Ku je Edi Rama?

Nga Mili Xhani, kryeredaktor i KOHA JONE.

Kryeministri Edi Rama bën pjesë të politikanët e dashuruar me fjalën dhe letërsinë. Siç e përmend shpesh se është nxënës i Faik Konicës e Fan Nolit dhe nuk lë rast pa dëshmuar aftësinë e tij në të shkruar, në fjalimet në Kuvend dhe postimet në Facebook.

Ish-gazetari i “Koha Jonë”, shkrimtar i “Refleksioneve” me Ardian Klosin dhe “Kurbanit” të famshëm politik, Edi Rama kalon jo pak kohë me artin e të shkruarit. Nëse do të ishte një intelektual i lirë në profesion, pasionet e Edi Ramës për shkrimin do të ishin një pasuri e çmuar për publikun. Por Edi Rama ka 8 vite që bën kryeministrin dhe qytetarët presin prej tij jo përsosjen e stilit narrativ, por përsosjen e qeverisë, zhvillimin ekonomik dhe mbi të gjitha përballimin e koronavirusit.

Prej muajsh ndodhemi në një pandemi të paimagjinueshme të koronavirusit. Situata që prej marsit nuk është përmirësuar, por po rëndohet çdo ditë më shumë. Muaji gusht po rezulton me më shumë viktima në ditë sesa gjithë periudha e mëparshme e pandemisë. Një parashikim i ekspertëve amerikanë flet për shifra që mund të shkojnë deri në 3 mijë të vdekur, nëse nuk merren masa drastike. Me sa duket na pret një vjeshtë e keqe. Shkurt, jemi në mes të tragjedisë dhe parashikimeve më të zymta që janë bërë për virusin vdekjeprurës.

Kriza ekonomie dhe sociale në vend është po kaq e rëndë sa virusi. Kolapsi ekonomik, vërtetë nuk numërohet me viktima siç bëhet nga Ministria e Shëndetësisë çdo ditë me koronavirusin, por pasojat në jetën e shqiptarëve nuk janë më të pakta. Papunësia dhe ulja e mirëqënies ekonomike po rrit eksodin dhe shton dëshpërimin.

Për shkak të krizës politike dhe keqqeverisjes autoritare vjen dhe debati për mungesën e investimeve në shëndetësi apo mungesën e përgatitjes më të mirë shtetërore për të përballur epideminë.

Në vend të këtyre problemeve që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit dhe direkt me shëndetin e qytetarëve, kryeministri ka zgjedhur të përmirësojë stilistikën e shkrimeve të tij. Në kulmin e pandemisë, krizës ekonomike dhe kolapsit politik, kryeministri po kalon pushime letrare në vilën qeveritare në bregdetin e detit Jon. Natyrisht që edhe ai do pushojë, por pushon duke punuar, derisa është kryeministër.

Si ka mundësi që shteti nuk monitoron dot dasmat me nga 200 apo 300 veta në Fier e Kukës, apo në disa qytete, të cilat janë kthyer në vatra të mëdha të përhapjes së epidemisë? Pse diku lejohen e diku shkon policia e i merr zvarrë? Pse nuk merren masa drastike i nderuar zoti kryeministër në zonën e Vlorës, kur korrespodentët flasin për dasma zinxhir me qindra e qindra vetë apo në Vlorë duhen për vota si zonë e juaja elektorale?!

Kryeministri nuk është mjek dhe nuk flet dot për shëndetin, por si kryetar i qeverisë ka përgjegjësi për përballimin e situatës dhe duhet të dëshmojë se është në krah të mjekëve që po sakrifikojnë çdo minutë të jetës së tyre. E jo me fjalë, por me fonde dhe njerëz të specializuar.

Shqipëria po kalon një nga krizat më të rënda shëndetësore që nuk është parë kurrë që nga themelimi i shtetit. Në një situatë të tillë, drejtuesit e institucioneve shendetsore janë në krye të detyrës dhe jo në çadrat e plazhit duke kaluar pushime verore e letrare. As duke shkruar nekrologjitë e atyre që vdesin nga pandemia edhe për shkak të mos trajtimit të duhur, jo për faj të mjekëve, por nga mungesa e teknologjisë dhe fondit minimal. Qeveria nuk duhej të jepte tenderime nga muaji mars për rregullime parqesh, por ti çonte direkt në shendetsi për kompletuar me aparate moderne spitalet, sikurse dhe për të rritur rrogat e mjekëve, infermierve dhe krejt personelit shendetsor.

Kryeministri ka munguar në daljet për koronavirusin, sikurse dilte në mars dhe prill nga Surreli e ku në kryeqytet zhurmonin autoblindat, a thua se armët shëronin popullin!

Edi Rama duhet të dalë e të shpjegojë se ku po vemi kështu me këtë krizë të koronavirusit dhe çfarë ofron ai në garanci të jetës së popullit.

Nuk mund të thuhet se kështu e ka ky virus, kur tashmë duhej të ishin marrë masat, ashtu siç duheshin shtuar fondet për shendetsinë e jo të vrapohet duke kërkuar infermierë dhe aparate nëpër magazinat e spitalëve.

Kryeministri duhet të dalë, siç dilte nga Surreli, edhe nga bregdeti ku po pushon. Ai duhet të shpjegohet se pse kjo gjendje dhe ku do shkohet me këtë epidemi e cila po merr jetë njerëzish çdo ditë.

Ai duhet të flasë e jo vetëm të shkruajë në facebook!

Në foto: Mili Xhani në redaksinë e KOHA JONE, ku në sfond duket Edi Rama kur ishte analist dhe gazetar në KOHA JONE

SHKARKO APP