Kryeministri Rama për Berishën: Ky qenef digjital. Në gjyq do takohemi!

Nuk ndalojnë sherret mes PS dhe PD përsa i përket shpifjeve dhe fyerjeve. Një “emigrant digjital’, siç e quan Sali Berisha, duket se do të kthehet në “mollën e sherrit” që pritet të përballë në gjyq ish-kryeministrin me pasardhësin e tij, Edi Rama.

Berisha ka publikuar në profilin e tij në Facebook mesazhin e një të riu, që thotë se ka emigruar në Amerikë, i cili pretendon se kryeministri Rama shkon e blen në Nju Jork 23 mijë dollarë këmisha në dyqanin e “Hugo Boss”.

Rama replikoi me paraardhësin, po përmes medieve sociale, duke njoftuar se do ta padisë për shpifje.

“S’jam marrë kurrë me këtë qenef digjital, po në çdo vend demokratik (plus në ligjin shqiptar) çdo përhapës i shpifjes dënohet njësoj si shpifësi! Kjo shpifje do të shkojë në gjyq. ‘Hugo Bossi’ im quhet Arjan, qepja si në Nju Jork, çmimi si në Tiranë. Lekët e gjyqit do t’i bëjmë përparëse kopshti”, shkruan Rama.

Socialistët kanë vendosur që, për të gjitha akuzat në adresë të tyre, të përballën në gjykatë për shpifje. Me paratë e fituara do të krijohet Fondi i Edukimit, për t’i investuar ato në kopshte e shkolla. Taulant Balla, që ka depozituar disa padi tashmë kundër demokratëve, thotë se ka zgjedhur një kopsht fëmijësh në Librazhd për të investuar.

“Shumë shpejt, përmes ‘Fondit të Edukimit’ që do të krijojmë me të ardhura nga shpifësit, do të ndërtojmë një kopsht për këtë lagje. Ka qenë një kërkesë prej shumë vitesh e banorëve dhe më në fund kemi një mundësi të artë për të gjetur fondin për kopshtin për fëmijët e kësaj lagjeje”, shkruan Balla.

Ofensiva e padive socialiste nuk frenoi demokratët, që vijuan të pyesin Ballën, nëse udhëtimet e tij jashtë vendit janë financuar nga krimi i organizuar.

“Ata sot mund të bërtasin ‘shpifje’, sepse nuk ka kush i heton dhe dënon. Ata mund të ndihen sot të sigurtë, përkohësisht, sepse kontrollojnë gjykatat e Prokurorinë”, tha deputeti Luçiano Boçi.

Ndërkohë, Taulant Balla njoftoi se do të padisë edhe demokratin Boçi për shpifje, njësoj siç bëri ndaj kolegut të tij, Ervin Salianji, që ishte i pari që e akuzoi në lidhje me këto udhëtime.

Por burime nga PD tregojnë se po mbledhin gjithë fyerjet dhe shpifjet e Ramës dhe deputetëve të PS të thëna para qershor 2013 kundër Berishës dhe qeverisjes së PD.

SHKARKO APP