Kryeministri iu përvishet analistëve, por harron pronarët e mediave të tyre
Edi Rama nuk ia përton që mes halleve me Rrugën e Kombit dhe protestat e opozitës, t’ju përvishet analistëve në media. Kryeministri Rama thotë se ata kanë nga dy ose tre shtëpi, duke hedhur dyshime të forta mbi mënyrën sesi kanë mundur që t’i bëjnë ato.
Rama aludoi se analistët nuk kanë mundësi që të blejnë nga tre shtëpia nga rroga që marrin nga analizat e tyre nëpër media, por ata i bëjnë duke vënë gjoba.
“Kujt ia tregojnë këta oligarkët që ndërtojnë kulla? Unë e di, të gjithë ata që shkruajnë, lloj lloj poshtërsish, shpifjesh, të gjithë ata nëse i merrni me radhë e kanë nga një shtëpi, kanë dhe nga dy, një në qytet dhe një në plazh.
Si e kanë marrë nga kush? Nga rrogat e analizave apo gjobat e artikujve? Nuk dalin…Do të donin të bënin dhe kulla? Po kullat i bëjnë ata që kanë pronën, i bëjnë ata që kanë para. Nuk i zgjedh qeveria, nuk i zgjedh bashkia se kush do ndërtojë kulla. Dhe sa për atë, a duhen kulla, kjo është një temë tjetër e mbyllur me kohë…” tha Rama.
Kryeministri kur e di se si kanë vënë këto shtëpi pse nuk iu dërgon taksidarët apo Krimin Ekonomik te dera e tyre që të vertetojnë burimin e këtyre vilave apo shtëpive? A janë të gjithë të barabartë para ligjit? Por krahas këtyre pyetjeve të kryeministrit për analistët duhet të sqarojë lidhjet e qeverisë së tij me disa pronarë mediash, për lejet e ndërtimit që iu jep, për koncensionet apo privatizimet të cilat i përlajnë ata, natyrisht me firmën e ministrave apo zyrtarëve të pushtetit.
Kjo është drejtësi;hetohen edhe analistët, por kryesisht pronarët e mediave, sidomos ato klienteliste.