Kush i zhgënjeu me shumë socialistët në 25 vite: Fatos Nano apo Edi Rama?

Fatos Nano njihet si lideri historik i PS-së. Mirë apo keq e transformoi Partinë e Punës në Parti Socialiste me stil e durim. Hyri në burg për PS-në. Dhe iku duke e lenë PS-në të shkërmoqur, për fajin e tij.

Dje Edi Rama organizoi festën e 25-vjetorit të PS-së me 2 mijë të ftuar. Mes Nanos dhe Ramës çdo socialist e bën një dallim. Kryetari themelues i PS-së, Fatos Nano, bëri dje një urim të shkurtër: “Gëzuar Socialistë!”. Por faktikisht, Fatos Nano, urimin e tij të plotë në formë mesazhi dhe thirrje politike e ka bërë një muaj më parë dhe pikërisht në ditën kur duhet bërë, më 12 qershor që është edhe dita fikse kur është themeluar Partia Socialiste, në vitin 1991. Nano në atë mesazh për socialistët, pasi rikujton vlerat dhe kontributet e PS-së për demokracinë në Shqipëri, ngre alarmin për sëmundjen e rëndë që e ka kapluar atë. Sipas Nanos ajo sëmundje është e ashtuquajtura “Rilindje”, e cila po shtrin vdekjen mbi gjithçka të mirë të krijuar në 25 vitet e jetës së partisë.

Dje Fatos Nano mungoi në festë dhe duket se nuk ka ndryshuar mendim nga ato që tha më 12 qershor për mënyrën sesi e sheh partinë. Ky mesazh është në kontrast të plotë më atë që  Edi Rama pretendon se është sot Partisë Socialiste. “Ky është një përvjetor kuptimplotë për të vlerësuar pjekurinë e një partie të madhe politike, të madhe për nga vlerat dhe kontributet në 25 vjet demokraci pluripartiake në Shqipëri dhe në rajon. Sot jetojmë në kohë krizash, në vend dhe në botën që na rrethon. Në krizë është edhe politika, edhe partitë tradicionale në Shqipëri. Për fat të keq edhe PS-ja. …Sot nuk është më kështu! Krizat kanë kërrusur jo vetëm Shqipërinë dhe rajonin, por edhe vetë PS-në! Diçka thelbësore është thyer dhe nuk funksionon në organizmin e saj demokratik. Në këtë ditë të shënuar dhe kryelartë për socialistët dhe të majtën e re shqiptare në tërësi, nuk është e dobishme të stigmatizohet sëmundja e rëndë nga e cila po gulçojnë PS-ja dhe demokracia shqiptare, por, është momenti i mobilizimit të gjithë aftësive, përvojave dhe brezave përfaqësues të tyre në PS, për t’u ringjallur, përpara se ‘rilindja’ të shtrijë vdekjen mbi gjithçka të mirë të krijuar me solidaritet shembullor në 25 vite!”,- shprehej ish-kryetari i PS.

Ndryshe nga sa mendon Nano, Edi Rama dje mbajti një tjetër fjalim, në cilësinë e të zotit të shtëpisë. U kujdes të vinte në dukje arritjet e kësaj partie, por më shumë se historia e saj, vendin kryesor e zunë reformat që po bën qeverisja e tij. Foli për suksese, por më shumë justifikoi zërat që ka kundër dhe pakënaqësitë që kanë nisur të dalin hapur mes deputetëve dhe njerëzve të afërt që ka patur këto vite. Një fjalim që më shumë se për partinë, duket se ishte për justifikim për ato që s’ka bërë dhe për njerëzit që nuk i ka kënaqur dot.

Këtu përjetohen më shumë se gjetke, shqetësimet nga më të ndryshmet, që sjellin përpjekjet reale për ndryshim. Rruga e ndryshimit shpesh i ndan, inatos, apo turbullon njerëzit. As nuk mund të ndalosh për t’i këshilluar, sepse gabon rrugë. Kam mësuar se kryeministër nuk të bën karrigia. Duhet të jetosh problemet e njerëzve në një tension të vazhdueshëm… Nuk i vë faj askujt që mendon se unë nuk kam bërë gjënë e duhur për të, apo vendin. Apo as atij që mendon se unë nuk i jap vendin e punës që kërkon. Por ama unë nuk harroj se për këtë punoj, kujt i shërbej, dhe se çfarë duhet të bëj për këtë vend. Këtu kam mësuar se politika në këtë vend nuk rrjedh aspak fjollë”,- tha ndër të tjera Rama.

Në fjalën e tij, kryesocialisti u kujdes të falënderonte në numrin shumës, pa emra të përveçëm siç ka bërë më parë. Foli për koalicionin qeverisës, por mungesa e Metës edhe pse e justifikuar me një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ra në sy më shumë në sy. Foli për ekip dhe frymë liberale në parti, por Ben Blushi, Mimoza Hafizi e shumë emra me histori në PS nuk ishin pjesë e ceremonisë. Në fund edhe pse foli për historinë e partisë, nuk përmendi paraardhësin e tij qoftë edhe për keq. Herë tjetër e ka përmendur, kur kishte interes për ta përdorur kokën e Nanos kundër të tjerëve.  Parimisht PS-ja duhet të ndodhej në ditët e saj më të mira, pasi është në pushtet. Megjithatë, festa e djeshme nuk ngjante si festë. Më shumë se të ftuarit binin në sy mungesat. Festa dukej si në një vaki!

Nga shtatori 2005 kur PS-në e mori Edi Rama selia rozë ka pësuar shumë transformime. Kanë ndryshuar njerëzit, por më shumë mënyra e drejtimit. Fatos Nano e filloi mirë, dikur, me drejtimin e PS-së dhe e mbylli në mënyrën më të poshtër, duke e shndërruar në parti, ku kupola u korruptua dhe u shkëput nga socialistët, derisa hyri në pazare me liderin e PD-së Berisha në vitet kur e dorëzoi selinë e PS-së. Dhe më pas për hir të ambicies për President Republike u fut në vathën e Berishës, duke tradhtuar hapur socialistët. Dhe e mbylli karrierën e tij politike në mënyrën me të keqe në sensin e imazhit publik. Iku dhe mbeti si i dhjerë!

Edi Rama e mori PS-në dhe pas shumë zigzageve erdhi në pushtet, falë edhe Ilir Metës. Në këto vite pushteti ngjiti në detyra miqtë e tij, “palosi” Ben Blushin, me të cilin kishte kauzë e miqësi të hershme, duke e shndërruar PS-në në “Rilindje”, e cila edhe bojën e ka ndryshe nga ngjyra e kuqe e PS-së së vitit 1991.Dhe jo vetëm ngjyrën! Mendimi ndryshe, fryma e debatit, kritikat e hapura duken si diçka që tashmë i përkasin vetëm historisë së partisë. Në vend të këtyre, PS-ja e këtyre viteve po mbahet mend vetëm për numrin e deputetëve që ka përjashtuar nga radhët e saj se kanë dalë kundër linjës së kryetarit apo që janë deputetë me lidhje kriminale. Por siç thotë me humor vetë Rama “nuk keni parë gjë akoma!”.

Dje festuan 25-vjetorin, socialistët. Po cili e shkatërroi më shumë PS-në, Nano apo Rama? Sejcili e ka një mendim në lidhje me këtë pyetje !

Spiten Prulli

 

SHKARKO APP