Kush është “Aktori i 3-të” në Rajonin e Ballkanit, zoti Kryeministër Rama?
– Shqipëria po lufton përballë një Europe gjithnjë e më skeptike, të shkapërdarë dhe indiferente për zgjerimin
Në konferencën e shtypit të Edi Ramës bashkë me Kancelaren gjermane Angela Merkel, kreu shqiptar i ekzekutivit foli paksa me presion diplomatik ndaj një Europe indiferente në zgjerim. Ja se ç’tha Rama, fjalë për fjalë:”Unë nuk ju them asgjë të re, duke nënvizuar edhe sot faktin se kjo situatë e re premtuese në rajon lidhet me fuqinë e madhe tërheqëse që ka Europa për ne, gjë që ju e keni konstatuar dhe nënvizuar vazhdimisht. Por, po ashtu dua të nënvizoj se në këtë situatë shumë pozitive për rajonin tonë, as ne dhe as miqtë dhe partnerët tanë europianë nuk duhet ta marrin të mirëqenë atë që kemi arritur, sepse në hapësirën tonë rajonale veprojnë dhe aktorë të tretë, të cilët synojnë të shfrytëzojnë çdo lëkundje, çdo paqartësi apo vakum që mund të krijohet në marrëdhënien tonë me Bashkimin Europian”.
Pra kryeministri Rama,duke ndjerë në njëfarë mënyre indiferentizmin dhe kaosin e BE, sidomos pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian e aq me shumë ftohtësinë me të cilën do përballet Europa në janar 2017 me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë paralajmëroi,mes rrjeshtave, se në Ballkan po futet fuqishëm “Aktori i tretë”.Natyrisht Rusia. Ka kohë që Moska po zbarkon dhe po ringjall lidhjet e vjetra në Ballkanin Perendimor.Aq me tepër tani me Presidentin e ri amerikan duket se Rusia do jetë një partner në zgjidhjen e problemeve botërore.Duke mos harruar Ballkanin, ku Rusia (ish-BRSS) ka patur interesa të mëdha gjeostrategjike rajonale.Kancelarja gjermane Merkel ka qenë dhe mbetet një mike shumë e mirë e Shqipërisë.Por ajo e vetme nuk ka ç’ti bëjë një Europe e cila po shthuret nga mungesa e rregullit brenda familjes dhe e frikësuar përballë një Rusie e cila po zbret me afër shteteve balltike, anëtare të BE. Kësisoj frika e shteteve të BE për t’u zgjeruar ka nxjerrë “arësye” për të vonuar dëshirat europiane të popujve të Ballkanit.Ndërkohë Rusia po zbret nga pak e përditë në Ballkanin Perendimor, pasi ato në Lindje i gëlltit sapo të hap gojën, nëse don ta hap.Mësohet nga burime që nuk duan të indentifikohen për median se në zyrën e kryeministrit Edi Rama ka mbërritur një ftesë zyrtare nga pala ruse për të vizituar Moskën, por nuk dihet nëse Rama e ka në mendje një vizitë të tillë. Ndaj e lëshoi një “silurë” në konferencën me Merkelin kur përmendi “aktorë të tretë” në Rajonin e Ballkanit. Fjala është për Rusinë, e cila ka shtete mike Greqinë, Serbinë, deri diku Malin e Zi (e cila ka një opozitë radikale proruse) dhe Maqedoninë. Të vetëm në Rajonin e Ballkanit Perendimor proSHBA-së dhe ënderrimtar për të hyrë në Bashkimin Europian janë shqiptarët. Nëse na mbajnë larg, me pahir, atëhere njeriu rikthehet tek “dashuritë e vjetra”.
Aty po rri “ aktori i tretë”, pas dere është përditë!
Edhe presidenti turk , Erdogan, i mërzitur nga miopia europiane për zgjerim tha këto ditë se nëse nuk duan po iu hap portat 3,5 milionë refugjatëve. Dhe prapë Erdogan shtoi se nëse BE po na lodh me “një dashuri të pamundur”, Turqia po mendon për aleancë me Kinën, Rusinë,etj. Turqia vend i NATO-s është, por presionin e bëri për interesa të popullit turk.
Duke iu rikthyer përmendjes së “aktorit të tretë” rus nga Kryeministri Rama ka nevojë që BE të jetë më e vëmëndshme me Shqipërinë. Falë një populli vital, europiandashës, dhe disa reformave drastike që po bën ndër vite, të mos na e vonojnë pranimin. Nuk ka shtete të përkryera, as politika të shkëlqyera në një botë globale plot halle ekonomike. Por kur futesh në një FAMILJE TË MADHE EUROPIANE të gjithë më pas janë me shumë korrekt; edhe qeveria, edhe opozita, kushdo.
Angela Merkel mbetet një grua e fortë. Pa Merkel, Europa nuk do ishte kjo që është, por mundet të ishte ndarë në copa, ku “ariu rus” kalonte dimrin në disa shtete në lindje të Gjermanisë. Por edhe Merkel ka halle në shtëpinë e vet CDU. Ka zgjedhjet për Kancelar. Nga inati mes vetes në CDU, nga gjetja pafund e “problemeve” në politikën shqiptare po na yshtin të shikojmë nga “Aktori i tretë”, aq me tepër që vetë Donald Trump do jetë një mik dhe partner me Vladimir Putin.
BE dhe Merkel duhet të mos vonojnë me Shqipërinë. Sa me shumë na lenë jashtë gardhit europian aq me shumë ofrohet “Aktori i tretë”. Aq me shumë mundet kryeministri shqiptar të shikojë prerjen e biletës për të shkuar në Moskë. Qoftë si vizitë kortezie.
Në fund të fundit interesat ekonomike janë primare në një botë ku ekonomia po rrënohet, ku populli kërkon hapësira jetese dhe kur dy liderët botëror puthen, atëhere pse të mos puthet edhe i vogli me të dy të mëdhenjtë, natyrisht veçmas?!
Mos na e bëni të pamundur Europën, zonja Merkel për hir të hallëve europiane!
Spiten Prulli