Lançohet versioni i ri i aplikaconit “Tirana ime” 2.0, për nevojat e qytetarëve

Lançohet versioni i ri i aplikaconit “Tirana ime” 2.0, për nevojat e qytetarëve

“Tirana ime” platforma e parë digjitale për kryeqytetin, e krijuar për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve dhe vizitorëve të saj, erdhi si një bashkëpunim i suksesshëm mes Bashkisë së Tiranës dhe Vodafone Albania, në shkurtin e 2016-ës.

“Tirana ime” 2.0 është versioni i ri i rikonceptuar për t’iu përshtatur më mirë nevojave të qytetarëve, për të sjellë një eksperiencë të përmirësuar në përdorimin e aplikacionit, krahas përditësimit dhe ridizenjimit të rubrikave ekzistuese si: Raporto, Paguaj Parkimin, Transporti, Turizimi, Trafiku, Harta e mbjelljeve të pemëve etj.

Gjatë prezantimit të këtij versioni të ri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se me këtë version, çdo informacion do të jetë edhe më lehtësisht i aksesueshëm. “Sot, qyteti ka më shumë dimensione, sesa thjesht mbledhja e plehrave, mbjelljen e pemëve apo një infrastrukturë që nuk funksionon. Qyteti ka dimensione të mëdha turistike sepse këtë vit kemi bumin më të madh turistik që ka parë ndonjëherë Tirana, edhe përpara Covid-19. Ende nuk ka mbaruar viti dhe në aeroportin e Rinasit po i afrohemi shifrës 7 milionë udhëtarë. Ende pa mbaruar viti, në Tiranë kemi pasur më shumë vizitorë se sa banorë. Ende nuk ka mbaruar viti dhe hotelet e Tiranës jo vetëm janë plot, por edhe AirBnB, ose shërbimet e tjera alternative, po kalojnë çdo lloj kapaciteti. Mbërritja në këtë nivel kërkon gjithashtu që ne të bëjmë një ‘upgrade’ të marrëdhënies tonë dhe aplikacioneve tona”, tha ai.

Drejtoresha e përgjithshme e “Vodafone Albania”, Katia Stathaki, tha se “Versioni i dytë i këtij aplikacioni fantastik është rezultat i një përpjekjeje të madhe në skuadër. Ai tregon, si vendosmërinë dhe vullnetin e lidershipit të Tiranës për t’u ofruar qytetarëve të saj shërbime digjitale, ashtu edhe mbështetjen e Vodafone Albania për ta vënë teknologjinë në shërbim të njerëzve. Qytetet e sotme ofrojnë mundësi të panumërta për inovacion dhe transformimin digjital të shoqërisë. Dhe përmes transformimit digjital, ne mund të sigurojmë një të ardhme urbane më të qendrueshme dhe fleksibël, por që përshtatet gjithashtu më lehtësisht me sfidat dhe ndryshimet. Për të krijuar qytete më inteligjente, qeveria dhe administrata duhet të përqafojnë partneritetet publik-privat, e të përdorin të gjithë talentin dhe kapitalin e nevojshëm për t’u përballur me sfidat që na presin. Jam e lumtur dhe entuziaste të vazhdoj bashkëpunimin me liderin vizionar të Bashkisë, për ta ndihmuar këtë të fundit të realizojë këtë vizion dhe të zhvillojë teknologji e shërbime informacioni që i shërbejnë akoma dhe më shumë qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë”, u shpreh ajo.

Që nga prezantimi i parë në 2016-ën, ky aplikacion është përdorur nga 130 mijë përdorues, ndërsa numri i problematikave të raportuara ka kaluar në 40 mijë, probleme këto që janë trajtuar dhe zgjidhur në kohë të shkurtër, duke e bërë aplikacionin “Tirana ime” një kanal shumë të rëndësishëm komunikimi online, për qytetarët dhe turistët e kryeqytetit.

SHKARKO APP