Kryeministri Edi Rama: Koalicioni i PS me LSI do të vazhdojë për Shqipërinë

Në seancën e sotme të Kuvendit, Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar vazhdimin e koalicionit mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kryeministri tha se koalicioni do të vazhdojë për Shqipërinë dhe reformat e nisura që nuk mund të lihen në mes. Kryeministri theksoi disa herë rëndësinë e reforma që ka bërë aleanca PS-LSI duke rrëzuar zërat për mungesën e një marrëveshje të re politike, edhe pse dy partitë nuk janë regjistruar bashkë në koalicion në KQZ.

Rama foli në Kuvend për kërkesën e PS-LSI drejtuar KQZ-së, për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicionit, që është në kundërshtim me ligjin. “Ajo është një letër që nuk synon të detyrojë KQZ të marrë një vendim unilateral, apo me shumicën e saj për të prekur afatet zgjedhore, por që synon vetëm të shprehë vullnetin e mirë të koalicionit që deri në fund t’i japim mundësi PD dhe partive rreth saj që të hyjnë në zgjedhje. Ne nuk kishim asnjë motiv që të regjistronim koalicionin duke i mbyllur përfundimisht rrugën PD, se do ishte njësoj si të mobilizohet fronti antifashist për të luftuar 1 mijë copë kolaboracionistë që kanë mbetur në fushë”,- tha Rama.

Kryeministri ndërkohë ka theksuar se ata që shpresojnë në prishjen e koalicionit PS-LSI, do të zhgënjehen. “Ata që e kanë shpresuar dhe bërë cmos ta godasin këtë aks që ditën e pare, janë zhgënjyer e do vazhdojnë të zhgënjehen. Nëse në këtë proces ka pasur qasje të ndryshme nga ne dhe partnerët tanë strategjik në koalicion, nuk ka nënkuptuar asnjë sekondë ndonjë lëvizje nga marrëdhënia kontraktuale me 1 milion njerëz që na votuan per te qeverisur me këtë koalicion, por shprehje e dy opinioneve të ndryshme si mund të lehtësohet rruga e zgjidhjes për të nxjerrë PD nga një qorrsokak ku u fut vetë”,- tha Rama.

Nga foltorja e Kuvendit,Kryeministri ka komentuar dhe kërkesat e Partisë Demokratike dhe krizën politike në vend. Me tone të prera, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk negocion kushtet e Republikës së Shqipërisë. Në një kohë kur opozita kërkon largimin e tij nga detyra dhe krijimin e qeverisë teknike, kreu i maxhorancës tha se qeveria nuk negocion mandatin që i ka dhënë popullin, deri në zgjedhjet e 18 qershorit.

“Ne nuk negociojmë kushtet e republikës së Shqipërisë që sanksion të drejtën e popullit. Ne nuk negociojmë mandatin që na e ka dhënë populli dhe nuk abuzojmë me kontratën që kemi me popullin, e cila skadon në ditën e krijimit të qeverisë së re. Idetë për të goditur 18 qershorin, janë ide për të goditur vendin dhe për ta futur vendin në krizë dhe gjithçka mund të ndodh”,- tha Rama.

Lidhur me procesin zgjedhor, Rama tha se mazhoranca ka qenë dhe është e hapur për çdo rekomandim dhe kërkesë të PD për përirësimin e Kodit Zgjedhor. “Ne jemi angazhuar qysh në fillim për një reformë zgjedhore shteruese lidhur me të gjitha rekomandimet OSBE-ODIHR, dhe kemi qenë dhe mbetemi dhe sot të hapur për çdo ndryshim tjetër në ligjin e zgjedhjeve që mund të qetësojë psikologjikisht PD-në dhe të hapë rrugën për të hyrë të gjithë në zgjedhje përpara shqiptarëve. Kemi pasur të gjithë durimin e zemërgjerësinë për t’i lënë PD-së mundësinë të shfaqet në tavolinë dhe të thotë çfarë ka për të thonë për të votuar kodin zgjedhor. Ne kemi pasur dhe rrugën tjetër, që kodin zgjedhor ta votojmë vetë se i kemi votat, por nuk preferuar këtë rrugë. Ligjin e zgjedhjeve ta ndryshojmë e votojmë sëbashku. Për rregullat e lojës është detyrë e shumicës t’i garantojë pakicës të ndjehet e barabartë në procesin legjislativ,” u shpreh kryeministri.

SHKARKO APP