Kryeministri Edi Rama: Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni, zoti President!

Ligjin për gjuhën shqipe herën e parë e rrëzoi me dekret presidenti maqedonas Ivanov, pasi u votua në parlament. Më pas parlamenti sipas Kushtetutës e rivotoi. Tani ligji hyn në fuqi automatikisht, pasi presidenti vetëm njëherë ka të drejtë kushtetuese ta kthejë një ligj në parlament. Por Presidenti maqedonas nuk don ta dekretojë ligjin e parlamentit. Pas prononcimit të presidentit maqedonas Gjorge Ivanov që sërish nuk do ta dekretojë Ligjin për gjuhën shqipe, atij i është drejtuar kryeministri shqiptar Edi Rama, duke i kujtuar se nuk ka nga të shkojë. Nënteksti i kryeministrit Rama është i qartë: Mos e kruaj me shqiptarët, ndryshe shteti maqedonas fiket, siç fiket një qiri kur i fryn njeriu.

“Z. Ivanov, gjuha shqipe nuk është gjuhë e armikut, por gjuhë e një populli konstitutiv në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni, i nderuar president Ivanov”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ndërkohë gjatë votimit të këtij ligji për herë të dytë nga parlamenti pati përplasje fizike mes kryetarit të parlamentit maqedonas i cili drejtohet nga shqiptari Talat Xhaferi dhe kryetarit të opozitës, ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

SHKARKO APP