Kur Europa mblidhet te “Meliá”!
Ka vende ku shkon për të pushuar dhe ka vende ku shkon për të kuptuar se si po ndryshon një vend i tërë.
“Meliá Durrës”, në Gjirin e Lalzit, është një prej tyre, bile më kryesori në Shqipëri.
Që në hyrje krijohet ndjesia se nuk ndodhesh në një resort të zakonshëm të Adriatikut shqiptar. Dëgjon spanjisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, polonisht, çekisht, portugalisht e shumë gjuhë të tjera. Shqipja dëgjohet më rrallë. Për një çast të duket sikur je në brigjet e Mesdheut perëndimor apo në Monte Carlo, dhe jo vetëm pak kilometra larg Tiranës.
Prej vitesh në Shqipëri debatohet se cili duhet të jetë modeli i turizmit: ai elitar apo ai masiv. Në të vërtetë, vendi ka nevojë për të dy. Plazhet publike duhet të mbeten për të gjithë qytetarët, ndërsa resortet elitare janë investime që sjellin ekonomi, punësim, standarde të reja dhe emër për Shqipërinë në tregun ndërkombëtar të turizmit.
Dikur shqiptarët e pasur, biznesmenët, politikanët dhe njerëzit e medias largoheshin çdo verë drejt Greqisë, Italisë, Spanjës apo rivierave të tjera mesdhetare. Sot po ndodh edhe e kundërta. Europa po vjen në Shqipëri.
Një nga shembujt më domethënës është “Meliá Durrës”, marka prestigjioze spanjolle që ka zgjedhur Gjirin e Lalzit për të ngritur një nga resortet më moderne në vend.
Mes pishave shumëvjeçare janë ngritur godina tre dhe katërkatëshe, larg etjes për të mbushur bregdetin me kulla betoni. Arkitektura respekton natyrën, ndërsa drita depërton nga çatitë dhe krijon një atmosferë të pazakontë qetësie.
Resorti numëron 471 dhoma dhe mbi 400 punonjës, pothuajse të gjithë shqiptarë.
Ky është një fakt që të bie menjëherë në sy.
Në një kohë kur shumë struktura turistike në Shqipëri po mbështeten tek punonjës të ardhur nga Azia apo Afrika, “Meliá” ka zgjedhur të investojë tek të rinjtë shqiptarë. Ata trajnohen sipas standardeve të markës spanjolle dhe krijojnë çdo ditë një kulturë të re shërbimi.

Në foto: Administratori i Përgjithshëm i MELIA, Juan Tunon
Administratori i përgjithshëm, spanjolli Juan Tunon, tashmë flet edhe disa fjalë shqip. Ai lëviz vazhdimisht mes turistëve dhe stafit. Nuk e sheh të ulur në zyrë. Vëren çdo detaj, përshëndet me dashamirësi klientët dhe u kujton punonjësve se mikpritja është po aq e rëndësishme sa arkitektura apo luksi.
Në krah të tij është administratori shqiptar Ervin Dalipi, i cili shpjegon filozofinë e punësimit.
“Përparësi kanë banorët e zonës, Durrësi dhe Tirana. Ne besojmë se investimi duhet të kthehet edhe në mirëqenie për komunitetin”- thekson Dalipi.
Është një filozofi që meriton vlerësim.
Teksa ecim drejt pishinës e për të dalë te deti, zhurma e gjuhëve të ndryshme krijon ndjesinë sikur ndodhesh në një aeroport ndërkombëtar.

Në foto: Pamje e pjesshme e pishinës së resortit
Aty takojmë, João Ferreira, turist nga Portugalia.
“Erdha sepse njihja markën ‘Meliá’,” – na thotë. – “Por tani dua të njoh edhe Shqipërinë.”
Na rrëfen me entuziazëm vizitën në Tiranë.
“Recepsioni na siguroi menjëherë një minibus modern. Vizituam Sheshin Skënderbej, Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, Air Albania. U ulëm në një lokal ku kamarieri fliste portugalisht sepse kishte jetuar në Porto. Ishte tifoz i Real Madridit, por adhuronte Jose Mourinhon.”- tha duke qeshur João Ferreira, nga Lisbona.

Në foto Kulla e vrojtimit të plazhit te MELIA
Në plazh bie në sy një tjetër standard nga ato që nuk jemi mësuar në shumicën e resorteve apo fshatrave turistikë.
Rojet monitorojnë vazhdimisht detin. Flamuri jeshil valëvitet kur kushtet janë të sigurta, ndërsa flamuri i kuq ngrihet sapo dallgët bëhen të rrezikshme. Është një kulturë sigurie që nuk është ende e zakonshme në të gjithë bregdetin shqiptar.

Kur bie mbrëmja, resorti merr një tjetër pamje.
Muzika shqiptare alternohet me repertorin ndërkombëtar. Restorantet mbushen me turistë nga e gjithë Europa. Në një cep funksionon kazinoja, ku fati vazhdon të provojë pushuesit. Disa ditë më parë një çift francez kishte fituar rreth 12 mijë euro.

Pas këtij investimi fantastik të MELIA qëndron biznesmeni shqiptar Tan Dulaku, një sipërmarrës i njohur prej më shumë se tri dekadash. Ata që e njohin thonë se ka shpirt artisti po aq sa instinkt biznesmeni. Kjo duket edhe te “Meliá”, ku estetika dhe arti, nuk është lënë pas dore përballë interesit ekonomik. Tani, siç i thërrasin shkurt, ka ndërtuar një mrekulli në bregdetin shqiptar. Ai, me aq pasuri sa ka, edhe mund ti kishte hedhur diku tjetër në Mesdhe, por preferoi vendin e tij, duke rritur emrin turizmit shqiptar, e jo vetëm por në Resortin MELIA, ka punësuar 400 punonjës të gjithë të rinjë nga zonat përreth, e ku natyrisht dijnë gjuhën angleze.
Në fakt MELIA, jo vetëm mbetet resorti numër një në Shqipëri, por edhe shkolla praktike e turizmit, ku të rinjtë mësojnë praktikisht e bëhen konkurues, nesër, në çdo treg turistik europian.


Në fund të vizitës bashkohemi me një grup turistësh polakë. Laureta, pjesë e administrimit të resortit, na prezanton me ta. Muzika popullore shqiptare fillon të dëgjohet dhe, pas pak minutash, polakët ngrihen spontanisht në valle. Nuk vonon “plas” edhe muzika polake.
“Vitin tjetër do të vijmë edhe më shumë,” – na thotë njëri prej tyre që ishte nga Varshava.
Ka shumë bare, plot restorante VIP si Casa Nostro, Cape Nao, Dodona, etj. Te bari afër bregdetit njeriu gjen gjithçka, shërbim e cilësi. Kamarierët dhe personeli aty, nën tingujt e muzikës së lartë për pushuesit, të degjojnë me kujdes dhe shërbim në çast.

Kaq i kërkuar është Melia sa ka radhë nga firmat kryesore të kafesë në Tiranë që të reklamojnë markat e tyre te MELIA. Gim Zeqo një milioner me përmasa miliardiere, ( jo se rri afër Samir Manes), por ka nxituar të sjellë karrike si “thasë” me emrin e AMA, ku pushuesit ulen në darkë e kuvendojnë nën ritmin e muzikës.
Duke ecur e kisha përfunduar mes pishave larg qendrës së Resortit me del para një nga ato makinat e golfit si “makina e Trump”. Ndaloi dhe shoferi i Resortit, Kevin Dhiari me solli te hyrja kryesore. Mu duk vetja për pak minuta si te fusha e Trump! (kliko videon në fund)

Largohemi nga “Meliá” me një bindje se ky resort nuk është thjesht një hotel me pesë yje.
Është një sinjal se Shqipëria ka hyrë në hartën e turizmit elitar mesdhetar.
Dhe kur dëgjon spanjollin Juan Tunon të thotë me bindje se “Shqipëria do të jetë një nga liderët e turizmit në Mesdhe”, nuk e merr më si një frazë mirësjelljeje. Eshtë realitet!
Pas një dite në “Meliá”, ajo tingëllon si një parashikim që ka filluar të marrë formë./KOHA JONE/



KOHA JONË SONDAZH

