Lajm i madh: Blendi Fevziu pajtohet me Sali Berishën!

Mediat televizive dhe portalet po japin lajmin sensacional se u pajtuan Blendi Fevziu me ish-kryeministrin Sali Berisha. Protesta e opozitës dhe revolta e banorëve ndaj tarifës së Rrugës së Kombit ka kaluar në plan të dytë.

Tashmë Shqipëria mund të jetë më e qetë dhe pa konflikte sociale!

“Takimi i fundit i gazetarit Blendi Fevziu me ish-Kryeministrin Sali Berisha është përfolur dhe komentuar nga mediat online si një ritakim domethënës mes tyre, pas një “ftohjeje” prej disa vitesh.

Por, sot gazetari i ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan foli rreth këtij takimi, ku sqaroi se takimi mes tyre nuk ka patur si temë ndonjë ftesë për në emision, apo diskutimet për zhvillimet në Shqipëri. Fevziu tregoi se në takimin me Berishën kanë diskutuar për politikat e jashtme, duke e quajtur takim kortezie, që përkoi në fakt me vizitën në Tiranë të ish-Kryeministrit të New York Rudy, Giuliani.

Gjatë emisionit Fevziu sqaroi se me Berishën ka pasur ndalim komunikimi dhe nuk ka asnjë zënkë mes tyre.

“Jo s’kam biseduar fare për programin, as për probleme të ditës apo politike. Ka qenë një kafe kortezie, pothuajse e gjithë biseda ka qenë e fokusuar tek politika e jashtme. Kam folur për problemet që janë në qendër të vëmendjes kohët e fundit, siç janë raportet mes Turqisë dhe Bashkimit Europian. Nuk kam folur as për programin, as për ftesë, ka qenë një kafe kortezie shumë korrekte. Në Shqipëri është bërë zakon që çdo gjë e kthejnë në lajm dhe portalet ndjekin njëri-tjetrin.

Një takim është i rëndësishëm për të dy personat që takohen. Dikush e konsideron të rëndësishëm për emisionin, dikush tjetër për një gjë tjetër. Ky ishte një takim mes dy personave që në fund të fundit kanë raporte mes tyre, nuk ka rëndësi si mund të jetë raporti. Nuk kishte ndonjë gjë për t’u kthyer në lajm. Berisha ka një ftesë të hapur për të ardhur në emision, por unë nuk kam hyrë në këto biseda. Unë nuk kam patur zënie me Berishën, por ndalim komunikimi për arsye të rrethanave të krijuara nga emisioni. Nuk më ka telefonuar më, më pas as unë nuk e kam telefonuar sepse dy-tre telefonatave të fundit nuk i është përgjigjur. Kaq ka qenë historia. Nuk kemi bërë fjalë dhe nuk jemi sharë. U takova në një kafe dhe nuk bëhet fjalë për tjetër gjë”, tha Fevziu”- shkruan Tv Klan.

(Marrë nga www.folshqip.al)

http://folshqip.al/lajm-i-madh-blendi-fevziu-pajtohet-me-sali-berishen/

 

SHKARKO APP