja e bordit dje ishte e parashikuar, aty ku 4 nga anëtarët e AMA-s kanë paraqitur një kërkesë për shkarkimin tim, e cila – duke e qethur nga retorika, – përmbante dy elementë: Vendimi i AMA-s për ndërprerje ka qenë antikushtetues dhe nuk është informuar publiku. Sikurse e thashë më lart, kjo është zona e katërt e këtij procesi. Nëse ky vendim do të ishte antikushtetues dhe këta anëtarë paskan lejuar këtë antikushtetueshmëri prej më se një viti, më vjen keq ta them, por nuk meritojnë të jenë as anëtarë. Nuk është ky rasti, pasi këtu kemi të bëjmë jo vetëm me mungesë njohurish juridike, por edhe me moskuptim të procesit. Kjo gjë ka ndodhur edhe me qytetarët e Fierit, Korçës dhe Beratit, por nga sa duket, për këta 4 anëtarë qytetarët e Tiranës dhe të Durrësit vlejnë më shumë”, deklaroi Gentian Sala, i cili theksoi se do të vijojë të jetë kryetar i AMA-s për sa kohë që për këtë ka një vendim Parlamenti dhe vetëm një i tillë mund ta shkarkojë.
Sa i përket vijimit të procesit me qarqet e tjera, Sala ka garantuar se një histori e tillë e ngjashme është e pamundur të ndodhë, pasi në qarqet e tjera nuk ekziston një numër kaq i madh popullsie sa të krijojë gjithë këtë konkluzion. Por, ai këmbënguli se përmirësim duhet të ketë në qasjen e informimit të publikut, për ta bërë më të kuptueshme.
“Data 10 shtator për ne si AMA dhe për ligjshmërinë e procesit do të mbahet mend, sepse në Tiranë dhe në Durrës pas 20 vitesh medieje audiovizive nuk ka asnjë antenë të vetme të paligjshme në Republikën e Shqipërisë”, u ndal të theksonte kreu i AMA-s. “Nga ajo datë, të gjitha frekuencat e miratuara nga AMA për mediet që funksionojnë në vend janë të licencuara. Pra, në një ditë ndodhën 3 procese: kalimi nga analog në numerik, mbyllja e transmetimeve sidomos numerike të palicencuara dhe renditja e kanaleve sipas vendimit të AMA-s. Kuptohet që u shoqërua me një problem jo fort të vogël dhe në kurriz të qytetarëve, të jem i sinqertë, për të cilat do të marrim përgjegjësitë tona”./tch/
Por në janar sinjali analog do të ndërpritet përfundimisht.