Kryemadhi: Unë dhe LSI jemi gati ta rrëzojmë përbindëshin Rama
Në mbledhjen me dyer të mbyllura të partive opozitare, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka mbajtur një fjalim të ashpër duke kërkuar dhe angazhimin e gjithë faktorëve opozitare.
Burime nga mbledhje thanë se kryetarja e LSI-së është shprehur se momenti për rrëzimin e qeverisë “Rama” është tani. Duke përkrahur vendimin për mosbindje qytetare, Kryemadhi deklaroi se opozita nuk duhet të ndalet nga rruga e nisur deri në largimin e kryeministrit.
Kryemadhi ka deklaruar se për shkak të keqqeverisjes, Rama nuk ka më mbështetje as të ministrat që ka zgjedhur. Ajo shtoi se kuksianët i dhanë një mësim opozitës dhe gjithë vendit me reagimin kundër taksave.
“E kanë lëshuar të gjithë njerëzit e tij. Keni parë ndonjë ministër socialistë që të dalë ta mbrojë?Asnjë! Sepse askush nuk do të bëhet palë dhe të marrë damkën e antishqiptarit. Kuksianet na dhanë një mësim të paparë, që ne të mos ndalemi më”,- mësohet të këtë thënë Kryemadhi.
Pjesë nga fjala e Monika Kryemadhit në mbledhjen e partive të opozitës:
MONIKA KRYEMADHI: “…Ne nuk ndalemi. Do ti shkojmë deri në fund, derisa Rama të iki. Te ecim të gjithë përpara bashkë. Sa më të fortë të jemi ne, aq më i mbaruar është Rama. Ju e patë si qau dje. Rama është një frikacak.
E kanë lëshuar të gjithë njerëzit e tij. Keni parë ndonjë ministër socialistë që të dalë ta mbrojë? Asnjë! Sepse askush nuk do të bëhet palë dhe të marrë damkën e antishqiptarit. Kuksianet na dhanë një mësim të paparë, që ne të mos ndalemi më.
Detyrimi ynë moral është tu qëndrojmë në krah dhe tu japim më shumë forcë. Nuk mundet që një i çmendur si Edi Rama të zhdukë shqiptarët. Duhet të ndajmë mendjen të gjithë. Ku i kemi dhe ku nuk i kemi njerëzit, sot kemi vetëm një merak: të rrëzojmë këtë përbindësh që po i merr frymën vendit.
Unë jam gati dhe siç jam unë gati dhe deputetet e LSI janë gati…”