Kurthi i ish-vjehrrës ndaj 33 vjeçares së divorcuar. Nëna e 3 fëmijëve: “Veshkën e shes, por fëmijët nuk i braktis”!
Policia e Durrësit ka proceduar penalisht një grua 33-vjeçare për veprën penale “keqtrajtimi i të miturve”, pas një denoncimi të bërë nga ish-vjehrra e saj, e cila pretendon se tre fëmijët e mitur janë lënë vetëm dhe të mbyllur në banesë.
Në fakt ndodh disa herë që për inatin ndaj ish-nuses vjehrrat sajojnë apo intrigojnë për ti shkatërruar imazhin në publik.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori pas kallëzimit të shtetases D. V., e cila deklaroi se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë pa kujdes tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonin. Rasti u publikua edhe në rrjetet sociale.
Në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, Policia bëri të mundur marrjen në mbrojtje të tre fëmijëve, të cilët u dërguan fillimisht në Spitalin Rajonal të Durrësit për ekzaminime mjekësore dhe më pas u vendosën në kujdesin e Qendrës së Mbrojtjes së Fëmijëve Durrës. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe vetë 33-vjeçarja, e identifikuar si Blerina, nënë e tre fëmijëve të moshës 5, 10 dhe 12 vjeç. Në një prononcim për A2 CNN, ajo mohon kategorikisht akuzat, duke deklaruar se nuk do t’i braktiste kurrë fëmijët e saj.
Sipas saj, denoncimi është një “kurth” i organizuar nga ish-vjehrra, e cila, sipas pretendimeve të 33-vjeçares, ka hyrë pa leje në banesën e saj dhe ka ndikuar te fëmijët për të folur kundër nënës. Ajo shprehet se është e detyruar t’i lërë fëmijët vetëm gjatë orarit të punës, për shkak të kushteve të rënda ekonomike.
“Kam pesë vite e divorcuar. Punoj si banakiere, paguhem 400 mijë lekë të vjetra në muaj dhe 300 mijë i jap për qira. Nuk kam mundësi tjetër. Ish-burri ka qenë në burg në Itali për pesë vite dhe tani paguan vetëm 180 mijë lekë të vjetra në muaj për fëmijët. Me ato para nuk ushqehen tre fëmijë”, deklaroi ajo.
Në një situatë të tillë, ku një grua mezi mban familjen e saj i duhet edhe të bëjë “sakrifica” të tilla, që ti lerë brenda fëmijët, në pamundësi ekonomike të paguajë kopshtin për të voglin.
33-vjeçarja shtoi se një nga fëmijët vuan nga epilepsia dhe ka ndjekur trajtime të gjata mjekësore, ndërsa theksoi se nuk do t’i dërgojë kurrë fëmijët në jetimore. “Veshkën e shes, por fëmijët nuk i braktis”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditur se tre fëmijët ndodhen aktualisht në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve dhe të shoqëruar nga nëna. Sipas Ministrisë, fëmijëve u është siguruar ushqimi dhe veshmbathja e nevojshme, ndërsa në vijim do të mblidhet Grupi Teknik Ndërsektorial për të vendosur masat e mëtejshme për mbrojtjen e tyre.
Bashkia e Durrësit duhet ta ndihmojë nënën në fjalë, e cila robtohet duke punuar dhe mezi ia del ekonomikisht për tre fëmijët, që janë në një moshë delikate, 5, 10 dhe 12 vjeç.

KOHA JONË SONDAZH

