Kryeministri Kurti i drejtohet Komisionit të Venecias për kompetencat e Presidentit për mandatimin e kryeministrit të ri

Komisioni i Venecias duket se do të ketë punë me të dy shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën. Pas kërkesës së mazhorancës së PS dhe Presidentit Meta nga ana tjetër, tashmë ekspertët ndërkombëtarë do kenë shumë punë edhe me Kosovën.

Komisioni Venecias deri tani i ka dhënë të drejtë Presidentit shqiptar Ilir Meta, por pritet të shikohet në raport me Presidetin e Kosovës.

Zyra e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ka njoftuar se dje kryeminstri ka dërguar kërkesë për opinion në Komisionin e Venedikut lidhur me kompetencat e Presidentit të Kosovës sa i përket mandatarit dhe shpërndarjes së Kuvendit.

“Dje, me datën 1 Maj 2020, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka dërguar kërkesë për opinion në Komisionin e Venedikut në lidhje me kompetencat e Presidentit të Kosovës në shpërndarjen e Kuvendit dhe në kompetencat e tij për propozimin e mandatarit për Kryeministër të vendit, pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë së Kosovës.

“Në linjë me situatën e krijuar në Kosovë, një opinion nga Komisioni i Venedikut do të shërbente në forcimin e demokracisë dhe të së drejtës kushtetuese. Gjithashtu, një vlerësim nga Komisioni do të kishte vlerë substanciale jo vetëm për Kosovën, por gjithashtu në mënyrë më të përgjithshme edhe për praktikën kushtetuese në të gjitha shtetet anëtare në Komision. Duhet theksuar që është hera e parë që Kosova dërgon kërkesë për opinion në Komisionin e Venedikut, në lidhje me raportin e institucioneve kushtetuese dhe kompetencat e tyre”, thuhet në njoftimin e Zyres së Kryeministrit.

 

SHKARKO APP