Lideri i Opozitës,Basha:”Do reagojmë kundër Ramës!”.Pyetja është: Kur?
Pas mbledhjes se grupit parlamentar demokrat, kreu i opozitës Lulzim Basha hodhi dje akuza të rënda në adresë që qeverisë. Sipas tij, vendi nuk mund të cilësohet më si normal dhe shoqëria jeton në një “republikë narko-trafiku”. Kreu i PD-së tha se vetëm në një muaj janë kapur 7 tonë hashash, ndërkohë që nga institucionet nuk ka asnjë reagim. Për Bashën, Kryeministri Edi Rama, në vend të marrë masa për drogën, ka marrë në mbrojtje trafikantët.
Akuza tjetër e Bashës është ajo e drekriminalizimit. Sipas tij, institucionet dhe mazhoranca nuk po zbatojnë ligjin e largimit të njerëzve me precedentë penalë. Ndërkohë që problemet e tjera me maturantët, korrupsionin dhe mungesën e zbatimit të ligjit, sipas Bashës e çojnë vendin në një gjendje emergjente.
Përballë kësaj situate, Basha tha se opozita do të reagojë ndaj keqqeverisjes, drogës, korrupsioni dhe deligjitimimit të Parlamentit. Në prononcimin e dhënë për mediat, kreu i PD-së nuk tha se cila do të jetë mënyra e aksionit opozitar. Por i la të hapur të gjitha opsionet, që nga bojkoti i Kuvendit, e deri tek protestat e qytetarëve. “Po diskutojmë të gjithë skenarët e mundshëm…. Së bashku me qytetarët do të vendosim se me cilën formë aksioni do të përballemi me këtë regjim narko-trafikantësh që e quan veten qeveria e Shqipërisë”,- tha Kreu i PD-së.
Fjalimi i djeshëm i Bashës nuk është ndër më të ashprit, pasi as fjalën protesta dhe rrëzim qeverie nuk e përmendi. Në qëndrimin e tij u theksua fakti se opozita do të reagojë ndaj qeverisë “Rama”. Në këtë rast, pyetja publike që shtrohet ndaj kreut të PD-së është: Kur? Kur ka ndërmend opozita të reagojë? Si do të reagojë? Me konferenca shtypi? Me Facebook? Me stil të kujdesshëm se mos thyhet ndonjë xham apo se duhet protestuar pa thyer edhe kazanët e plehrave?!
Në tre vitet e mandatit në krye të PD-së, Basha dhe drejtuesit e tjerë të opozitës kanë përdorur gjithmonë tone të ashpra, por vetëm nga selia e PD-së. Kanë folur për revolucione, protesta, largim të qeverisë dhe greva të përgjithshme. Në fund, protestat kanë përfunduar vetëm me djegien e një bunkeri që nuk e rrëzuan dot të Ministria e Brendshme.
Prej një viti thonë se nuk kanë garanci për zgjedhje të lira, të ndershme dhe kërkuan reformë zgjedhore. Tashmë që koha e zgjedhjeve po vjen, nuk janë në gjendje të sqarojnë sesi e duan reformën zgjedhore dhe praktikisht do shkojnë në votime me të njëjtën skemë. Si pra?
Prej gati një viti PD dhe opozita kanë nisur fushatën kundër kanabisit, i cili është një nga problemet me serioze me të cilat po përballet vendi sot. PD akuzon se pas gjithë trafikut janë zyrtarët e policisë dhe madje edhe vetë Kryeministri. Basha tha dje se nuk ka më Republikë. Pasi është thënë kjo deklaratë, nuk ka më kohë për të menduar si duhet të reagojë opozita. Nëse gjërat në vend janë vërtetë ashtu siç pretendon PD-ja, çështja është çfarë po pret Basha për të reaguar. Pasi ka humbur rregullisht në përballjet e vogla elektorale dhe në betejat në Kuvend, nuk dihet çfarë po pret më PD-ja.
Thuhet se Edi Rama po e kthen vendin si Kolumbia e dikurshme me klane droge, por asnjë demonstratë nuk kemi parë tash sa kohë. Thuhet se nuk do të hyjnë në zgjedhje me Ramën kryeministër, por vetëm deri tek dera e selisë blu kanë shkuar demokratët. Deklarojnë se krimi ka kapur shtetin, por nuk kemi parë përplasje të popullit opozitar me pushtetin që ta tund e ta rrëzojë pushtetin. Kemi dëgjuar Jozefina Topallin në parlament kur i tha kryeministrit se të isha unë (nënkupto lidere) do të rrethoja parlamentin me popull.
Thuhet, deklarohet, pompohet nga selia blu se do të bëjnë namin, por deri dje nuk kemi parë gjë popull opozitar as në rrugë e as në oborrin e parlamentit. Bile as tek bari i kryeministrisë ku Edi Rama ka mbjellë bar dhe thotë me humor nëpër kafene se “ Demokratët e Bashës as barin e kryeministrisë time nuk guxojnë ta hanë!”.
Opozita është platformë, është ekip që konkuron për të ardhur në qeverisje, është frymë, është zemër e madhe që shtyp çdo tirani, është zjarr që përvëlon krimin dhe pushtetin e mafias. Nuk kemi parë opozitë të tillë vitin e fundit. Më vonë do të jetë shumë vonë !
Spiten Prulli