Kushtetuta u dhunua!

Përballë aktit më të rëndë ndaj Kushtetutës, Presidenca është institucioni i vetëm që ka mbetur si gardian i ligjit themeltar të shtetit dhe ruajtjes së interesit të qytetarëve. Në reagimin e parë nga kreu i shtetit për votimin e djeshëm në Kuvend, Presidenti Ilir Meta foli për bandë pengmarrësish dhe akte që cenojnë seriozisht paqen sociale dhe stabilitetin e vendit. Mesazhi i kreut të shtetit është i qartë për qytetarët dhe ndërkombëtarët. Me ndryshimin e Kushtetutës, qeveria “Rama” kapërceu çdo limit të akteve politike dhe duhet të marrë një përgjigje të qartë nga qytetarët.

Partia Socialiste me opozitën false në Kuvend vendosi dje ndryshimin e njëanshëm të Kushtetutës. Votimi me 106 vota do të hyjë në historinë e parlamentarizmit shqiptar si një nga aktet që rrëzon themelet e demokracisë dhe i kthen zgjedhjet në një proces të manipuluar ende pa u mbajtur. Ndryshimet u mbrojtën nga kryeministri Edi Rama dhe deputetët anonimë në Kuvend si një “hap historik” që hap listat dhe i “jep vlerë reale votës” duke ndaluar koalicionet parazgjedhore. Të dyja këto gjasme arritje historike janë një mashtrim me të cilin Edi Rama po manipulon ndërkombëtarët dhe po tërheq për hunde deputetët që mendojnë se po bëjnë reformë zgjedhore.

Listat hapen vetëm pjesërisht, 1/3 e tyre dhe ndalimi i koalicioneve nuk i jep vlerë votës, por u heq të drejtën qytetarëve për të votuar sipas bindjeve të tyre. Ky akt që Edi Rama e quajti reformë historike është shkatërrimi më i madh që një kryeministër dhe parti politike u ka bërë zgjedhjeve në Shqipëri. Votimi i djeshëm për mënyrën si u krye dhe legjitimitetin e cunguar të këtij parlamenti nuk e ka ndryshuar, por e ka përdhunuar Kushtetutën. Ligji themeltar i shtetit, i miratuar me referendum popullor nga shumica e shqiptarëve në vitin 1998, u ndryshua në mënyrë të njëanshme nga një parti politike, si asnjëherë tjetër më parë në historinë e vendit. Votimi në Kuvend për ndryshimet Kushtetuese është i jashtëligjshëm, pasi Kuvendi nuk ka 140 deputetë, siç parashikon vet Kushtetuta, por vetëm 82 të ligjshëm. Pjesa tjetër e atyre që ngritën kartonët kanë hyrë në Kuvend si shtojca të qeverisë dhe nuk përfaqësojnë opozitën. Fatkeqësisht dje treguan se nuk përfaqësojnë veten e tyre si individë politikë, por vetëm interesa korruptive të rilindjes. Votimi rrëzoi marrëveshjen 5 qershorit me opozitën reale dhe në këtë mënyrë Edi Rama ekzekutoi çdo shans për konsensus dhe dialog në të ardhmen. Thirrjet e djeshme të kryeministrit për bisedime me opozitën ishin një tallje me negociatat dhe ambasadorët që ishin garantë të procesit. Kryeministri hoqi çdo mundësi në të ardhmen për marrëveshje politike dhe duke shkatërruar institucionin e dialogut pozitë-opozitë. Me vendosjen para faktit të kryer të ndryshimeve kushtetuese, për çfarë duhet të negociojë më Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili në Këshillin Politik? Pasi është vrarë reforma zgjedhore Këshilli Politik mund të negociojë vetëm detajet e varrimit, sigurisht edhe kjo pjesë “negociatash” duhet bërë me garancinë e ambasadorëve, të cilët tani janë dëshmitarë gjysmë të heshtur të krimit të rilindjes.

Këtë dhunë dhe masakër ligjore ndaj Kushtetutës mund ta kishte ndaluar Gjykata Kushtetuese. Edhe gjyqtarët e dalë nga vettingu personal i paradhomave të Kryeministrisë nuk do të ishin aq të marrë sa të pranonin vendosjen e një diktature me vota të jashtëligjshme të Kuvendit. Por Gjykata Kushtetuese ka vite që është eliminuar nga Rilindja dhe sot kuptohet arsyeja se përse PS-ja shkatërroi fillimisht gjykatat, për të rrëzuar më pas themelet e republikës dhe demokracisë.

“Ndryshimi i dhunshëm i Kushtetutës asgjësoi marrëveshjet konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit që mundësuan një proces dhe produkt gjithëpërfshirës, duke hedhur përsëri në erë mirëbesimin ndërmjet palëve, paqen sociale në vend dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës dhe projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane. Asnjë bandë pengmarrësi s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti”,- deklaroi kreu i shtetit, Ilir Meta.

Edhe Opozita reale doli dje me një deklaratë ku theksoi se marrëveshjet i zhbëri Edi Rama e tani mbetet vetëm përballja me pushtetin e tij./M. Xhani/

 

SHKARKO APP