Monika Kryemadhi: LSI gati për skenarët A, B, C për zgjedhjet vendore

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi u shpreh se LSI ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore. Në një intervistë në “News 24”, pikërisht në Ditën e Verës, Monika Kryemadhi tha se strukturat e LSI kanë nisur përzgjedhjen paraprake të emrave që do të konkurojnë dhe pikat themelore ku do të mbështetet fushata e ardhshme.

E pyetur nëse LSI dhe PD do të kenë kandidatë të përbashkët, Kryemadhi u shpreh se LSI është në opozitë dhe ka bashkëpunim me Partinë Demokratike. Kryetarja e LSI-së tha se për shkak të përvojave të hidhura në të kaluarën me partitë e tjera, LSI është gati për çdo lloj skenari elektoral.

“Ne jemi përgatitur për çdo lloj skenari; A, B, C etj, sepse në të kaluarën kemi pasur raste kur LSI ka mbështetur plotësisht kandidatët e një partie, nga kjo parti nuk ka pasur bashkëpunim, përkundrazi ”,– tha Kryemadhi.

Në këtë mënyrë kryetarja e LSI la të hapur mundësinë për kandidatë të përbashkët me PD, por edhe për kandidatë me vete të LSI. Por nuk i dihet se çfarë oferte paraqet edhe PS, gjithçka mund të ndodhë, derisa vetë PD-ja dhe Basha bashkëpunuan dhe u “martuan” brenda një nate me PS.

“Ne jemi në diskutime, ne jemi në fazën e diskutimeve për kandidatët, gjë që është e rëndësishme për kandidatin që do marrë përsipër jo vetëm fushatën, por dhe strategjinë e qytetit në të cilin do kandidojë. Do fillojmë dëgjesat, do hidhen kandidaturat në tryezë, por është herët akoma për të vendosur. Por di të them që LSI do të jetë e përgatitur për të gjitha llojet e varianteve. Planet tona janë nga më të ndryshmet, se nga eksperiencat në zgjedhjet lokale të kaluara në shumicën e rasteve strukturat e partive përkatëse nuk e kanë përkrahur kandidatin e LSI, ndërkohë që ne e kemi mbështetur qoftë kandidatin e PS apo të PD. Do plotësojmë Komitetin Drejtues që do orientojë aksionin politik të LSI në 61 bashkitë e Shqipërisë. Sot Shqipëria nuk ka më luksin për të ndarë programe të majta e të djathta, por forcat politike të unifikohen në luftën kundër varfërisë”,- tha Kryemadhi.

E pyetur për raportet politike mes PD dhe LSI, Kryemadhi tha se ajo janë korrekte dhe se dy forcat politike kanë interesa të përbashkëta në opozitë, por kjo nuk do të thotë se për çdo gjë partitë duhet të bien dakord.  Kryetarja e LSI tha se nuk ka asnjë problem me Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën, pavarësisht se ajo mohoi me takt njëfarë largimi të PD-së sa herë ka ndërmend që Basha të gjejë shtigje flirtimi me Edi Ramën.

Kryetarja e LSI ka folur dhe për çështjen e lobimit të partive në SHBA. “LSI nuk ka bërë kontrata për foto. Po, ne kemi bërë kontrata, por kemi kërkuar projekte, ide politike dhe ekspertizë që nuk mund ta gjenimin këtu. Kemi bërë kontratë me një kompani amerikane gjatë reformës në drejtësi dhe kjo është publike. Kërkuam mendimin e juristëve në SHBA dhe morëm ekspert ish-Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA. Unë jam kundër lobimeve, por në raste kur duhen mendime dhe ekspertizë dhe strategjisë dhe jo për të harxhuar para për foto”,- tha Monika Kryemadhi.

Fakti që Monika Kryemadhi i mëshoi faktit se LSI është e përgatitur për të gjitha skenarët e mundshëm politikë, tregon se jo gjithçka duket mirë në PD. Një mbetet e saktë që bashkia e Tiranës nuk fitohet nga PS apo PD pa votat e LSI.

http://www.kohajone.com/2018/03/13/a-do-shkojne-bashke-pd-lsi-ne-zgjedhjet-vendore-2019/

SHKARKO APP