Kritikoni Presidentin? Iu mbyllet gazeta dhe burgoseni si gazetarë!
Pas burgosjes së disa gazetarëve rreth një muaj më parë, pushteti autoritar i Rexhep Taip Erdogan ndërmerr një tjetër sulm ndaj gazetës më të madhe opozitare në vend, “Zaman”. Me kërkesë të Zyrës së Shefit të Prokurorit Publik të Stambollit, Gjykata Penale e Paqes ka marrë vendim për të shkarkuar ekipin e menaxhimit dhe të editimit të kompanive të “Feza Media Grup”, ku bën pjesë gazeta “Zaman”.
Sipas prokurorit, kjo gazetë akuzohet për lidhje me klerikun mysliman Fethullah Gylen, të cilin Erdogan e konsideron si armikun numër një të tij, pasi bën përpjekje për të rrëzuar qeverinë. “Zaman” pretendon prokurori, është pjesë e asaj që quhet “Organizata Terroriste Fethullahiste”, e cila bashkë me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) kërcënojnë pushtetin e Erdogan.
Bastisja e selisë së gazetës nisi që dje në mbrëmje. Para saj u tubuan shumë qytetarë që kundërshtonin këtë vendim, por policia e shpërndau turmën me gaz lotsjellës. Sipas vendimit të gjykatës, grupi i menaxhimit dhe i editorëve u shkarkua, për t’u zëvendësuar me një bord prej tre anëtarësh të emëruar nga gjykata shtetërore. Me këtë lëvizje praktikisht “Zaman” është në duart e qeverisë së Erdogan.
Ekipi drejtues i gazetës e ka cilësuar këtë vendim “të errët dhe të trishtë për lirinë e shtypit”. Nga raportimet e mediave turke, policia bastisi çdo zyrë të gazetarëve dhe konfiskoi celularët e tyre.
Organizma të ndryshme ndërkombëtare të mediave e kanë dënuar këtë vendim, duke e cilësuar si një goditje të qeverisë për lirinë e shtypit. Më poshtë video nga përleshja e mbrëmshme mes policisë dhe protestuesve përpara selisë së “Zaman”.