Rikthimi i transportit hekurudhor në linjën Tiranë-Durrës po i afrohet përfundimit, ndërsa për nisjen e udhëtimeve me pasagjerë mbetet të përmbyllen elektrifikimi i hekurudhës dhe përzgjedhja e operatorit që do të menaxhojë shërbimin. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se punimet në infrastrukturën e shinave kanë përfunduar në rreth 90%, ndërsa kontrata për stacionet është realizuar në masën 75%.
Sipas tij, faza e fundit e projektit është elektrifikimi, për të cilin gara ndërkombëtare ka përfunduar dhe është shpallur subjekti fitues. Aktualisht pritet vetëm miratimi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila financon këtë proces. Karakaçi sqaroi se pas lidhjes së kontratës, elektrifikimi do të kërkojë rreth 12 muaj për t’u përfunduar.
“Nëse ky miratim nga BERZH jepet sonte, duhen 12 muaj që elektrifikimi të përmbyllet. Në momentin që përmbyllet elektrifikimi, infrastruktura është e plotë”, deklaroi ministri, duke theksuar se afati llogaritet nga momenti i nënshkrimit të kontratës.
Për funksionimin e linjës nevojitet edhe përzgjedhja e një operatori ndërkombëtar, i cili do të jetë përgjegjës për transportin hekurudhor të pasagjerëve. Sipas Karakaçit, gara për këtë procedurë pritet të hapet në muajin shkurt ose mars, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
“Besoj që rreth muajit shkurt ose mars të hapim garën ndërkombëtare dhe besoj që do jemi pak a shumë të ravijëzuar mes përfundimit të elektrifikimit dhe përzgjedhjes së operatorit që do bëjë operimin e linjës”, u shpreh për ”A2cnn”.
Përfundimi i elektrifikimit dhe përzgjedhja e operatorit do të jenë dy kushtet kryesore për vënien në funksion të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, e cila synon të rikthejë udhëtimin me tren mes dy qyteteve.
