Kush po sillet si pushtues për Reformën në Drejtësi, zoti Petrit Vasili?
Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili deklaron se zbatimi i reformës në drejtësi duke shkelur Kushtetutën është një proces i rrezikshëm dhe antikushtetues. Në një reagim në Facebook, kreu i deputetëve të LSI thotë se çdo tentativë jashtë ligjeve të miratuara me konsensus është kapje e drejtësisë nga qeveria. Petrit Vasili nga Washingtoni ku ndodhet për vizitë zyrtare shkruan se “Të huajt, cilido qofshin, nuk mund të sillen si pushtues dhe të bekojnë kapjen e drejtësisë nga kanabisi i kryeministrit. Ka vetëm një kushtetutë, dhe as kuvendi dhe asnjë mision i huaj nuk kanë as më të voglën mundësi ta tjetërsojnë dhe interpretojnë pasi kushtetuta nuk jua jep këtë të drejtë”.
A mund ta shkruajë troç zoti Vasili, për popullin e thjeshtë, se cilët janë këta të huaj në Tiranë të cilët po sillen si “pushtues” dhe që po ndihmojnë “Republikën e kanabisit të Edi Ramës”?
Kreu i deputetëve të LSI u bën thirrje ndërkombëtarë që të mos lejojnë kapjen e drejtësisë.
Deklarata e plotë e Petrit Vasilit:
Kanabizohet reforma në drejtësi. Thirrjet për konsensus të natës së fundit janë shumë të vonuara dhe shërbejnë vetëm si alibi e kapjes së drejtësisë.
Zbatimi i reformës në drejtësi ka hyrë në rrugën shumë të rrezikshme të antikushtetutshmerisë dhe antiligjit, që demonton shtetin e së drejtës dhe instalon një pushtet të kriminalizuar të antiligjit.
Reforma në drejtësi është e qartë, e zeza mbi të bardhë, në kushtetutën e miratuar me 140 vota në Kuvendin e Shqipërisë dhe duhet zbatuar pa lëvizur asnjë presje.
Çdo devijim nga kushtetuta rrënon reformën në drejtesi e kthen atë në një antireformë dhe provon qartë kapjen nga kryeministri dhe qeveria.
Të huajt, cilido qofshin, nuk mund të sillen si pushtues dhe të bekojnë kapjen e drejtësisë nga kanabisi i kryeministrit. Ka vetëm një kushtetutë, dhe as kuvendi dhe asnjë mision i huaj nuk kanë as më të voglën mundësi ta tjetërsojnë dhe interpretojnë pasi kushtetuta nuk jua jep këtë të drejtë.
Shqipëria është Republikë kushtetuese dhe jo Republikë e kanabisit.
Po, kryeministri, qeveria dhe kushdo tjetër…..që kërkon të shkelet kushtetuta është si ata ( Petrit Vasili)
Deklarata e Lulzim Bashës:
“I vetmi “pakt” që ka nevojë Shqipëria është pakti për Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Kushtet që BE ka vendour për Shqipërinë janë të qarta: zbatimi i reformës në drejtësi dhe vetingu; lufta kundër drogës dhe krimit; lufta kundër korrupsionit; reforma e administratës publike; respektimi i të drejtave themelore të njeriut.
Në mbështesim pa asnjë kusht përpjekjen për përmbushjen e secilit prej këtyre kritereve.
- Në mbështesim pa asnjë rezervë zhbllokimin e menjehershëm të reformës në drejtësi dhe krijimin e KLP-së për t’i hapur rrugën krijimit të SPAK-ut dhe të byrosë së hetimit dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm në mënyrë kushtetuese, pasi të ketë kaluar vetingun dhe me tre të pestat e Kuvendit.
- Ne mbështesim heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit dhe hetimin e tij si çdo qytetar i thjeshtë për lidhjet me trafikun e drogës. Mbështesim pa kushte hetimin e të gjithë zyrtarëve të lidhur me krimin nga Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini tek shefat e policisë. Mbështesim arrestimin dhe hetimin e grupeve kriminale nga Habilajt tek Balilajt.
- Ne mbështesim pa asnjë rezervë hetimin dhe luftën kundër korrupsionit, përfshi koncesionet në shëndetësi, në inceneratorë, në PPP, e kudo.
- Ne mbështesim pa asnjë rezervë të drejtat e qyterarëve, liritë dhe pronën e tyre kundër ndërhyrjeve arbitrare.
Ne do japim kontributin tonë në Kuvend dhe në institucione për këtë gjë. Por detyra jonë është të bëjmë opozitë, çfarë është rol themelor dhe i domosdoshëm për funksionimin e demokracisë, kufizimin e pushtetit dhe mirëqeverisjen e vendit.
Shqipëria nuk duhet të ketë demokraci fasadë dhe nuk duhet të ketë partitë dhe tavolinat partiake mbi Kushtetutën dhe mbi institucionet”.
Por në darkë Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka komentuar qëndrimin e shprehur nga ambasadorët e BE dhe SHBA se Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm duhet të zgjidhet me shumicë të thjeshtë nga parlamenti aktual. Basha thotë Kushtetutën e Shqipërisë mund ta lexojnë të gjithë, por interpretimi i saj nuk është detyrë as e ambasadave dhe as e misioneve që ndihmojnë institucionet shqiptare si Euralius dhe OPDAT.
“Interpretimi i Kushtetutës nuk është detyrë e ambasadave dhe as e misioneve ndihmëse. Ka një nen në Kushtetutë që thotë se “prokurorin e ri e zgjedh KLP. Kjo ishte një skemë e Fatmir Xhafës për ta ngatërruar çështjen me shumë institucione për ta vonuar sa më shumë reformën dhe për ta kapur atë. Xhafaj u betua se ne i kemi resurset, por sot duket që ka dështuar. Ku është Vetingu? Pse nuk po nis Vetingu? Ne jemi që çështja të zgjidhet përmes Kushtetutës dhe nuk ka arsye që këtë të na e lexojë askush” – tha Basha në një intervistë për “Të Paekspozuarit”.
A do të ulet ai në një tryezë me Ramën për të zgjidhur këtë ngërç? Basha është i prerë dhe refuzues.
“Nuk ka asnjë shpresë që unë të ulem me Ramën në këtë lëmsh antikushtetues. Vendi është në krizë politike, institucionale, politike, sigurie dhe stabiliteti. Paratë e drogës po hyjnë në ekonomi duke blerë koncesione dhe duke marrë investime. Kjo është një krizë totale dhe ky thotë “hajde ulemi të gjithë”. Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të caktohet nga asnjë parti politike. Prokurori i ri mund të vijë nëpërmjet Vetingut. Ai nuk mund të jetë një lepurush që del nga kapelja e Ramës”– e mbylli Basha.