Kryeministri drejt Prokurorisë si dëshmitar
-Prokuroria e Krimeve të Rënda nis fletë thirrje Edi Ramës, në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, ndërkohë kryeministri hedh “bombën” në oborrin e selisë blu: “Pas 613 kilogram kokainë e kapur në Durrës nga policia e Ministrit Fatmir Xhafa fshihen drejtues të lartë të PD-së. “Audio incizimi”, sajesë dhe hakmarrje e PD-së”
Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton me intensitet për “audioincizimin” e servirur publikut prej PD-së. Dje ishin për dëshmi deputetët Enkelejd Alibeaj, Edvin Saliani, ish-ministri Gazmend Bardhi, dëshmitari “X”, Albert Veliu dhe deri te gazetari që mori përsipër përgjimin, Jetmir Olldashi. Pritet ti shkojë fletëthirrja edhe Lulzim Bashës. Por veç palës akuzuese dhe autorit që bënë përgjimin, në Prokurori pritet të thirren dhe përfaqësuesit e mazhorancës, konkretisht kryeministri Edi Rama dhe ministri Fatmir Xhafaj.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur që në hetime do të dëshmojnë gjithë aktorët që janë përfshirë në këtë çështje delikate. Ndërkohë janë firmosur fletë thirrjet për kryeministrin Edi Rama, ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Fletëthirrjet janë në cilësinë e dëshmitarit që ka dijeni për ngjarjen e cila mbetet objekt hetimi penal. Ndonëse formalisht teksti I fletë thirrjes shkruan se “ne rast mosparaqitje do të merreni forcërisht nga policia…”.
Veç akuzave të PD, kryeministri Edi Rama u përfshi në ngjarje në momentin që deklaroi në cilësinë e kreut të qeverisë dhe kreut të Partisë Socialiste qëndrimin e tij ku hodhi poshtë audio-përgjimin si të falsifikuar dhe të pavërtetë.
Më datë 16 maj 2018 kryeministri Rama i kthyer me urgjencë nga takimi me Presidentin francez Emanuel Macron foli, ndër të tjera, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS për sulmet ndaj ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj. Ndër të tjera kryeministri tha se “… qoftë nga përgjigja që unë kam marrë nga analiza shkencore e materialit audio, qoftë informacionet e grumbulluara nga burimet e referuara më lart, prej të cilave nuk ka asnjë indicie të asnjë veprimtarie të paligjshme të vëllait të ministrit të Brendshëm, nuk kanë asnjë vlerë ligjore konkluzive, sepse ne nuk jemi njësoj, nuk jemi si ata dhe kjo është e vërteta që ne respektojmë. Që do të thotë se më mjaftojnë mua si Kryeministër për të krijuar bindjen që ministri i Brendshëm duhet të vazhdojë të kryejë detyrën, por nuk e bëjnë asnjë çikë më pak urgjente, nevojën urgjente për një hetim shterues të prokurorisë. Sepse mua në këtë rast më takon gjykimi politik, por jo ai ligjor e ai penal. Në asnjë rast”.
Çështja është bërë shumë e ndjeshme, pasi PD insiston se ka shkelje të ligjit duke akuzuar vëllain e ministrit si të përzier në drogë. Nga ana tjetër PS-ja dhe zyrtarë të lartë të qeverisë i mohojnë në mënyrë kategorike akuzat e PD. Prova më e fortë që kryeministri dhe gjithë mazhoranca përmendin është analiza laboratorike e përgjimit të pretenduar nga PD. Në mënyrë zyrtare nuk ka asnjë dokument të publikuar për këtë analizë, por deklarimet e kryeministrit flasin se kemi të bëjmë me një falsifikim flagrant, sipas tij. Nëse ky pretendim i mazhorancës do të vërtetohet edhe nga analizat ligjore të Prokurorisë për Krimet e Rënda, atëherë gjithë fushata e PD rrezikon të kthehet në mashtrimin më të madh ndaj opinionit publik. Një mashtrim ndaj të cilit PD nuk do të paguajë vetëm koston morale, por edhe atë ligjore. Në këtë denoncim të PD ka mjaft gjëra që nuk rakordojnë duke nisur që më autorin e përgjimit që fillimisht u prezantua si “material” ekskluziv i PD nga Salianji. Më pas u servir me logon e partisë nga Lulzim Basha, derisa në skenë doli identiteti i dëshmitari “X” Albert Veliu. Por edhe ky i fundit tha se nuk e kishte bërë përgjimin duke ia lënë autorësinë gazetarit Jetimir Olldashi. Të gjitha këto të panjohura lidhur me këtë denoncim pritet të marrin përgjigje nga hetimi i prokurorisë. E njëjta gjë vlen dhe për të kundërtën, pra nëse mazhoranca po luan bllofin dhe gjithë fushata mbrojtëse e Edi Ramës nuk provohet me fakte. Nëse mazhoranca del bllof me këtë mbrojtje, atëherë qeveria ndodhet para një skenari apokaliptik që nuk ndalon vetëm te vëllai i ministrit, por merr gjithë qeverinë.
Për shkak se ky hetim është më i rëndësishmi i viteve të fundit për Prokurorinë tani është koha të tregojë se mbi interesat e partive qëndron ai i vendit. Janë një sërë pyetjesh që presin përgjigje sa më parë dhe para ditës kur është dhe protesta e opozitës. Deri të shtunën ka vend për logjikën e fakteve që rrëzojnë pretendimet e PD, më pas në protestë është logjika e turmës.
Por mbrëmë kryeministri nga Gjirokastra tha për gazetaren Mirela Milori se nuk ka asgjë të vertetë në këtë histori e cila është e sajuar fund e krye. Por kjo duhet dëshmuar para prokurorisë, ndaj e kanë thirrur në prokurori. Megjithatë kryeministri po nga Gjirokastra ka lëshuar një bombë kur tha se “Pas 613 kilogram kokainë e kapur në Durrës nga policia e Ministrit Fatmir Xhafa fshihen drejtues të lartë të PD-së. “Audio incizimi”, sajesë dhe hakmarrje e PD-së”.
Tashmë më këtë hetim njera forcë politike do të digjet para opinionit publik. Cila do të dalë se gënjen, ikën nga besueshmeria e publikut duke rënë në humnerë.
Cila parti, PD apo PS, po mashtron mbetet të vertetohet nga organi i prokurorisë.
Q. Xhani