Kush fiton: Grupet rivale të drogës apo grupet do t’i hanë kokën Ramës?
A nuk e patë fundin rrugës?!*
Frrok Çupi
Fundi nuk ka ardhur akoma. Kur të vijë fundi, nuk dihet cili do të fitojë. Do të fitojë qeveria mbi grupet rivale tëdrogës, apo grupet rivale do t’i hanë kokën kryeministrit. Kjo do të ndodhte sipas skemës së Kolumbisë ku FARC, ushtria që dominon drogën, ishte jashtë qeverisë. Po këtu? Këtu do të jetë qeveria që do të jetë bashkë me “FARC”, apo grupet e drogës do t’i dalin duarsh Ramës? Gjithë vendi është mbjellë me drogë, pritet vetëm rivaliteti.
Sa rrugë e lodhshme, por e shkurtër: Dikush do t’i hajë kokën tjetrit…
Tani për tani, kjo që po e quajmë “fundi” është duke ardhur rrugës. A nuk e keni parë?
Për të ardhur deri në pikën kur shteti ka hyrë në krim, rruga ishte në sy të të gjithëve. Rrugës deri këtu, u duken të gjitha gjurmët.
Gjurma e parë në Lazarat.
Lazarati, fshati më i madh në Jug të vendit, i dhunuar si antikomunist, shtrirë nën brinjë të kalasë së Gjirokastrës, u kthye në legjendë për drogën. Legjenda u krijua nga policia, nga opozita dhe nga ambasadorët. Në fund u përdor nga qeveria e Rilindjes. Këta u mburrën se “do ta mposhtim Lazaratin”, dhe e bënë. Dhunuan gra e fëmijë, edhe vranë disa njerëz, por nuk ka më drogë! Kryeministri, si pinjoll i klanit hoxhaist, iu lëshoi brezin komunistëve të rreshkur dhe iu bëri qejfin se “e mposhta kuçedrën tuaj”. Por në fakt nuk ishte ky qëllimi. Qëllimi ishte për t’u dëshmuar “virgjëri” ambasadorëve dhe, kryesorja: Të ndërrojë duart e drogës, nga dora e panjohur në dorë të vet. Kështu nisi rruga drejt këtij fundi.
Gjurma e dytë, me ministrin.
Ministër i Brendshëm u zgjodh ky që është, jo veç për arsyen se ky përflitej si një përdorues narkotikësh. I akuzuar publikisht si përdorues narkotikësh është edhe vetë kryeministri. Kryeministrin nuk e lidh veç kjo e përbashkët. Lidhja është këtu: Një përdorues narkotikësh vihet në krye të prodhimit dhe tregut të narkotikëve si ministër. Në këtë mënyrë, shtetërisht karteli i drogës kontrollohet nga përdorues të narkotikëve. Kjo është fillesa e skemës klasike në kartel, të droguarit rekrutohen të parët. Por në këtë rast, shtetërisht. Mesazhi lëshohet për grupet kriminale që rivalizojnë në tregun e drogës; sot thërriten në bashkëpunim, por sa zgjat kjo marrëdhënie?!
Gjurma e tretë, sulmi mbi Kokëdhimën.
Kryeministri e kishte mikun më të afërt; madje si një Dalai Lama nën tendën e vet. Momenti kur Kokëdhima shpalli kërkesën për “njohjen zyrtare të kanabis-sativa”, njerëzit menduan se lajthiti. Deputeti kërkoi kujdestarinë shtetërore të drogave që në Kuvend, në media, kudo. Këtu ndodhi çarja mes “murgut” Kokëdhima dhe kryeministrit Rama. Raportet sekrete thonë se vetë Rama e shtyu në këtë mëkat, por nuk është shumë e besueshme. Rama e mirëpriti mëkatin e Kokëdhimës për të krijuar ndarje “parimore, anti- canabis”. Por cili ishte konflikti real? Sikur të pranohej propozimi i Kokëdhimës, droga do të vihej nën kontrollin e shtetit, të ardhurat do të hynin në buxhetin e shtetit dhe shteti do të ishte “e vetmja bandë”. Këtë nuk mund ta pranonte Rama. Rama ndërtoi skemën e kontrollit të drogës me bandën e tij; asgjë jashtë bandës. Sot për sot është i vetmi grup kriminal, pa rivalitet. Por rivaliteti po ngjallet; edhe rivalët duan të hanë bukë e të ndërtojnë vila.
Gjurma e katërt, populli në masë sulmohet si “dembel” dhe injorant “pa profesion”.
Të gjithë e mbajnë mend kur kryeministri shpalli me pompozitet këto “sharje” për popullin e vet. Mediat e morën thjesht si arrogancë të Ramës… Jo, nuk është kështu! Kjo ishte një gjurmë në rrugën për të ardhur te fundi. Jehona e arrogancës së kryeministrit shkoi në vesh të njerëzve, si kusht. Kushti është ky: “Unë, Edi Rama, iu gjej punë të gjithëve ju dembelë e të paditur. Ja ku janë plantacionet, ejani!”. Puna me drogën nuk do shkollë të madhe, madje do njerëz jo fort inteligjentë. Vathi i Ramës do të zinte shumë “dele”, siç i ka quajtur.
Gjurma e pestë, rrënimi i financave
Sa njerëz kritikë kam takuar, që shprehen kështu ndaj qeverisë:” Po këta more, si i rrënuan financat!? Si nuk dinë të bëjnë ekonomi, as financa! Si nuk marrin njerëz të aftë”.
Këta që flasin më janë dukur njerëz të mirë, naivë dhe kaq. Këta kanë menduar se rrënimi i financave të shtetit ka ndodhur ashtu si kot(!). Jo. Rrënimi ka ndodhur pikërisht pse këta janë të aftë. Nuk janë mbledhur taksat e tatimet, ose janë mbledhur dhe iu është “gjetur vendi”. Janë paguar pa fund dënime për kompani të huaja. Dje u paguan edhe rreth 300 e ca milionë euro për “Bankers”. Janë vjedhur tendera dhe para publike; është derdhur lumë për luksin e qeverisë… Po pastaj, keq po qeverisin? Jo. Projekti për të “transferuar popullin” në punët me drogën, nuk mund të bëhej pa e kthyer drogën në të vetmen punë dhe burim të ardhurash. Në plantacione nuk ka taksa, nuk ka siguracione, nuk ka kushte dhe kontrata pune, nuk ka lidhje me shtetin. Këta “punëtorë” të drogës nuk dihet me kë e kanë, këta mund të hanë njëri- tjetrin nesër, por jo qeverinë; qeveria nuk duket. Këta janë punëtorët që “duhen” në këtë punë. Financat e shëndetshme do të ishin injoranca financiare.
Gjurma e gjashtë, ambasadorët.
Këta u “droguan” nën efektet e Ramës dhe mbyllën gojën. Njerëzit, me të drejtë apo pa të drejtë, thonë serRama i futi në xhep me paratë e drogës. Për ambasadorët thuhet, sigurisht, sepse shtetet që përfaqësojnë ata në Perëndim as që mund të mendohet se bien në kurthin e drogës nga Shqipëria. Perëndimi sapo ngriti flamurin e mbylljes së luftës me organizatat terroriste të drogës në Kolumbi.
… Kudo fundi bëri rrugë dhe erdhi deri këtu. Fundi nuk është këtu. Dje kreu i organizatës rebele ushtarake FARC u dorëzua në Kubë, nuk mundi ta bënte dorëzimin në Kolumbi. Kryetari i grupit rival, Rodrigo Londono, edhe emrin e kishte ndryshuar dy herë. Kur firmosi dorëzimin pas 52 vjet rezistencë dhe krime nëpër plantacionet me drogë, ai nuk ishte ai; u paraqit si Timoleon Jimenez e më në fund si Timochenko. Kishte nisur si majtist rebel e kishte përfunduar në vrasës njerëzish. Ky ishte fundi i atij. Ndërsa fundi i Ramës akoma nuk ka ardhur. Nuk i dihet në cilën anë të rivalitetit do ta zërë puna. Grupet rivale e sjellin fundin.
*Titulli i origjinalit