Kryeministri Rama shkruan: Eh, jeta është kjo, dihet gjithnjë si mbaron po s’dihet asnjëherë kur mbaron rrugëtimi ynë në këtë botë!
Kryeministri Edi Rama ka humbur sot mikun e tij skulptor Arben Bajo. Përmes një postim në facebook, Rama shkruan plot dhimbje, por edhe një thirrje për jetën.
Shkrimi i Ramës:
“Çfarë trishtimi! Ben Bajo nuk do t’i hapë më sytë e as sytë e admiruesve të skulpturës, nuk do të shohin më krijesa të duarve të tij! Ai nuk ia doli dot t’i mbijetojë virusit vdèkjeprurës, që vazhdon të marrë jetë njerëzish nga kjo botë, duke sfiduar përparimin marramendës të shkencës e të mjekësisë, me kërcènimin e përsëritjes së kasaphanës së vitit 1918, kur Gripi Spanjoll gllabëroi dhjetra miliona njerëz.
Beni ishte ende shumë i ri dhe arti i tij ishte ende në zhvillimin e vrullshëm drejt njehsimit me vetë artistin, çka vetvetishëm reflektonte akoma influencën e disa mjeshtrave të mëdhenj, në ndërkohën që shembëlltyrat e bronxta po merrnin dora-dorës hijen e pangatërrueshme të individualitetit të skulptorit të talentuar.
Një humbje e madhe kjo për ata që e njohën djalin fisnik, duarartë e fjalëpakë, po edhe për artin bashkëkohor shqiptar po ashtu, që humbi sot një prej bijve të vet më premtues e më të përkushtuar.
Eh, jeta është kjo, dihet gjithnjë si mbaron po s’dihet asnjëherë kur mbaron rrugëtimi ynë në këtë botë, ku disa e kanë dhuntinë e fatin të lenë pas diçka që i mbijeton vdekjes, veprën e tyre. Artistët hyjnë tek këta disa dhe kur janë prej vërteti, siç ishte Ben Bajo, kujtimi i tyre pavdekësohet nga prania pa kohë e veprave të tyre mes njerëzve që vijnë e shkojnë, në ndërkohën që veprat mbeten.
Ngushëllimet më të ndjera të dashurve e të afërmve të Benit, fjalët përballë vdekjes s’kanë asnjë fuqi, po asgjë tjetër veç fjalëve vdekja nuk le për dëshmitarët e saj.”