Kush nuk e do kthimin e Sali Berishës në PD?
Nga: L. Skiro
Sa kohë që kërkesa për kthimin e Sali Berishës në krye të PD ishte e largët dhe jo kaq emergjente, thuajse kushdo në PD tregohej i gatshëm të lëshonte karrigen. “Ja këtu, në karrigen time, Doktor!”.
Tani që kthimi i ish- kryetarit të PD në krye të saj është një kusht “të jetë a të mos jetë PD”, ata që ishin gati, kanë kthyer kurrizin dhe po përpunojnë në kulisa “pse të kthehet Berisha?!”.
Tamam si skutha dhe të pabesë siç kanë qenë përherë në PD!
Kryetari i PD, Basha, tashmë është ‘kompletuar’ si një figurë që nuk mund ta udhëheqë PD-në si opozitë e ndershme dhe parimore. PD nën drejtimin e Bashës është futur në kulisat e qeverisë dhe bën plane bashkë-qeveritare për interesa të kryetarit dhe pak njerëzve në PD. Gjendja e rëndë ekonomike- të cilën e thotë edhe PD-ja, nuk po arrin të gjejë rrugëzgjidhje nga qeveria dhe as alternativa nga opozita. Krimi i organizuar dhe trafiku i drogës- pranuar nga opozita- po vazhdon të thellohet më shumë. Inkriminimi i politikës që nga Kuvendi- po thellohet. Vetë kryetari i PD, Basha, është kapur në një aferë financimesh të paligjshme nga Rusët. Marrëdhëniet me aleatët BE dhe SHBA janë tronditur thellë në anën e PD. Tani që po afrohemi drejt zgjedhjeve të pushtetit lokal, është edhe më e qartë se PD humb edhe tre bashkitë e fituara në zgjedhjet e kaluara. Po të priten zgjedhjet parlamentare, PD del sa ‘shoqata e gjuetarëve”.
Mund të ndodhë fatkeqësia e madhe që të zhduket, brenda pak vjetve, PD që krijoji pluralizmin politik…
A mund ta lejojnë Demokratët këtë?
A do të ishte mirë për arenën tonë politike dhe qytetare?
Jo!, asnjëra nuk do të pranohej. Atëherë demokratët kanë marr përsipër të gjejnë rrugën. Kthimi i Berishës në krye të PD është menduar si mundësia më e sigurt. Vetë zoti Berisha ka deklaruar para dy ditësh se ‘Basha duhej të ishte larguar më parë!”…
Por tani një pjesë e të mbeturve rreth Bashës në PD nuk e duan. ‘Më mirë një PD- kasolle se një Parti e madhe!’- sipas psikozës së tyre. Vetë Basha ka nisur të lëvizë ‘gurët’ duke angazhuar njerëzit rrotull që të thonë se ‘Berisha nuk do të kthehet, ai ka deklaruar”. Të tjerë thonë “Berisha këtu është, deputet!”. Më në fund Basha ka nisur të angazhojë edhe ‘armiqtë’ e tij që të thonë “Jo, Berishës!” me qëllim që të bëhen më të besueshëm. Besnik Mustafaj, një ministër i Berishës dhe kundërshtar i Bashës, pas një takimi dje me Bashën, sot deklaroi se ‘Nuk është nevoja që Berisha të kthehet në PD’. Reagime të tilla pritet të shtohen, sa më shumë të afrohet koha për të bërë realitet një projekt të dobishëm…
Berishën nuk e duan ata që gjetën rehat rreth Bashës, por nuk bëjnë asgjë për politikën e djathtë; dhe ata që u prishet ‘terezia’ nëse PD do të kthehet në opozitë dhe jo shërbëtore e qeverisë…/Veritas.com.al/