Kryebashkiakët opozitarë: NUK DALIM NGA ZYRAT TONA!

Votimet e 30 qershorit të Partisë Socialiste e kanë zhytur vendin në një krizë edhe më të rëndë sesa ishte më parë.

Tashmë nuk kemi vetëm një qeveri të akuzuar për korrupsion, të kapur në përgjimet e “Bild” për vjedhje vote dhe me legjitimitet të cunguar, por edhe një qeveri që ka vjedhur pushtetin vendor dhe po merr çdo institucion tjetër kushtetues në vend.

Nëse shtyrja e zgjedhjeve nga Presidenti Meta cilësohet nga PS si precedentë i rëndë, votimet pa opozitën në 30 qershor janë precedenti më i rrezikshëm në historinë e 29 viteve të pluralizmit.

Qeveria “Rama”, duke hyrë vetëm në votime jo vetëm që zhbëri themelet e demokracisë, por i ka dhënë shtetit tiparet e një shteti monopartiak si para viteve ’90. Farsa e 30 qershorit edhe pse u njoh si proces nga ndërkombëtarët (për interesa politike dhe ekonomike) ka një problem që shkon përtej dashamirësisë, fasadë, së diplomatëve për të mos pasur tensione në Shqipëri. Madje qëndrimi i tyre duket se i ka shërbyer vetëm rritjes së tensioneve, përplasjes, protestave të dhunshme dhe jo dialogut. Edhe nëse procesi quhet i rregullt nga PS dhe disa ndërkombëtarë (OSBE-IDIHR e rrëzoi procesin), sërish 30 qershori ka hapur gropa ligjore të mëdha në institucionet shqiptare. Ndërkombëtarët thonë se vendimi nëse këto zgjedhje ishin farsë apo të rregullta do e japë Gjykata Kushtetuese. Procedura për Gjykatën është në dorë të Ulsi Manjës dhe një grupi teknicienësh të huaj e vendas që kanë tre vite që nuk po qullosin dot gjë. Manja u kap në përgjimet e BILD. Madje Rama-Manja, pasi shkrinë Gjykatën Kushtetuese sot kanë lënë pa nam dhe nishan edhe Gjykatën e Lartë. Një punë që njerëzit e PS, (sepse reformën tani në dorë e ka vetëm PS me ndonjë burokrat i EURALIUS), nuk e bënë e bënë dot prej tre vjet, është pak e vështirë ta bëjnë për pak javë, siç shprehen. Ose do ta bëjnë jashtë çdo kriteri kushtetues e ligjor.

Por konflikti po vjen te vendimet që do te marrë KQZ duke ua dhënë mandatet në 100 % të bashkive këtyre që fituan në zgjedhje partiake, pra pa dekret presidenti. KQZ, tashmë zyrtarisht e njohur si sekretariat PS-së do t’ua jap brenda ditës gjithë kandidatëve detyrën. Kryebashkiakët që janë aktualisht në detyrë, ligjërisht kanë të drejtë të qëndrojnë në zyrë derisa të kryhen zgjedhje normale. Për opozitën dhe vet kryebashkiakët, në 30 qershor nuk pati zgjedhje dhe procesi që zhvilloi Partia Socialiste nuk njihet.

Dekreti i Presidentit Ilir Meta i ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit dhe për pasojë, çdo kryebashkiak i opozitës ligjërisht është në të drejtën e tij të mos e lëshojë zyrën. Këtë problem të ri, ashtu si shumë probleme të tjera, mund ta ndante vetëm Gjykata Kushtetuese, ngritja e së cilës duket shumë larg. Fituesit e 30 qershorit, pasi të rregullojnë votat që nuk u dalin ose u dalin më shumë se votues se sa kanë qenë regjistruar, do të kërkojnë karriget e pushtetit vendorë.

Ndërkohë kryetarët aktualë kanë paralajmëruar dje se nuk kanë ndërmend të lëshojnë zyrat për një palë votime që përveçse pa dekret, edhe OSBE/ODIHR i ka nxjerrë me probleme serioze. Pas takimit të zhvilluar dje me kreun e PD-së, Lulzim Basha, kryebashkiakët deklaruan se nuk largohen nga zyrat. Xhelal Mziu, kreu i Bashkisë së Kamzës,  ku dhe pjesëmarrja në votime ishte më e ulëta se në çdo qytet tjetër, deklaroi se “nuk e lëshoj zyrën time për zgjedhje farsë”. Në të njëjtën linjë ishte dhe kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj, i cili tha se vendimi për të mos lënë zyrat është marrë nga gjithë kryetarët e bashkive të opozitës. “Ne do ta lirojmë zyrën kur të vijë pasardhësi ynë që të jetë zgjedhur në bazë të Kushtetutës, kur të ketë zgjedhje dhe jo votime. Ky është një vendim i marrë nga opozita dhe nga ne”,-tha Kapllanaj.

Ndërkohë dje Lulzim Basha njoftoi protestën e radhës së opozitës, më 8 korrik. Tubimi kombëtar është i dhjeti që nga muaji shkurt dhe vjen në një kontekst të ri. Qeveria jo vetëm nuk ka reflektuar, por ka marrë çdo pushtet të mundshëm duke e kthyer Shqipërinë pas 29 vjetësh në vend që drejtohet nga një parti. Ajo që pamë disa ditë më parë me përplasjet mes policisë dhe kryebashkiakëve të opozitës për të mos zhvilluar zgjedhjet do të kthehet në përplasje se kush realisht do e drejtojë pushtetin vendor. Me votime farsë, vota të vjedhura edhe nga vetë PS, me pjesëmarrje 15% dhe pa dekret presidenti, fituesit e 30 qershorit nuk kanë të drejtë as morale dhe as ligjore të marrin mandatet. Duket se edhe një herë do të flas forca e policisë/qeverisë dhe jo ligji duke thelluar tensionet dhe përplasjet në vend.

Me sa duket po shkojmë realisht në përplasjen finale mes palëve.

Mili Xhani

SHKARKO APP