Kryemadhi në SHBA: Loja e qeverisë me refugjatët është në kurriz të shqiptarëve!

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi po zhvillon këto ditë një vizitë zyrtare në SHBA. Kryemadhi është ftuar në takimin vjetor të ish-kongresmenëve ku janë diskutuar çështje që kanë të bëjnë me Europën, Ballkanin dhe krizën e refugjatëve që ka sot kontinenti europian.

Në një koment në Facebook për takimet, Kryemadhi thotë se Shqipëria duhet të ketë një tjetër strategji për përballimin e krizës së emigrantëve. “Loja e qeverisë me refugjatet është një lojë tërësisht në kurriz të shqiptarëve!”,- shprehet Kryemadhi.

Deklarata e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi:

“Dje dhe sot pata një bisedë të frytshme me ish-anëtarë të rëndësishëm të Kongresit Amerikan.

E ftuar në takimin vjetor organizuar në Uashington, ndër të tjera biseduam për integrimin e Shqipërisë në BE dhe krizën e emigrantëve që po përjeton së fundmi kontinenti ynë.

Ndër të tjera, e rëndësishme për bashkëbiseduesit amerikanë ishte fakti që kriza e emigrantëve në Europë kërkon një qasje të re në qëndrim.

Kjo ka të bëjë sipas tyre edhe me forcimin e shteteve europiane, si dhe me ndryshimin rrënjësor të jetës politike dhe ekonomike të vendeve që eksportojnë refugjatë.

Këto politika do të dekurajonin largimin masiv të njerëzve dhe do të krijonin kushte më të mira për popullin e vendeve që janë burim për emigracionin e paligjshëm.

Ky është vizioni që duhet të këtë Shqipëria për të punuar për të rinjtë e Shqipërisë dhe jo për të asgjësuar çdo shans të tyre.

Loja e qeverisë me refugjatet është një lojë tërësisht në kurriz të shqiptarëve!”.

SHKARKO APP