Kush është pronari i firmave që ndërtuan ujësjellësin e Vlorës?
Prej 4 ditësh qyteti i Vlorës është zhytur në një krizë totale të furnizimit me ujë të pijshëm. Jo për shkak të mungesës së burimeve ujore, por si pasojë e kolapsit të rrjetit të shpërndarjes, një rrjet që drejtuesit e Bashkisë dhe të Ujësjellësit po përpiqen ta justifikojnë publikisht si “amortizim teknik”, por ky version rezulton të jetë një mashtrim i hapur.
Dokumentet zyrtare të investimeve, provojnë se rrjeti i furnizimit me ujë të qytetit të Vlorës është rindërtuar plotësisht vetëm 3 vite e gjysmë më parë, përmes dy super-tenderëve të zhvilluar nga Bashkia e Vlorës dhe Ujësjellësi.
Bëhet fjalë për dy kontrata me vlerë totale 9.6 miliardë lekë me TVSH, të firmosura nga ish-kryebashkiaku Dritan Leli dhe ish-drejtori i Ujësjellësit Shkëlqim Leskaj, të cilat iu dhanë kompanisë “Gener 2 Sh.p.k”, së bashku me kompaninë e tij filiale “4 AM Sh.p.k”.
Tenderi i parë, me objekt “Rikonstruksion dhe ndërtim i rrjetit të ujësjellësit në zonat Lungomare – Uji i Ftohtë – Shkolla e Marinës”, u zhvillua më 25 shtator 2020, me vlerë kontrate 6.3 miliardë lekë dhe afat punimesh 1 vit. Në realitet, punimet u zvarritën për dy vite, ndërsa kontrata u lidh me 99.3% të fondit limit, praktikisht pa konkurrencë reale. Ky investim u shoqërua me një garanci funksionimi 10-vjeçare, sipas së cilës çdo defekt duhej të riparohej dhe financohej nga kompania private.
Tenderi i dytë, i datës 29 qershor 2021, me vlerë 3.3 miliardë lekë me TVSH dhe afat punimesh 6 muaj, iu dha sërish kompanisë “Gener 2 Sh.p.k”, këtë herë me 99.6% të fondit limit, pa garë, dhe po ashtu me garanci 10-vjeçare funksionimi. Në praktikë, kjo “garanci” rezultoi një farsë. Pas vetëm 3 vitesh, rrjeti u shemb, duke lënë mijëra familje dhe biznese pa ujë për ditë të tëra, madje edhe gjatë festave të fundvitit, ndërkohë që koston e riparimit po e paguan shteti, jo kompania private siç parashikon kontrata.
Si të mos mjaftonte kjo, me shkresë nr. 386, datë 12.02.2021, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve i akordoi kompanisë edhe 400 milionë lekë shtesë, me objekt “Furnizimi me ujë dhe kanalizime”, të cilat u likuiduan në fund të vitit 2024.
Ndërkohë, më 21 maj 2021, i njëjta firmë fitoi edhe tenderin tjetër me vlerë 8.7 miliardë lekë me TVSH për rikonstruksionin e ujësjellësit të fshatrave të Njësisë Administrative Novoselë, ku sot, në disa fshatra, rrjeti vijon të mos funksionojë.
Mësohet se në SPAK ka mbërritur një kallzim për këto tenderime që nuk kanë dhënë garanci për popullin e Vlorës.
Por nëse Edi Rama ia hodhi fajin Saliut për tubat, por Berisha pse nuk e përmend pronarin e kompanisë që ndërtoi ujësjellesin me fondet shtetrore e ku flitet për mbi 16 milionë euro investim në këtë ujësjellës.
Apo ka qenë dikur miku i Berishës?!
Shënim: Autorët dhe firma e përmendura në artikull janë të mirëpritur të na shkruajnë nëse duan të sqarojnë faktet e mësipërme.





KOHA JONË SONDAZH
A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?
Results
Vota totale: 13143

