Kryeministri Rama: Do rrisim gjobat në mënyrë drastike për shpikësit e lajmëve të rreme
Edi Rama i rikthehet prapë idesë së tij për një ligj të rreptë për portalet. Duke folur në Konferencën e organizuar nga ATSH (Agjensia Telegrafike Shqiptare), kryeministri Edi Rama është ndalur edhe në situatën e informimit në botë. Ai theksoi se do të bëjë një ligj të rreptë për portalet të cilat shpikin dhe përhapin lajme të rreme. Sidomos për shpikësit, gjobat do të jenë shumë të mëdha, shtoi Rama.
“Kur gënjeshtra ka nisur fluturimin, e vërteta është shtrirë akoma” – perifrazoi Rama. Sipas tij, agjencitë e lajmeve sot ndodhen përballë lajmeve të rreme.
Ai u shpreh se edhe Shqipëria e ka përjetuar historinë e hidhur me lajmet e rreme.
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se qeveria po përgatit paketën anti-shpifje. Në konferencën “News Agencies vs Fake News”, Rama tha se ka ardhur koha që gënjeshtrave dhe lajmeve të rreme do t’u vihet fre me anë të një legjislacioni i cili deri tani sipas tij ka qenë ‘i relaksuar’.
“Bordi i këtij autoriteti duhet të reagojë në mënyrë të menjëhershme, pasi në Shqipëri kanë qarkulluar dhe qarkullojnë lajme të rreme. Ka pasur “Fake News” se kam bërë marrëveshje me Putinin. Por qeveria është gati për të paraqitur paketën anti-shpifje, edhe pse kemi pasur një legjislacion të relaksuar. 5 vitet e fundit u regjistruan 20 mijë portale. Rreth 700 portale janë lajmesh”, u shpreh kryeministri duke shtuar se shumica e tyre nuk dihen se kush i ka.
Rama theksoi se për të gjitha lajmet e rreme dhe të pavërteta do të ketë gjoba ndaj portaleve. “Paketa anti-shpifje përfshin gjoba për lajmet e rreme dhe shpifjet. Më shumë se 600 portale online janë të paligjshme nga ana tjetër. Vendosja e një loje rregullash të qartë do të jetë në funksion të situatës dhe në përmirësimin e vetë botës së mediave online, sigurisht pa cenuar lirinë themelore të fjalës së lirë dhe të informimit të publikut”, – u shpreh Rama.
Kryeministri mori si shembull presidentin francez që ka bërë ligj të ashpër në drejtim të bllokimit të lajmëve të rreme nga portalet. Rama u ndal në veçanti te portalet shqiptare te cilat,siç tha ai, njeri shpik e sajon dhe qindra portale të tjera e marrin në zinzhir duke e përhapur në portale e me pas në rrjete sociale.
Edi Rama në këtë fundviti iu rikthye asaj që ka premtuar se do të hartojë një ligj të rreptë në media, sidomos për portalet, të cilat janë shtuar në seri, pa rregulla dhe pa etikë gazetareske.
Shumë analistë e marrin këtë projektligj, të cilin po e përgatit qeveria, si përpjekje të kryeministrit Rama për hakmarrje ndaj lirisë së medias, pasi ka futur në dorë mediat kryesore, synon të kontrollojë dhe censurojë të vetmet që nuk i ka kapur deri tani, portalet.
Në të vertetë ka nevojë për rregulla të forta në botën e pafund të portaleve, pasi në gazetë apo në radio televizion nuk guxon të fusesh lajm të rremë, pasi gjykata të grin. Ndërsa portalet (jo të gjitha) lodrojnë duke sajuar dhe asnjë nuk përgjigjet për mashtrimet online.
Koha e kërkon një ligj portalesh, porse ai duhet të kalojë në shumë sitash shoqatash gazetarësh, debate të shoqërisë civile dhe pasi të jetë diskutuar në publik, atëhere të miratohet.
Duhet një Ligj për të vendosur rregulla, por pa penguar lirinë e fjalës.