Kreu i Kuvendit, Ilir Meta: Konsensusi për reformën, arritje historike

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka reaguar për  arritjen e marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës për reformën në drejtësi.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta përshëndet vendimin e Partisë Demokratike. Duke e cilësuar konsensusin si një arritje historike, z. Meta i shpreh mirënjohjen  Komisionerit të BE për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Johannes Hahn.

“Përshëndes vendimin e Partisë Demokratike. Konsensusi është një arritje historike. Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen për Komisionerin e BE për Politikat e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Johannes Hahn. Miratimi i Reformës në Drejtësi është një sukses dhe një arritje për të gjithë shqiptarët”, vlerësoi Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Deklarata e kreut të Kuvendit erdhi pas pranimit të kreut të PD-së, Lulzim Basha, i cili tha se opozita do të votojë nesër reformën në drejtësi.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha njoftoi sot në një konferencë urgjente për mediat se kushtet e PD-së janë plotësuar nga ndërkombëtarët.

“Jam për të ndarë lajmin e mirë. Është rënë dakord që roli i misionit ndërkombëtar do të jetë rekomandues dhe vendimmarrja i mbetet institucioneve kombëtare. Asnjë qytetar shqiptar nuk do të përjashtohetnga konkurimi mbi bazën e opinioneve por vetëm mbi fakte sipas ligjit. Konkludimi i këtyre çështjeve është dhe konkludimi me sukses i betejës së PD-së për draftin. Kjo betejë e fundit ka pasur dy qëllime të mbrojë kushtetueshmërinë, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Beteja ia vlejti Kam folur me komsionerin Hahn dhe është rënë dakord që kandidatët të mos përjashtohen nga procesi i institucioneve të reja të drejtësisë vetëm me opinione”,- tha Basha.

“Është rënë dakord se roli i Misionit ndërkombëtar OMN do të jetë vetëm rekomandues, vendimmarrja e shqiptarëve dhe kjo do të mishërohet në Kushtetutë. Nuk do të përjashtohet asnjë shqiptar në bazë të opinioneve apo dyshimeve”,  u shpreh kreu i demokratëve.

 

SHKARKO APP