Kriza e Turqisë, hotelet shqiptare pohojnë rritje kërkese për vitin 2017
Teksa turizmi në Turqi është futur në krizë, si rrjedhojë e pasigurisë së krijuar atje nga sulmet e vazhdueshme terroriste e problemet politike, turistët kanë rritur kërkesën për të kaluar pushime në vende të tjera të Europës, si Spanja, Greqia, Italia, Kroacia. Nga ky riorientim i kërkesës duket se po përfiton edhe Shqipëria.
Hotelet në plazhet kryesore të vendit pohuan se ka rritje të kërkesës për të pushuar në Shqipëri në verën e 2017-s. Vala e prenotimeve ka ardhur nga Çekia, Polonia dhe Sllovakia.
Zef Pemati, një nga menaxherët e Rafaelo Resort në Shëngjin, me kapacitet akomodimi mbi 2000 persona në natë, thotë se gati gjysma e kapaciteteve të hotelit është prenotuar nga agjencitë çeke dhe sllovake. Pemati tha se verën e shkuar, resorti aplikoi paketën me të gjitha të përfshira “all inclusive” kundrejt një çmimi 35 euro në ditë. Duket se përfitimet nga produktet kanë qenë të mira për të dyja palët. Duke pasur ofertën e garantuar, fitimi ka qenë i sigurt dhe gjithashtu, përderisa prenotimet janë bërë për verën e ardhshme, vizitorët kanë mbetur të kënaqur. Pemati pohon se rritja e kërkesës për të pushuar në Shqipëri po vjen edhe për shkak të pasigurisë që po shfaq Turqia. Ai pohoi se agjencitë e Europës Lindore kanë shtuar interesin për prenotime në Shqipëri. Pas një reklame pozitive që i është bërë vendit nga mediat prestigjioze ndërkombëtare, të huajt kanë rritur preferencat për pushime në Shqipëri. Pemati tha se çmimet e ulëta e bukuritë natyrore janë ato që tërheqin dhe me të cilat Shqipëria konkurron aktualisht me rajonin. Për më tepër, ai shpjegon se tashmë resorti Rafaelo ka krijuar një traditë dhe klientelë të vazhdueshme, të cilat bëjnë prenotime vit pas viti.
Menaxheri i hotelit Dolce Vita në Durrës, një nga më të mëdhenjtë në brigjet e Adriatikut, pohoi se pothuajse i gjithë hoteli është prenotuar që në dhjetor 2016. Ai pohoi se prej tre-katër vitesh ka një kërkesë në rritje për të pushuar në Shqipëri, por për verën e ardhshme, kërkesa ka qenë e lartë. Ai pohoi se Çekia, Sllovakia, Polonia, madje edhe Ukraina kanë rritur prenotimet në Shqipëri. Hoteli ka një kapacitet akomodues 280 persona dhe tashmë pothuajse është zënë. Menaxherët thanë se po u përshtaten edhe kërkesave të agjencive të huaja, duke ofruar paketa të posaçme.
Të njëjtën tendencë pohuan edhe menaxherët e hotelit Fafa në zonën e Malit të Robit. Menaxheri tha se, kërkesa këtë vit nga agjencitë e huaja është më e lartë. Ndaj, për të përfituar vlera më të larta nga kërkesa në rritje, ambientet e hotelit janë restauruar totalisht, si nga brenda dhe nga jashtë. Ai tha se pjesa më e madhe e prenotimeve janë bërë nga turistët çekë dhe polakë. Menaxheri shtoi se hoteli ka nisur të ofrojë paketat all inclusive dhe ka investuar edhe në përmirësimin e shërbimit.
Edhe menaxheri i Divjaka Resort, në zonën e Divjakës, konfirmoi një rritje të kërkesës këtë vit. Ashtu si dhe menaxherët e hoteleve të tjera, ai pohoi se pjesa më e madhe e kapaciteteve është e zënë nga agjencitë çeke dhe polake. Përveç çmimeve të ulëta, Divjaka tërheq edhe dashamirësit e shpendëve (Monitor)