Lëvizja e Kokëdhimës në një video. Populli duke i puthur dorën Koços
Takimet e politikanit Koço Kokëdhima me socialistët e bazës në Vlorë dhe Sarandë janë pasqyruar në emisionin “Të Paekspozuarit” në “News 24”, ku përmes një raporti filmik shfaqet lëvizja e re që ai ka filluar brenda Partisë Socialiste.
“Miqtë e mi! Të enjten në mbrëmje isha i ftuar në studion e emisionit ‘Të Paekspozuarit’. Në fillim të bashkëbisedimit me gazetarët Ylli Rakipi, Artur Zheji, Andi Bushati dhe Çim Peka, u transmetua një raport filmik i përgatitur nga televizioni ‘News 24’ për takimet e mia me socialistët e bazës në Sarandë dhe Vlorë. Ju ftoj ta ndiqni!”, shkruan Kokëdhima në “Facebook”.
Por lëvizja e tij politike po krijon frikë në kupolën e PS-së. Shikoni sa e do populli Koçon! Njërëzit në radhë për t’i puthur dorën Kokëdhimës. Aq seriozisht e ka marrë vetë Koço këtë lëvizje politike sa vetë media e tij e ka botuar këtë foto ku një grua përulet duke i puthur dorën Koço Kokëdhimës. Në selinë rozë Edi Rama tregojnë se e ka marrë me shaka këtë lëvizje të ish-mikut të tij. Gramoz Ruçi e ka përqeshur dhe ka shtuar se mund te ketë probleme të tjera ish-deputeti dhe duhet vizituar. Por Koço duket i vendosur, stoik dhe nuk ndalon. Ka plane të mëdha për PS-në. Paraqitja e këtij dokumentari në median e tij tregon se ai akoma nuk e beson se është përjashtuar nga PS de facto.
Por ka edhe një dilemë të madhe në lëvizje të tij duke e lidhur me miqësinë e vjetër me Edi Ramën si dhe me faktin publik ku në Kongresin e PS-së ai ishte i vetmi deputet që kërkoi të votohej direkt nga Kongresi, duke e ndjerë se mund ta humbiste mandatin e deputetit siç edhe e humbi. Si rregull kur je deputet zgjidhesh automatikisht direkt anëtar i Asamblesë së PS-së, por Edi Rama urdhëroi Blendi Klosin i cili drejtonte seancën e votimit në Kongres që Koço të futej në listën e votimit të Kongresit.
Ndaj nisur nga këto si dhe mos’sulmi direkt i Koço Kokëdhimës kundrejt Edi Ramës me emër ka krijuar dyshime se mos është ndonjë lojë dyshe Rama-Kokëdhima për të spastruar PS-në tradicionale. Pra duke qenë basketbollist Rama pret që topin t’ia ngrejë Koço me këtë lëvizje dhe “koshin” e bën Edi Rama. Pra u thotë Ruçit, Xhafës, Dokles, Dades, Toçit, Finos,etj se baza kërkon reformim, pasi Kokëdhimën po e pret baza socialiste.
Një dyshim i tillë ka filluar të endet nëpër PS, duke ditur raportet tepër miqësore të tyre. Aq me tepër në sensin figurativ, siç kjo grua në foto puth dorën e Koços, edhe Edi Rama “puthte” dorën e Kokëdhimës, dikur.
Por kush njeh mirë Koço Kokëdhimën mund të mendojë se kjo mbetet pjesë e delirit të tij si Udhëheqës, pas Enver Hoxhës.