Kush urdhëroi sot blerjen masive dhe zhdukjen nga tregu të “KOHA JONE”?
Sot gazeta “Koha Jonë” botoi shkrimin e paralajmëruar “Saimir Tahiri “Bruti” i Edi Ramës”. Kishim një dyshim se segmente të cilat preken fort nga ky shkrim edhe mund të tentonin të ndërmerrnin bllokimin e shpërndarjes apo siç bën zakonisht mafia vendase, kur nuk arrin të bllokojë botimin e një shkrimi, e blen në pikat e shitjes krejt tirazhin që në mëngjez. Pra që lexuesi të mos e marrë gazetën, e cila ka botuar një shkrim për ministrin e brendshëm dhe për kryeministrin. Por mënyra të tilla ishin dikur ndër vitet 1992-1999 disi efikase, por tani ka edhe një teknologji tjetër që e fut online dhe prapë efektin e mbart shkrimi.
Po përse i privoni lexuesit e shtypit të shkruar nga e drejta e informimit? Ose më saktë kush ka urdhëruar këtë veprim: ministri i Brendshëm Tahiri apo kryeministri Rama? Nuk janë veprime normale, përkundrazi vetëm e rrisni tensionin mes palës tuaj dhe “Koha Jone”, e cila për fat sivjet bën 25 vjet si media e pavarur.
“KOHA JONE” ka kaluar plot momente tensioni e presioni me pushtetet , ndaj nuk don t’ia dijë edhe për këtë harbuteri të fundit pushtetore. Ne informojmë dhe komentojmë,siç e mendojmë, dhe nuk pyesim për pushtetet e radhës, sepse që nga maj 1991 kemi shkruar për shumë kryeministra e pushtetarë. Dhe jemi prapë në treg, edhe ndonëse të djegur nga ndonjë pushtet.