Kryemadhi për VOA-n: Programi i LSI i fokusuar në 5 prioritete

Në Shqipëri, një intervistë për Zërin e Amerikës kryetarja e Lëvizjes socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, flet për premtimet e kësaj force politike në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, marrëdhënien me Partinë Demokratike me të cilën ajo ka firmosur një marrëveshje për bashkëqeverisje apo dhe qëndrimin ndaj Reformës në Drejtësi e procesit të vaksinimit kundër COVID 19.
Zëri i Amerikës: Zonja Kryemadhi, së pari ju falenderoj për mundësine e kësaj interviste. Do të doja ta nisja një pyetje rreth premtimeve të LSI-së gjatë kësaj fushate. Si çdo parti premtimet janë të shumta, por a mund të na thoni se cilat janë boshtet e ofertës suaj përballë shqiptarëve, ato për të cilat pas 4 vitesh nëse fitoni ju do të mund të thoni që i keni realizuar?
Monika Kryemadhi: Unë do ju përgëzoja shumë për pyetjen tuaj, sepse në të gjitha televizionet që shkoj debatin kryesor e kemi “më the të thashë”, por asnjë nuk na jep mundësinë dhe artikulimin që ne të flasim për programet tona. Ne si LSI me grupin e punës dhe të programit kemi artikuluar 5 prioritete kryesore, të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me arsimimin e të rinjve që është një nga prioritetet tona kryesore dhe rritja e standardit të cilësisë së arsimit, çështjen e punësimit të të rinjve duke pasur ata paga të mirëpaguara. Është projekti më i bukur që ka një përkrahje të jashtëzakonshme sidomos te çiftet e reja dhe tek të rinjtë “Nga bebja në bebe”. Prioriteti për bujqësinë, me pajisjen me kartë të fermerit që krijon ndihmën e drejtpërdrejtë, jo vetëm përsa i përket mosfunksionimit të subvencioneve të cilat për hir të së vërtetës kur flitet për subvencione në Shqipëri të gjithë fermerët e mendojnë fjalën korrupsion, sepse asnjë herë subvencioni nuk shkon drejtpërdrejtë tek ata, por ngel rrugës nëpër zyrat burokratike të institucioneve shtetërore.
Dhe një nga pikat tona kryesore është dhe rimbursimi me 5% të shpenzimeve, e cila krijon mundësinë e formalizimit të ekonomisë shqiptare. Një nga problemet më të mëdha që ka sot ekonomia shqiptare është informaliteti i cili krijon jo vetëm evazion fiskal, por nuk arrin dot që buxheti i shtetit të ketë mbushjen e arkës së tij nëpërmjet të ardhurave që vijnë dhe kjo edhe pse qytetarët shqiptarë, edhe pse ata që jetojnë në minimumin jetik arrijnë të paguajnë çdo qindarkë të taksave, por ajo nuk mblidhet asnjëherë në arkën e shtetit. Nëpërmjet kësaj skeme të rimbursimit të 5% të shpenzimeve të familjeve shqiptare, ata deri në fund të vitit do të kenë mundësi që ose në fund të çdo muaji, sepse kjo varet, krijon hapësirën e rikthimit të një vlere monetare, që për disa familje mund të shërbejë për pagesën e internetit, për pagesën e çerdhes apo kopshtit të fëmijëve të tyre, për të shtuar një shpenzim tjetër në shtëpi apo për të ndihmuar edhe prindërit e tyre nëpërmjet një pensioni shtesë në fund të vitit. Ndërkohë që nga ana tjetër rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit. Jo për shkak të analizave që ka bërë LSI, por si rezultat i të gjithë raporteve të institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare, qoftë Banka Botërore, qoftë FMN, qoftë edhe raporti i fundit i CIA-s ku thuhet që 50% e GDP është informale, që i bie rreth 7 miliard dollar të cilat nuk taksohen, janë para që nuk shkojnë në buxhetin e shtetit. Kjo gjë nuk bëhet nëpërmjet grykëve të pushkës apo taborëve të policisë, të cilët kërcënojnë bizneset e vogla, por asnjëri nuk merr guximin për të vajtur te bizneset e mëdha, tek oligarkët . Dhe çfarë ndodh, është që jo vetëm ka rritur normën e korrupsionit, por ka bërë që arkës së shtetit t’i shkojnë më pak para. Një sistem i tillë ku të gjithë qytetarët janë të interesuar për të formalizuar ekonominë, nuk është skemë e shpikur nga ne, është skemë e cila ka funksionuar në formalizimin e ekonomisë së shumë vendeve që kanë kaluar në periudhën e tranzicionit. Shumë vite më parë e ka bërë Greqia, Turqia, Italia dhe shumë vende të tjera evropiane.
Për të folur pastaj për arsimin, taksën 1% për bizneset e mëdha, e cila është një taksë që shkon vetëm për arsimin, sepse ndodh rëndom që ne paguajmë 340 lekë litër naftë për taksën e rrugës së Kombit, por në fakt këto para nuk shkojnë për rrugën e Kombit, sepse do ta kishim paguar 10 herë deri tani, por duhet të shkojë drejtpërsëdrejti tek arsimi. Dhe me këtë 1% arrijmë që ne të mbajmë dhe premtimin e 5% të GDP për arsimin.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, zonja Kryemadhi a ka një faturë financiare të këtyre ndërhyrjeve, sepse ju flisni për irmbursime, ulje taksash, rimbursime. Të gjitha këto a kanë një faturë financiare?
Monika Kryemadhi: Sigurisht që ka një faturë, por nuk ka investim nga buxheti i shtetit. Kur ne kemi bërë propozimin për 5% e rimbursimit të familjeve shqiptare ne kemi bërë dhe një konsultim me ekspertë të bankave të niveleve të dyta, të cilat janë goxha të interesuara sepse fillon jo vetëm formalizimi nëpërmjet sistemit bankar, fillon në një farë mënyre edhe inventarizimi i të gjithë lëvizjes monetare, që do të ndodhë në ekonominë shqiptare. Por nga ana tjetër fillon dhe qarkullon vlera monetare, e cila qëndron dashje pa dashje e bllokuar në familjet shqiptare për shkak të frikës së panikut të pandemisë, të krizave ekonomike që ndodhin herë pas here.
Dhe bankat e nivelit të dytë janë ato më të interesuara se kushdo tjetër për ta krijuar një sistem të tillë për shkak edhe të qarkullimit të vlerave monetare, që vijnë nëpërmjet dyqaneve, sepse në shumë dyqane njerëzit e konsumojnë blerjen e bukës 700 lekë të vjetra, por nuk e paguajnë me një kartë krediti. Por ama një familje do ta merrte TVSH-në e 700 lekëve të vjetra të bukës, që i bie gati 140 lekë të vjetra, ku çdo ditë për dy bukë i thonë 280 lekë të vjetra. Në 280 lekë që konsumojnë familjet shqiptare, shto sheqerin, shto vajin, shto orizin, shto vezën, të gjitha janë para të cilat asnjëherë nuk marrin as faturën tatimore, as nuk deklarohen dhe as nuk janë pjesë e shpenzimit të përditshëm.
Kur ne bëjmë përllogaritjen më të thjeshtë, sipas raportit të Bankës Botërore, minimumi jetik në Shqipëri është 2 dollarë në ditë për frymë, që do të thotë vetëm në Tiranë jetojnë gati 1 milionë qytetarë. Në bazëne të dhënave të Partisë Socialiste janë 910 mijë votues, pa llogaritur familjet. Pra llogarisni sa para janë, të cilat qarkullojnë në jetën e përditshme, të cilat nuk tatohen absolutisht dhe nuk derdhet asnjë lloj tatimi në buxhetin e shtetit.
Pra kjo do të sjell vërtetë një investim fillestar, që vjen nga bankat e nivelit të dytë, të cilat po i quajmë biznese private ose që janë jashtë investimit të buxhetit të shtetit, por janë para të cilat në një kohë shumë të shkurtër do të rrisin jashtëzakonisht shumë të ardhurat në buxhetin e shtetit. Këtu ka vetëm një humbës në këtë rast. Në këtë rast humbës janë evazionistët e mëdhenj, ata që bëjnë evazionin e madh fiskal, që fshehin të ardhurat e tyre, ata që paguajnë TVSH në hyrje, por nuk paguajnë TVSH në shitje, e cila është me fatura stratosferike, të paktën nga eksperiencat që kemi dhe denoncimet që janë bërë herë pas here. Dhe nga ana tjetër korrupsioni në administratën tatimore, ku një dyqani lagjeje i vendoset gjobë prej 10 milionë lekësh, ndërkohë që ke supermarkete të mëdha, të cilat kanë jo vetëm ushqime të skaduara, por edhe shumë probleme të tjera, të cilat s’kanë hyrje, po themi inventarizimi, të cilave jo vetëm nuk u shkel njeri në derën e tyre, por përkundrazi luajnë edhe me lojëra të pista duke mos pasur konkurrencë fare.

SHKARKO APP