Kryemadhi: Rama të largohet sa më parë. Zgjedhjet janë afër
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në mbledhjen e Këshillit Drejtues Kombëtar të partisë deklaroi shqiptarët duhet të përgatiten për të vendosur për të ardhmen e vendit, pasi zgjedhjet janë afër.
Duke analizuar situatën politike dhe vendimmarrjen e qeverisë “Rama”, Kryemadhi tha se Edi Rama duhet të largohet një orë e më parë dhe shqiptarët do e bëjnë zgjedhjen e tyre.
“Do doja të falënderoja po ashtu edhe ata anëtare të Komitetit Drejtues Kombëtar, të cilët janë aktivë dhe prezent në godinë. Duhet të jenë akoma dhe më shumë prezent edhe në zonat e tyre, aty ku ata kanë punuar gjatë fushatës elektorale. E them këtë sepse zgjedhjet janë shumë afër për të marrë një vendim politik të cilin nuk do t’ia lëmë në dorë Edi Ramës, por do t’ua lëmë shqiptarëve. Nuk mund të vendosë për fatet e shqiptarëve Edi Rama. Ai mund të vendosë për fatin e vet dhe të familjes së tij“,- tha Kryemadhi.
Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Komitetit Drejtues të LSI-së, Kryemadhi tha se dorëzimi i mandatit nga Tahiri janë inskenime të Ramës, ndërsa shtoi se ish-ministri i Brendshëm duhet të tregonte dinjitet dhe jo të shantazhonte Edi Ramën.
“Kemi përballë një qeveri të diskretituar ndërkombëtarisht, ndërsa qytetarët presin nga opozita një aksion të pakompromis për të shpëtuar Shqipërinë, për ta nxjerrë nga bataku ku Edi Rama kërkon t’a mbajë”, tha Kryemadhi.
Ajo tha se për të qenë të fortë duhet të kemi një bashkëpunim me qytetarët dhe duhet të bindim qytetarët që të na bashkohen në aksionin opozitar që nuk do të rresht deri në largimin e Edi Ramës.
“Shpesh dëgjojmë batuta të Ramës dhe suflerëve të tij, përdor falangat kundër njerëzve të LSI-së. Por po ju garantoj se shumë shpejt këto falanga do t’i kthehen atij në kokë, pasi është peng i krimit të organizuar”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI bëri publike dhe disa vendimmarrje për riorganizimin e partisë. Ajo njoftoi ngritjen e Departamentit të Organizimit në strukturat e kësaj force politike. “Jemi jo vetëm realitet politik, por një institucion i pranishëm në politikën shqiptare. Sulmet e paguara me paratë e drogës ndaj LSI-së do të vazhdojnë, por ne po paguajmë gabimet tona që janë: bëmë Ramën Kryeministër, pranuam Tahirin ministër të Brendshëm, miratuam ligjet për reformën në drejtësi, atë të Arsimit të lartë, nuk pranuam kanabizimin e vendit, ndaj ne duhet të mësojmë nga këto gabime”, tha Kryemadhi.
Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së
U bë më shumë se tre muaj, që nga mbledhja e Janarit që nuk jemi mbledhur por jo vetëm për shkak të statutit por edhe të shumë ngjarjeve të cilat kanë ndodhur dhe do të ndodhin shumë shpejt, e kemi pasur të domosdoshme mbledhjen e këtij forumi gjë që është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e strukturave tona. Tashmë ju të gjithë jeni shumë të informuar. Kjo vjen si rezultat i angazhimeve tuaja por edhe si rezultat i përpjekjeve apo dhe i gjithë presioneve që ushtrohen ndaj jush për ata që kanë qenë qoftë të punësuar apo qoftë anëtarët më aktiv të LSI-së për ti intimiduar për ti kërcënuar apo edhe për ti tjetërsuar duke pasur parasysh që problematikat që ka sot qeveria apo dhe mazhoranca në parlament mendon që vetëm duke i intimiduar njerëzit apo duke i kërcënuar ata mund të kalojnë problematikat që kanë.Dje dhe sot vëmendja e publikut ka qenë e fokusuar tek ish ministri i brendshëm. Dhe për fat të keq jo për ato që ka thënë ose ka për të thënë. Por për ato që Saimir Tahiri nuk i ka thënë dhe nuk do ti thotë kurrë. Sepse ai dhe ish shefi i tij tashmë janë jo vetëm peng i njëri tjetrit por dhe peng i krimit të organizuar. Të gjjthë kanë muaj që presin drejtësi për çështjen e ish ministrit të brendshëm, një nga përgjegjësit kryesore për kanabizimin dhe renditjen e Shqipërisë në krye të trafikimit dhe përdorimit të drograve të forta. Por drejtësia ka munguar që ne krye të herës, dhe nuk ka më njeri në Shqipëri të besojë tashmë se Edi Rama do urdhërojë institucionet që varen prej tij, si Prokuroria e Përgjithshme, që të hetojnë për ish bashkëpunëtorin e tij.
Asnjë fjalë të sinqertë nuk ka pasur në apologjinë false të ish ministrit të brendshëm. Madje dhe lotët e tij për të disatën herë duken si lot krokodili dhe janë pjesë e tragjikomedisë që Edi Rama e inskenon kaq bukur për bashkëpunëtorët e tij që jemi mësuar ti shikojmë në gjithë jetën politike të z. Rama. Nëse Saimir Tahiri do kishte ndjerë qoftë dhe një fije përgjegjësi për llumin e drogës në të cilin e zhyti Shqipërinë të paktën duhet të kërkonte ndjesë publike jo vetëm për shqiptarët por më shumë për ata të rinj dhe të reja që sot janë peng i përdorimit të drogave të forta ku dhe Shqipëria mban vendin e parë në botë për përdorimin e kokainës. Duhet të tregonte dinjitet dhe të përballej me të vërtetën dhe jo të shantazhonte Edi Ramën me gjuhën e mafiozëve të cilën jemi mësuar ta dëgjojmë rëndon nëpër foltore
Ky është moment i rëndësishëm për LSI dhe për opozitën. Jo vetëm sepse ndodhemi përballë një qeverie të diskretituar tashmë dhe ndërkombëtarisht, por edhe për faktin se qytetarët shqiptarë presin nga ne aksion të vërtetë dhe të pa kompromis politik për të shpëtuar vendin, familjet e tyre dhe fëmijët e tyre. Shqipëria po jeton sot ditët e saj me të këqija te 25-30 viteve të fundit.
Dhe padyshim është detyrë jona të përpiqemi ta nxjerrim vendin nga ky batak ku e çuan Edi Rama dhe mafiozët që e mbajnë peng dhe në pushtet në të njëjtën kohë. Sot më shumë se kurrë vendi ka nevojë për angazhimin tonë jo vetëm politik por dhe programor e gjithëpërfshirës për të rrëzuar nga karrigia klikën e Edi Ramës që abuzon me konçensionet e vjedh përditë nga taksapaguesit shqiptarë.
Për të qenë të fortë na duhet bashkëpunimi me njerëzit, me qytetarët dhe të gjithë ata që pa dallim përkatësie partiake kërkojnë një jetë më cilësore, kërkojnë një të ardhme të sigurt për fëmijët e tyre . Është detyra jonë ti bindim qytetarët të na bashkohen në kauzën e përbashkët të largimit të kësaj qeverie. Është dhe mbetet misioni ynë afrimi i të rinjve, i intelektualëve i grave dhe i vajzave, dhe çdo qytetari të thjeshtë me aksionin opozitar. Aksion, që nuk do të rresht deri ditën kur Edi Rama të largohet një orë e më përpara nga pushteti. Nuk ka të bëjë me pushtetin e tij personal sesa ka të bëjë me të ardhmen e të rinjve shqiptarë. Çdo manovër e tij për të çuar vendin në një krizë të re tashmë është e dështuar. Ajo çka dua të theksojë dhe të përmendë është që shpesh dëgjojmë batuta të Ramës dhe të suflerëve të tij të cilët akuzojnë dhe intimidojnë jo vetëm LSI dhe drejtues të LSI, por ushtrojnë dhe përdorin segmente të shtetit, policisë dhe prokurorisë ndaj drejtuesve të LSI-së. Jua bëj me dije që kjo gjë do të vazhdojë të ndodhi por jo për shumë kohë. Nuk do të ndodhë për shumë kohë sepse këto falangat, të cilat ai i përdor ndaj njerëzve të LSI-së do t’i kthehen vetë në atij kokë. Do t’i kthehen sepse ai është peng i krimit të organizuar, i mafias dhe peng i gjithë atyre marrëveshjeve që i ka firmosur dhe ka lënë veten e tij, familjen e tij dhe Shqipërinë.
Mbledhja e sotme e KDK-së, e cila do të përqendrohet në efektin organizativ, është shumë e rëndësishme për sa i përket riorganizimit të strukturave tona. Strukturat tona janë të përfshira në rievidentimin dhe inventarizimin e anëtarëve të partisë, të cilët janë aktivë dhe prezentë. Pavarësisht atyre largimeve sporadike, që ju i dini më mirë se ne këtu në Tiranë, që nuk janë përfaqësues të vendosura nga strukturat e partisë në listat e këshilltarëve. por kanë qenë qoka, qoftë të deputetëve, kanë qenë qoka të individëve të caktuar, dhe dashje pa dashje janë vendosur atyre. Ka pasur edhe një indiferencë të strukturave të partisë nëpër rrethe dhe kanë kaluar. Ne e dimë shumë mirë intimidimin, apo mashtrimin dhe presionin që është ushtruar ndaj njerëzve të LSI, por kjo nuk do të thotë që kjo ka ndonjë ndikim shumë të madh në punën tonë që duhet të duhet të vazhdojmë më tutje. Ajo që dua të them dhe të theksoj është që, shumë prej jush kane qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qendrën e LSI, deputetët po ashtu, ndoshta duhet të bëjmë një punë më të madh dhe më të përfshirë të sekretariatit dhe jo më kot sot mund të kemi marrë ndihmë për ngritjen dhe organizimin e departamentit të organizimit.
Një departament që do të jetë shumë i rëndësishëm përsa i përket vazhdimësisë së punës tonë organizative. Evidentimi i anëtarësisë së LSI është një nga detyrat themelore tonat. Kemi pasur një fushatë të jashtëzakonshme. Mos të harrojmë që tashmë LSI është një forcë politike e cila me dëshirën e saj vendosi për të qëndruar në opozitë. Do të thotë që është një realitet tjetër politik. Do të thotë që është një institucion politik i cili është i pranishëm në jetën politike shqiptare. Pse e them këtë? E them këtë sepse sulmi i Edi Ramës dhe falangave të tij të cilët paguhen nëpër portale apo dhe në media të tjera me paratë e drogës për të sulmuar, për të intimiduar apo për të bërë pis LSI do të vazhdojë, por kjo nuk ka asnjë lloj problemi sepse nuk ka qenë ky problemi i LSI. Problemi i LSI ka qenë gabimet e së shkuarës të cilat ne duhet ti lexojmë shumë mirë për të vazhduar përpara dhe për të mësuar nga gabimet tona. Gabimi i LSI ka qenë bërja e Edi Ramës kryeministër. Gabimi i LSI ka qenë pranimi i Saimir Tahirit si Ministër i Brendshëm. Gabimi i LSI ka qenë mos reagimi i saj kur Shqipëria filloi të kanalizohej. Gabimi i LSI kanë qenë votimet e shumë ligjeve, qoftë ligji i arsimit të lartë, qoftë dhe i atyre ligjeve të reformës në drejtësi të cilat u votuan pa kompromis. Sot jo vetëm e vendosin Reformën në Drejtësi në duart e një personi që është i lidhur me krimin e organizuar, por kanë bërë të mundur që kjo reformë të dështojë pa u zhvilluar.
Të gjitha këto gabime ne duhet tashmë t`i rilexojmë, jo thjesht në mënyrë individualë or si një e shkuar e jetës sonë politike si Lëvizje Socialiste për Integrim. E them këtë sepse t`i rikthehesh gabimeve tona, nuk ka asgjë të keqe, por përkundrazi, do të na bëjnë më të fortë, të përgatitur dhe më të aftë për t`iu përgjigjur sulmeve të cilat ne i presim që do vijnë shumë shpejt ndaj nesh. Për sa i përket strukturave jo vetëm të LRI, por gjithashtu edhe të LGI, aktivizimi dhe angazhimi i tyre do jetë shumë i domosdoshëm. Në zgjedhjet lokale të ardhshme ne do fokusohemi tek përgatitja e listave për këshilltarë, por jemi të detyruar të ruajmë kontingjentin, pra raportin 1 me 1. Nuk do vendosim në lista gra që kanë bashkëshortët e tyre aktivë në politikë, por do vendosim gra apo vajza të cilat kanë kontributin e tyre në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Jo si pjesë e një familjeje, por si misionarë të kësaj partie.
Ashtu sikurse dhe LRI është në strukturë e cila nuk do ndalojë, por do futet klasë më klasë për të denoncuar dhunën që po ushtron Ministria e Arsimit ndaj nxënësve dhe mësuesve. Duhet të zgjojmë ata mësues që janë kthyer në falangat e Ministrisë së Arsimit, ku ky institucion është tjetërsuar dhe vetëm ministri nuk mund të quhet. Tanimë aty mblidhen të dhëna siç bënte dikur Hitleri për hebrenjtë, ashtu është bërë edhe Ministria e Arsimit në një gestapo për të censuruar dhe dhunuar këta gjimnazistë me provimet e maturës. Ne e kemi dëgjuar rëndom se si janë kërcënuar për të intimiduar familjarët e tyre e kështu me radhë. Prandaj, Lëvizja Rinore për Integrim ka misionin për të denoncuar këtë farsë, këtë shëmtirë dhe këtë gjenocid intelektual, sepse të dhunosh një maturant sot do të thotë që ke dhunuar të ardhmen e këtij vendi. Do të thotë që të rrisësh një brez të përulur, të rrisësh një brez kompromisaxhi dhe një brez që bën Pazar më të ardhmen e vet. Prandaj LRI nuk duhet të ndalet, jo vetëm në gjimnaze, por edhe në universitete e kudo. Edhe në shkollat 9-vjeçare mos u ndalni sepse edhe aty shohim dhunë fizike, por edhe dhunën psikologjike që ushtrohet në klasat e teta dhe të nënta.
Dua ta falënderoj të gjithë grupin e punës së LSI-së që është në godinë, që është një grup vullnetar dhe që punon nga mëngjesi deri në darkë. Është grupi që mban hapur zyrat e LSI-së dhe nuk ndalojnë asnjëherë së punuari. Falënderoj edhe të gjithë ato të rinj dhe të reja, të cilët janë mjaft aktivë në aktivitetet që ne organizojmë. Do doja të falënderoja po ashtu edhe ata anëtare të Komitetit Drejtues Kombëtar, të cilët janë aktivë dhe prezent në godinë. Duhet të jenë akoma dhe më shumë prezent edhe në zonat e tyre, aty ku ata kanë punuar gjatë fushatës elektorale. E them këtë sepse zgjedhjet janë shumë afër për të marrë një vendim politik të cilin nuk do t’ia lëmë në dorë Edi Ramës, por do t’ua lëmë shqiptarëve. Nuk mund të vendosë për fatet e shqiptarëve Edi Rama. Ai mund të vendosë për fatin e vet dhe të familjes së tij.
Prandaj kjo mbledhje e sotme le të shërbejë si një ndezje motori, si një ndezje motori të këtij avioni dhe të kësaj makinerie të jashtëzakonshme dhe të fuqishme që është LSI-a., për të mos u ndalur më dhe për të shkuar në çdo derë të shqiptarëve për t’i zgjuar ata. Nuk dua t përmend të gjitha ato problematika që përmendi këtu profesor Shezo, nuk dua të lexoj këtu as raportin e DASH, sepse janë deklarata dhe denoncime të cilat ne si LSI kemi më shumë se një vit që i bëjmë. Dhuna, presioni dhe intimidimi që bandat e krimit, trafiku i drogës që ka lulëzuar në Shqipëri kanë qenë ato që kanë deformuar mandatet e deputetëve të Kuvendit t Shqipërisë. Duke iu falënderuar për angazhimin dhe duke iu falënderuar për ardhjen tuaj në këtë mbledhje, mbledhje të cilat nuk duhet t’i bëjmë vetëm në Tiranë, por mund t’i bëjmë edhe në rrethe të tjera, për të qenë prezent me anëtarët dhe votuesit tanë. Jam e bindur që ata 226 mijë votues tanët janë dyfishuar sot.