Kryemadhi: 2020 do të jetë viti i përballjes dhe i fitores

Strategjia e qeverisë për të shtyrë zgjidhjen e krizës politike mbetet dhe debati djallëzor, pa mbarim, për reformën zgjedhore. Sherret për listat, nenet e kodit, sistemin zgjedhor, komisionet, votimin e emigrantëve janë debate për një situatë normale politike. Por që nga viti 2017 dhe sidomos pas shkurtit 2019 dihet që Shqipëria nuk është në një situatë normale politike. Kriza erdhi sepse zgjedhjet u vodhën dhe kjo jo aq për shkak se Kodi Zgjedhor nuk është i mirë, por sepse qeveria vuri gjithë institucionet në shërbim të manipulimit të zgjedhjeve.

Kriza e rëndë politike dhe sociale që shoqëroi gjithë vitin 2019 duket ende larg zgjidhjes me negociata. Kryeministri Edi Rama në intervistën e dhënë në TVSH në ditët e para të vitit 2020 nuk dha asnjë shans për kompromis apo tolerim. Madje, duke u tallur me aksionin dhe qëndrimet e frontit opozitar, ai shtoi se detyra e tij si kryetar i qeverisë dhe Partisë Socialistë është që të dobësojë sa më shumë opozitën. Dhe duhet thënë se deri më sot ia ka dalë që ta shantazhojë, kërcënojë, burgosë dhe ta zëvendësojë opozitën reale me njerëz anonimë në Kuvend. Falë oligarkëve që paguajnë për të mbajtur situatën siç është, falë ndërkombëtarëve që kanë zgjedhur të bëhen palë me qeverinë dhe me shumicën e mediave që punojnë si skuadra “ekzekutimi politik” ndaj opozitës, kryeministri e ka pasur të lehtë të mbajë pushtetin. Ka arritur të mbajë pushtin, por me një çmim të rëndë për gjithë shoqërinë, duke shkatërruar shtetin, parlamentin dhe gjithë parimet bazë të një shteti demokratik. Përballë kësaj situate opozitës nuk i mbetet vetëm që të reagojë jo vetëm për të kërkuar largimin e një qeverie që thuajse është e paligjshme, por dhe të japë alternativën më të mirë dhe të rikthejë shtetin e institucionet në shinat kushtetuese.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi paralajmëroi në Konventën e LSI së Tiranës dhe dje në një intervistë për “Top Channel” se viti 2020 do të jetë vendimtar në përballjen me qeverinë “Rama”. Në mesazhet e saj, kryetarja e LSI-së shprehet se opozita nuk duhet të humbasë asnjë orë dhe minutë në përballjen me qeverinë, pasi kjo qeveri ka vënë në lojë interesat kombëtare dhe të ardhmen e vendit.

“Viti që sapo kemi hyrë, 2020 do të jetë viti i rezistencës dhe i fitores së padiskutueshme në përballjen tonë me klanin e tradhtarëve të interesave kombëtare, me grupet e hajdutëve të votave, me uzurpatorët dhe shkatërruesit e ekonomisë së vendit, me krimin që ka fytyrën e rilindjes, sepse ne jemi sot shumica absolute e padiskutueshme e shqiptarëve. Çdo orë dhe minutë është shumë e çmuar, prandaj për asnjë çast nuk mund të flemë të qetë përballë Shqipërisë që lëngon. Çdo sakrificë e jona nuk është asgjë për të shpëtuar Shqipërinë nga sëmundja e rilindjes”,- deklaroi kryetarja e LSI-së. Apeli i kryetares së LSI-së vjen në kohën kur për shkak të krizës sociale të shkaktuar nga tërmeti, opozita i ka dhënë një lloj “armëpushimi” qeverisë.

Të vetëdijshëm për situatën kritike ku ndodhen mijëra banorë, opozita ka zgjedhur të heqë dorë përkohësisht nga aksionet politike duke u fokusuar te banorët që kanë realisht nevojë për përkrahjen e kujtdo. Por duket se edhe këtë situatë krize humanitare kryeministri Edi Rama e ka përdorur për kapital politik dhe shtyrje të zgjidhjes së krizës politike dhe sociale në vend. Banorët ende janë në rrugë dhe kreu i qeverisë ka ndërmend ta shtyjë edhe më tepër situatën e fatkeqësisë natyrore në zonat e goditura, me shpresë se kështu shtyn edhe zgjidhjen e krizës.

Një tjetër strategji e qeverisë për të shtyrë pa fund zgjidhjen e krizës është dhe debati djallëzor për reformën zgjedhore. Sherret për listat, nenet e kodit, sistemin zgjedhor, komisionet, votimin e emigranteve janë debate për një situatë normale politike. Por që nga viti 2017 dhe sidomos pas shkurtit 2019 dihet që Shqipëria nuk është në një situatë normale politike. Kriza erdhi sepse zgjedhjet u vodhën dhe kjo jo aq për shkak se Kodi Zgjedhor nuk është i mirë, por sepse qeveria vuri gjithë institucionet në shërbim të manipulimit të zgjedhjeve.

Në thelb, reforma duhet të garantojë dënimin më të ashpër të manipuluesve të votave dhe ndëshkimin e shitblerjes. Pikat e tjera që kërkon qeveria janë vetëm tjerrje e debatit për të shmangur afrimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkohë PS-ja ka hapur lojën me reformën zgjedhore dhe ide të tjera që shmangin thelbin e problemeve, opozita nuk duhet të humbasë kohë me axhendën e saj kundër qeverisë. Rama e tha hapur se misioni i tij është dobësimi i opozitës, ndërsa kjo e fundit duhet të tregojë se jo vetëm është e aftë të largojë qeverinë, por dhe të tregojë se është e aftë të qeverisë shumë herë më mirë sesa Rilindja.

M. Xhani

SHKARKO APP