Kryeministri Rama, ministri Majko dhe “esadistët shqiptarë”
Debati për ardhjen e refugjatëve sirianë e nga Afrika Veriore ka disa ditë që zien në Shqipëri. E jo pak, por diku te 600 mijë veta ishin planifikuar. E tha te mediat gjermane zv/ministri i Edi Ramës. Pala austriake ishte e gatshme, bile zyrtarë të qeverisë së saj, pohuan se Shqipëria mbetet një mundësi e mirë. Nga parlamenti gjerman u dhanë prononcime në radion shtetore gjermane DW, se refugjatët mund ti çojmë në Shqipëri. Doli edhe ministri i Diasporës Pandeli Majko me një status për këtë shqetsim, bile ai ishte me kategorik kur tha se nuk na duhen fare negociatat për në BE me kushtin e Brukselit për hapjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri. Me pas foli Antonio Tajani, Presidenti i Parlamentit Europian, duke folur për mediat gjermane, tha dje se e shihte “Shqipërinë si vendin ku mund të grumbulloheshin emigrantët”.
E shumë zyrtarë të tjerë zyrtarë europianë.
Pra asgjë e sajuar nga media. Përkundrazi media serioze e pasqyroi dhe kërkoi që qeveria shqiptare të fliste hapur me popullin e tij. E jo të lëvizte skutave të Brukselit që “aman na jepni statusin, por refugjatët silleni në tokën shqiptare”. Të gjithë shqiptarët e duan hyrjen në BE dhe këtu nuk ka asnjë sulm ndaj këtij synimi. Por fakti që e duan ta përdorin politikisht, statusin, për të mbajtur pushtetin dhe nga ana tjetër ta kthejnë Shqipërinë në vend zbarkimi të qindramijë refugjatëve, kjo ishte masakër dhe shkatërrim për vendin tonë.
Ndaj i detyruar nga presioni popullor dhe mediatik, por duke ditur se protesta për armët kimike do te ishte lule në krahasim me revoltën popullore nëse pranonte ardhjen masive të refugjatëve, duke e kthyer portin e Durrësit në një zonë zbarkimi të çdo anije apo varke me emigrantë; ai, pra Kryeministri Rama ka bërë një kthesë 180 gradë në raport me çfarë u ka ofruar Gjermanisë dhe BE për refugjatët.
Kështu bëri edhe me armët kimike. I premtoi Presidentit Obama se “Po”, por kur plasi protesta para kryeministrisë e kur rinia mund të hynte në kryeministri e ta zbonte, atëhere tha “Jo”.
Apo nuk është kështu?!
Por kryeministri mbetet mjeshtër i fjalës së dredhisë, kur ia prekin pushtetin. Ndaj duke folur këtë të dielë në ceremoninë e zhvilluar për çmimin që fitoi në Barcelonë sheshi “Skënderbej”, Rama e konsideroi lajm të rremë ndërtimin e një kampi për refugjatët në vendin tonë. Ai tha: Ka qenë një nga mijëra lajmet e rreme që e bën Shqipërinë djep të fake news-t, përpara se fake news të shfaqej si epidemi botërore. Ka qenë një lajm i rremë siç është sot lajmi i rremë për një kamp refugjatësh, që do mbledhë refugjatë nga e gjithë bota këtu në Shqipëri, apo të tjera lajme të rreme që përhapen dita ditës. Është një betejë shumë e vështirë me lajmet e rreme, por koha i vë në vend të gjitha dhe vuri në vend drejtësinë e vizionit, idesë, e gjithë projektit të sheshit Skënderbej, që patjetër është kthyer në faqen e bardhë të kryeqytetit tonë”.
Ndërsa këtë të hënë paradite kryeministri shkruan se ”Ky lajm i prodhuar dhe propaganduar nga esadistët e rinj të Shqipërisë në politikë e media,s’ka asnjë lidhje me planet e BE për refugjatët. Mos t’ua harrojmë këtë turp”,-shkruan Rama në Twitter.
Asgjë nuk është e vërtetë, theksoi Rama, lidhur me ndërtimin e një kampi të tillë. Pra edhe ministri Majko paska gënjyer? Po zyrtarët e tjerë të be dhe nga gjermania, edhe ata ia kanë futur kot?! Edhe Antonio Tajani, presidenti i Parlamentit Europian, qenka mashtrues?!
Gjithsesi rëndësi ka që qeveria shqiptare është tërhequr nga kjo aventurë. Kur kryeministri Rama devijon nga plani sekret për shkak të protestave, atëhere ai del hero, patriot, kurse të tjerët esadistë, tradhtarë, shpifës, etj. Edhe ministri Majko, “esadist” mbetet?!
S.Prulli