Meta-Ahmetaj në Baden-Baden:Shqipëria mirëpret investimet gjermane
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, morën pjesë në Konferencën Ekonomike të Bizneseve Familjare të Gjermanisë në Baden-Baden. Meta dhe Ahmetaj ishin të ftuarit e nderit në konferencën vjetore, që mbledh pronarët e kompanive më të mëdha familjare gjermane në Baden-Baden, ku ofruan një ekspoze të gjerë të zhvillimit dhe potencialeve ekonomike të Shqipërisë pranë disa prej investitorëve më të rëndësishëm gjermane.
Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u shpreh se Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e pandalur të Gjermanisë në konsolidimin politik të vendit, në rrugëtimin evropian të tij dhe në zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit, ku Shqipëria shërben si një portë hyrëse.
Meta nënvizoi se Shqipëria mirëpret investimet gjermane dhe Kuvendi në këtë drejtim është i përkushtuar në forcimin e kuadrit ligjor dhe avancimin me reformat kyçe si ajo në sistemin e drejtësisë, e cila i shërben konsolidimit të klimës së investimeve të huaja dhe përmirësimit të imazhit të Shqipërisë.
Meta theksoi gjithashtu se: “Besoj që kjo është koha e duhur që Gjermania dhe Shqipëria të forcojnë akoma më shumë marrëdhëniet politike, ekonomike dhe të biznesit. Për ne shqiptarët është bekim fakti që fokusi dhe prezenca e Gjermanisë në rajon po rriten shumë. Ne duhet të shqyrtojmë çdo mundësi për të krijuar biznese dhe për të tërhequr kompanitë gjermane në vendin tonë, në të gjithë sektorët e ekonomisë. Ne duhet të mësojmë nga kultura gjermane e punës, menaxhimit dhe disiplinës dhe mbi të gjitha të frymëzojmë një brez të ri të liderëve tanë të rinj se “modeli gjerman” nesër mund të jetë një realitet dhe në Shqipëri”.
Sakaq, duke folur për burimet natyrore të Shqipërisë,Meta përmendi disa investime të mëdha në drejtim të energjisë së rinovueshme, ndërsa shtoi se në sektorët minerarë, të industrisë përpunuese dhe naftës ka shumë kompani ndërkombëtare që po investojnë në Shqipëri.
“Shqipëria është një vend me burime natyrore të shumta, duke përfshirë dhe një potencial të madh në energji të rinovueshme, veçanërisht investimet në digat hidro-elektrike, pasi ne kemi burime të shumta ujore. Në fakt, janë në proces një sërë projektesh, një prej të cilëve është Hidrocentrali i Devollit në jug të vendit – një investim prej mëse 500 milionë eurosh, që do të përfundohet nga kompania gjigante ‘Statkraft’. Ky është një nga projektet më të mëdha në rajon. Veç kësaj, në sektorët minerarë, të industrisë përpunuese dhe naftës ka shumë kompani ndërkombëtare që po investojnë në Shqipëri”, – tha Meta.
Ndërsa, Ministri i Financave Arben Ahmetaj, bëri një prezantim të bilancit ekonomik e financiar të Shqipërisë ku mes të tjerash vuri në dukje se stabiliteti makro-ekonomik dhe reformat strukturore që po ndërmerren në Shqipëri, e bëjnë vendin shumë më atraktiv për investitorët e huaj.
Gjatë forumit, Kryetari i Kuvendit, Meta, iu përgjigj edhe pyetjeve të përfaqësuesve të biznesit gjerman mbi situatën e fundit gjeopolitike në Ballkan pas “Brexit”.
Meta theksoi se pavarësisht zhvillimeve shqetësuese në Bashkimin Evropian siç është vendimi i Britanisë së Madhe për të dalë nga BE-ja, Shqipëria mbetet e përkushtuar në rrugëtimin e saj evropian, sepse qytetarët e vendit dhe të gjithë rajonit kanë nevojë për një Bashkim Evropian të fortë dhe të plotësuar me Ballkanin plotësisht të integruar në të.
Kryetari i Kuvendit u shpreh se momentet e vështira ekonomike dhe kriza migratore, që BE-ja ka përjetuar së fundmi, nuk duhet t’i hapin rrugë alternativave populiste dhe ksenofobiste, të cilat rrezikojnë seriozisht vlerat evropianiste të solidaritetit që na bashkojnë, duke vënë në dukje se biznesi dhe investitorët kanë nevojë për stabilitet dhe jo për barriera.
Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta në Konferencën e Baden-Baden
Është privilegj dhe kënaqësi e veçantë për mua t’i drejtohem këtij Forumi Biznesi dhe të flas përballë zotëruesve të sipërmarrjeve më të mëdha familjare në Gjermani.
I jam shumë mirënjohës organizatorëve të këtij Forumi që më dhanë mundësinë për të ndarë me ju disa nga mendimet dhe idetë e mia për të forcuar akoma më shumë marrëdhënien strategjike e të qëndrueshme politike dhe ekonomike midis dy vendeve dhe popujve tanë.
Unë mendoj se në ditët e sotme globalizmi është jo vetëm një forcë lëvizëse ekonomike dhe teknologjike në të gjithë botën, por edhe po ndryshon të gjithë panoramën politike dhe pritshmëritë e njerëzve kundrejt lidershipit të tyre politik.
Kërcënimet, sfidat dhe problemet globale kërkojnë zgjidhje globale me një vizion lidershipi të qartë për ta bërë botën një vend më të sigurt dhe më të begatë për të gjithë ne.
Bota po ndryshon në mënyrë dinamike dhe shpesh pasiguria po bëhet “një normalitet i ri” në jetët tona të përditshme. Megjithatë, mendoj se vetëm stabiliteti politik nuk mund të jetë një zëvendësues i mjaftueshëm për rritjen, zhvillimin dhe begatinë ekonomike. Të paktën kjo është ajo çka po i tregojnë elitave politike zgjedhjet e kohëve të fundit në të gjithë botën.
Siç edhe mund ta dini, Shqipëria, një vend anëtar në NATO, një ekonomi e vogël në Ballkanin Perëndimor, po ecën mjaft shpejt në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian, pavarësisht sfidave të saj dhe lodhjes ndaj zgjerimit, me të cilën BE-ja po përballet këto kohët e fundit.
Javën e kaluar Shqipëria mori një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian për hapjen e bisedimeve të pranimit për anëtarësim në BE.
Ky hap i rëndësishëm u arrit falë vendosmërisë së koalicionit tonë qeverisës në veçanti dhe klasës politike në përgjithësi për të çuar përpara “axhendën e reformave”, në shumë shtigje të jetës politike dhe ekonomike në vend.
Në këtë kontekst, miratimi së fundmi i “reformës në drejtësi”, së bashku me zbatimin e suksesshëm të prioriteteve të tjera kyçe, siç janë: 1) ngritja e një administrate publike të depolitizuar dhe profesionale, 2) lufta kundër krimit të organizuar, 3) lufta kundër korrupsionit, 4) respektimi i të gjitha detyrimeve ndërkombëtare për minoritetet dhe të drejtat e njeriut – të gjitha këto ishin parakushte që ne të kalonim në nivelin tjetër drejt integrimit në BE, që është hapja e bisedimeve për negociata.
Duhet ta theksoj fort se këto arritje do kishin qenë të vështira për t’u arritur pa ndihmën dhe udhëzimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë strategjikë.
Në këtë kuadër, më lejoni ti shpreh mirënjohjen tonë të veçantë Gjermanisë dhe në veçanti, Kancelares Merkel për gatishmërinë dhe këmbënguljen e saj për të adresuar të gjitha këto çështje, që mbi të gjitha përcaktojnë të tashmen dhe të ardhmen tonë, në lidhje me shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
Nga ana tjetër, nisma diplomatike dhe investuese e vetë Procesit të Berlinit, që u ndërmor nga Gjermania për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor, është një sinjal i fortë për të gjithë rajonin, përfshirë Shqipërinë, që Gjermania dhe znj. Merkel duan të luajnë një rol politik dhe ekonomik më jetik në Evropën Jug-Lindore.
Vizita e znj. Merkel në Tiranë, verën e shkuar, e rikonfirmoi këtë ambicie lidershipi të ekonomisë më të madhe në Evropë – që është e mirëpritur nga të gjithë ne.
Në këtë perspektivë, unë jam shumë entuziast që marrëdhëniet politike, ekonomike dhe të biznesit mes dy vendeve tona do të promovohen më tej me projekte konkrete dhe mundësi investimi, në nivel lokal dhe rajonal.
Shqipëria, vitet e fundit, ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të zbatuar shtetin e së drejtës për formalizimin e ekonomisë dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Këtë vit (2016) në Raportin e Bankës Botërore “Doing Business” Shqipëria nga 190 vende është renditur e 58-a, me një përmirësim prej 32 vendesh në krahasim me Raportin e vitit të shkuar.
Rritja ekonomike për vitin 2015 ka qenë afërsisht 2.9% dhe parashikimi për vitin 2016 është 3.3%, i cili është më i lartë se mesatarja e rajonit, por ende jo sa potenciali i saj plotë.
Sa i takon Investimeve të Huaja Direkte, në vitin 2015 ka pasur një rritje prej 13%, në krahasim me vitin 2014, në lidhje me numrin e kompanive të huaja që kanë hyrë në tregun shqiptar (referencë nga Ministria e Ekonomisë).
Me ndihmën e asistencës teknike të qeverisë gjermane, në vitin 2015 kemi kryer “reformën e pensioneve”, që ishte vendimtare për rindërtimin e qëndrueshmërisë së financave tona publike dhe konsolidimit fiskal.
Gjithashtu, jemi përqendruar dhe i kemi kushtuar shumë energji promovimit te të rinjtë të trajnimeve dhe shkollave profesionale, duke ndjekur praktikat më të mira të modelit gjerman.
Në të njëjtën kohë, reforma administrativo-territoriale në vitin 2015 ishte një hap tjetër në lidhje me jo vetëm pakësimin e procedurave burokratike për bizneset, por edhe për të ofruar një infrastrukturë më të mirë për sipërmarrjet e mesme dhe të mëdha vendase dhe të huaja për të zbatuar projektet e tyre pa vonesa.
Është ngritur “Qendra Kombëtare e Biznesit”, one-stop shop, jo vetëm për regjistrimin e bizneseve në më pak se 1 orë, por edhe për të gjitha llojet e licencave online dhe procedurat e tjera ligjore që u duhen bizneseve.
Janë bërë përmirësime të konsiderueshme në legjislacion për mbrojtjen e Investimeve të Huaja Direkte, si dhe është miratuar një ligj i ri për “pronësinë e tokës”, pasi vitet e fundit kjo ka qenë një nga pengesat më të mëdha për tërheqjen e investimeve të huaja. Kemi azhornuar ligjin për Investimet Strategjike dhe Partneritetin Publik Privat, që krijon mundësi për të bashkuar financat për investime dhe shërbime publike si nga qeveria, dhe nga sektori privat, pothuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë (infrastrukturë, bujqësi, turizëm, kujdes shëndetësor, etj.)
Është e qartë që në këtë Forum Biznesi, pyetja legjitime që bëni ju, si përfaqësues të biznesit është: Pse duhet të investoj në Shqipëri?
Sigurisht, është e pamundur që në pak minuta t’i përgjigjem gjerësisht kësaj pyetjeje, por jam i sigurt se disa nga ju që mund ta kenë vizituar Shqipërinë kanë qenë vetë dëshmitarë të potencialit të këtij vendi dhe të popullsisë së tij të re dhe dinamike.
Falë pozicionit të saj gjeografik, Shqipëria është një portë hyrëse në Ballkan dhe ndodhet në kryqëzimin e korridoreve të mëdha në Evropë.
Shembulli tipik është Projekti i GAZSJELLËSIT TRANSADRIATIK (TAP) – Gazsjellësi që në vitin 2019 do të sjellë gazin kaspik në Evropë.
Ky investim gjigant prej mëse 30 miliardë euro – në pronësi të një konsorciumi global (BP, SOCAR, AXPO etj.) në tregun e gazit natyror për të gjithë korridorin jugor, do të përfshijë një investim prej të paktën 1 miliardë euro vetëm në territorin shqiptar.
Për ne ky nuk është vetëm një projekt infrastrukturor i gazit natyral me përfitime ekonomike dhe sociale, por edhe një projekt gjeopolitik që do të forcojë pozicionin tonë strategjik në rajon dhe do të krijojë më shumë besim për investitorë të tjerë të huaj.
Një tjetër projekt infrastrukturor rajonal, i propozuar nga Shqipëria dhe i mbështetur në Samitin e Vjenës vitin e shkuar, (në kuadër të Procesit të Berlinit) është “Korridori Blu” ose autostrada Adriatiko-Joniane, që është vendosur si një projekt prioritar, dhe studimi i fizibilitetit dhe projektimi i të cilit janë gati për të filluar, të ndjekura më pas nga financimi i tij.
Kjo autostradë do të lidhë Shqipërinë me Unazën e Mesdheut, pra nga jugu i Kroacisë, ku praktikisht autostrada e bregdetit kryqëzohet përmes Malit të Zi, Shqipërisë dhe pastaj Greqisë.
Nga ana tjetër, është e rëndësishme të theksohet se shumë nga projektet tona energjetike vendase dhe rajonale, si për shembull linja e transmetimit 400 kv me Malin e Zi, nuk do ishin realizuar pa mbështetjen bujare financiare dhe teknike të KfW-së.
Shumë projekte të tjera bujqësore dhe sociale janë zbatuar në të gjitha anët e vendit, falë mbështetjes financiare dhe teknike të GIZ-it. Ndaj nuk është kurrë e mjaftueshme të theksojmë sa shumë impakt ka pasur mbështetja financiare dhe teknike e Gjermanisë ndaj Shqipërisë, gjatë gjithë këtyre viteve.
Për më tepër, Shqipëria është një vend me burime natyrore të shumta, duke përfshirë dhe një potencial të madh në energji të rinovueshme, veçanërisht investimet në digat hidro-elektrike, pasi ne kemi burime të shumta ujore.
Në fakt, janë në proces një sërë projektesh, një prej të cilëve është Hidrocentrali i Devollit në jug të vendit – një investim prej mëse 500 milionë eurosh, që do të përfundohet nga kompania gjigante “Statkraft”.
Ky është një nga projektet më të mëdha në rajon.
Veç kësaj, në sektorët minerarë, të industrisë përpunuese dhe naftës (p.sh. Shell) ka shumë kompani ndërkombëtare që po investojnë në Shqipëri.
Qeveria ka një plan konkret për të bërë thirrje për oferta ndërkombëtare për ngritjen e “zonave të lira ekonomike dhe parqeve industriale”, pasi besoj që Shqipëria mund të jetë vendi i përsosur për shumë kompani prodhuese ndërkombëtare, mundësisht kompani gjermane, (si p.sh. ato të industrisë së automobilave BMW, MERCEDES etj,), për eksportet e tyre në Evropë dhe përtej.
Së fundi, në sektorin e shërbimeve ende kemi potencial të pashfrytëzuar të kapitalit social, pasi mosha mesatare e popullsisë në Shqipëri është 29 vjeç.
Ne kemi një barrë të ulët fiskale (15% e taksave të korporatave), fuqi punëtore të përshtatshme, fleksibël dhe të kualifikuar, kosto më të ulëta të punës, si një avantazh krahasuar me rajonin, dhe pjesa më e madhe e të rinjve tanë flasin gjuhë të huaja.
Për më tepër, Shqipëria është njohur nga shumë media me reputacion si një destinacion turistik perfekt, që ofron kohë të bukur gjatë 4 stinëve të vitit, me plazhe bregdetare të mahnitshme dhe male përrallore.
Kjo është arsyeja pse po përpiqemi fort ta vendosim në krye të axhendës së zhvillimit sektorin e turizmit dhe të bujqësisë, pasi ato mund të krijojnë dhe shumë vende të reja pune.
Ne jemi të vetëdijshëm që ka mundësi të mëdha për të konkurruar me vendet fqinje për ndërtimin e rezorteve, por na nevojiten investitorë të huaj strategjikë dhe me eksperiencë, me kapital dhe njohuritë përkatëse.
Në përfundim, besoj se kjo është koha e duhur që Gjermania dhe Shqipëria të forcojnë akoma më shumë marrëdhëniet politike, ekonomike dhe të biznesit.
Për ne shqiptarët është bekim fakti që fokusi dhe prezenca e Gjermanisë në rajon po rriten shumë. Ne duhet të shqyrtojmë çdo mundësi për të krijuar biznese dhe për të tërhequr kompanitë gjermane në vendin tonë, në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Ne duhet të mësojmë nga kultura gjermane e punës, menaxhimit dhe disiplinës dhe mbi të gjitha të frymëzojmë një brez të ri të liderëve tanë të rinj se “modeli gjerman” nesër mund të jetë një realitet dhe në Shqipëri.
Jam shumë i lumtur që Ministri Shqiptar i Financave, z. Arben Ahmetaj ka vendosur të jetë me mua në këtë prezantim të rëndësishëm të vendit tonë te të gjithë ju, pavarësisht një jave shumë të rëndësishme, ku do të kalojë në parlament buxhetin vjetor. Z. Ahmetaj do të ndajë me ju një panoramë më specifike të situatës tonë ekonomike & financiare, dhe të dy së bashku do të kemi kënaqësinë ti përgjigjemi pyetjeve tuaja.