Vasili: Kryeministri pa mend i jep mend Europës
Nga Petrit Vasili* –
Fajtori i vetëm dhe ideator i një qeverisjeje antieuropiane, kryeministri me logjikën e një shantazhi mes horrash, po përdor të njëjtën gjuhë me Europën.
Estradë shëtitëse për shqiptarët dhe qesharak deri në dhimbje për evropianët, kryeministri po çudit dynjanë me mediokritetin e tij monumental.
Integrimi ka një logjike të thjeshtë: kush ka rezultate ecën përpara, kush nuk ka mbetet në vend.
Kur trafikantët dhe kriminelet janë pjesë e tavolinës së qeverisjes dhe e tavolinave të restoranteve të kryeministrit,kur kriminelëve të policisë u hapet rruga që të shpëtojnë, kur ish-ministri i trafiqeve mbrohet me forcë nga kryeministri për të mos u arrestuar, atëherë integrimi bllokohet pasi Europa nuk integron kryeministra të inkriminuar.
Një kryeministër proverbialisht i paditur ka marrë përsipër të analizojë Europën, t’i tregojë rrugën e asaj,t’i tregojë gabimet,t’i mësojë të ardhmen.
Dhe kush? Ky kryeministër i vogël sa një portal, me ide sa të një estrade shëtitëse, me vizion sa batuta bajate e radhës, do t’i tregoka rrugën Europës dhe se ç’e pret ate po nuk pati këtë kryeministër greminë në gjirin e saj.
Konseguent në urrejtjen ndaj Europes dhe po kaq konseguent në krijimin e alibisë politike për tu kthyer drejt lindjes së panjohur e të paqartë me shumë më pak liri e demokraci, ky armik i integrimit europian peng i axhendave antieuropiane po bënë gjithçka që të bindë dynjane se nga halli po shkon në lindje se medemek Europa nuk na deshi.
Asnjë shqiptar nuk ka me vete për të shkuar në lindje. Ky armik i integrimit dhe fajtor unikal që kundër integrimit ka luftuar pacipësisht dhe ka shitur dikur integrimin europian për një prefekt në Fier guxon megjithëse nuk ka mend edhe i jep mend Europës. Lexojeni vete se ç’thotë së fundmi ky strategu i qartë i narkoshtetit: “Ajo që për ne ka qenë gjithmonë e qartë në këtë proces, në botëkuptimin tim, është mungesa e qartësisë. Duhet të na thuhet qartësisht, ekzaktësisht, po ose jo në kuptimin e procesit të integrimit. Të thuash po, por të mendosh jo, nuk e ndihmon aspak këtë proces. Europa ka bërë gabime në të shkuarën dhe besoj se do të ishte një gabim i përmasave monumentale, që të lihej përgjysmë puna e bërë në vendet ballkanike”.
*Kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim