Kritikat e Majlinda Bregut dhe lidershipi i Lulzim Bashës

Majlinda Bregu ka disa javë që po del në rolin e kritikes të hapur ndaj Lulzim Bashës. Është çështje parimi apo qejfmbetje akoma nuk duket e qartë se ku don të dalë ish-ministrja e PD-së. Që në fillim duhet të themi se Majlinda Bregu mbetet një prej ministrave të kohës së qeverisjes së PD-së, nga me korrektet. Në mos me e mira, në sensin jo vetëm të bukurisë pasi ajo shikohet, por në raport me ligjin dhe profesionalizmin.

Dalja e Bregut në disa media, e kërkuar nga mediat, por shumëherë e stisur nga protagonizmi i saj për të thënë se Lulzim Basha nuk bind dhe nuk krijon frymë për rikthim në pushtet. Por Majlinda harron sepse e nxjerr inatin që e mbart brenda vetes qëkur kandidoi Sokol Oldashi për kryetar. Ajo tha në një emision televiziv para pak ditëve se ka votuar për Olldashin e jo për Bashën. Natyrisht që është kurajo e Bregut, e cila pohon sot se nuk e ka dashur Bashën për lider të PD-së, porse ka edhe një problem në lidhje me sinqeritetin e Bregut. Është shqetsuar shumë pas dy viteve për lidershipin e Bashës apo për fatin e saj në PD, duke patur kryetar Bashën, që do të thotë shqiptarçe se nuk do ketë në PD më rolin që ka patur në kohën e ish-kryeministrit Berisha. Natyrisht që PD-ja është në proces ripërtëritje dhe korigjimi të shënjëstres, por kjo nuk mund të kërkohet vetëm nga Lulzim Basha. Së pari ka nevojë që një pjesë ish-ministrash të mos duken më në publik e jo më të dalin në parlament e të mbajnë leksione demokracie. Ata dhe shumë të tjerë nuk i heq dot Basha me një shkresë. Duhet vetë të ikin me vrap nga selia e PD-së që t’i hapin udhë një brezi të ri demokratësh që mund të shërojnë selinë blu, se cilës edhe Majlinda Bregu i ka dhënë sharm e gjallëri, dikur.

Ish-ministrja simpatike ka të drejtë kur thotë se duhet të kërkohet rikthimi i disa figurave emblematike të PD-së si Ilir Rusmajli apo Bamir Topi, por nuk ka aspak të drejtë në rastin e Dibrës. Dibra ishte një sinjal për opozitën se në vitin e ardhshëm Edi Rama do t’ju marrë zgjedhjet. Siç i mori në Dibër. Votat në masë dërmuese janë blerë. Edhe vetë PS-ja sot është penduar se mori 4 mijë vota me shumë nga 400 vota të para një viti. Vertet janë penduar. Jo nga ndershmëria, porse u doli skema. Nuk e ha njeri atë se për një vit dhe pas një keqqeverisje e një skandali seksual të shtoheshin votat. U shtuan paratë për të blerë votat. Këtu PS-ja bëri gabim fatal për veten, por edhe një të mirë ia dha PD-së. I tregoi se kur për një bashki u dhanë kaq shumë euro, atëhere merret me mend se sa dhjetra milionë euro do të hedhin për zgjedhjet parlamentare në vitin 2017. Në këtë rast Majlinda Bregu ka të drejtë që nëse nuk reagon Lulzim Basha. Pra që të mos hyjë në zgjedhje me këtë qeveri e kryeministër. Në të kundërt PD-ja rrezikon të dalë me 20 deputetë!

Por nëse flasim me gjuhën e Bregut se në Dibër nuk kishte frymë, nuk kishte strategji nga PD, atëhere kemi rënë në atë lojë mjeshtrore të Edi Ramës që thotë se Basha nuk e sjell PD-në në pushtet edhe për 20 vjet. Ky është panik. Kjo është të punosh pa dashje për kundërshtarin, pasi kam inat Lulin dhe hajde të krijojmë klimën e pakënaqësisë opozitare ndaj lidershipit.

Majlinda Bregu është një ish-ministre kalibri, por deri këtu. Për më tej merr barrë të rëndë, nëse synon. Basha po mëson duke punuar, ndërkohë që ka plot në PD që rrijnë duke drekuar e vegjetuar.

Ka në kryesi edhe disa të tjerë që nuk e duan Lulzim Bashën. Është Jozefina Topalli. Por Topalli prodhon politikë. Është faktor. Ajo i bën mirë PD-së duke mos folur, ndonëse rrit frikën e Bashës që të jetë më lider dhe frymëzues për të sjellë demokratët në pushtet. Jozefina është konkurente për lidere, por e kontrollon inatin e brendshëm.

Majlinda Bregu foli e po flet përditë. Me shumë i bën mirë vetes se lehtësohet duke folur se sa vetë PD-së e cila ka nevojë të mbledhë veten për të gjetur emra VIP që të kthehet në pushtet. Jo deputetë-sherbëtor, por deputetë antikonformistë. Edhe si Majlinda Bregu. Por Majlinda me shumë se sa del në media kundër Bashës mund të dalë në parlament apo në podiume të fushatës kundër Edi Ramës.

Gjithsesi Majlinda Bregut është ikonë dhe ikonat ruhen nga çdo goditje.

SHKARKO APP