LIGA E KAMPIONËVE – PSG luan si në regbi, Arsenali si në basketboll. Kush do ta fitojë Champions-in?
Një pyetje lind për finalen e ardhshme të Champions League, mes PSG-së dhe Arsenalit, që do të zhvillohet në Budapest: a do të luhet me një top ovale apo me një top me rripa? Kjo pasi Luis Enrique pëlqen të frymëzohet nga regbia, ndërsa Mikel Arteta ka marrë shembull nga basketbolli. Kujtoni finalen e fundit? Në vërshëllimën e fillimit, Vitinha goditi topin jashtë, pranë një prej flamujve afër Sommer. Ky nuk ishte një gabim, por një “touch” regbie, sinjali i sulmit të “apashëve”. Në fakt, francezët u derdhën masivisht për të presuar rivënien anësore të Interit dhe nuk u ndalën më, duke i shkaktuar humbje kundërshtarit.
Të mërkurën, Luis Enrique e përsosi “djallëzinë” e tij. Në avantazh pas vetëm 3 minutash, PSG-ja u tërhoq, e gatshme t’i bënte ballë rrethimit të Harry Kane. Nëse, me çdo top të rikuperuar, portieri do ta kishte dërguar gjatë, ai do t’i ishte kthyer menjëherë, sepse gjermanët ishin të pamposhtur në duelet ajrore. Atëherë Luis urdhëroi “touch”-in te Safonov, i cili dukej se gabonte të gjitha rivëniet. I presuar në rivënien anësore, Bayerni harxhonte shumë më tepër kohë për t’u riorganizuar në sulm.
Nga ana tjetër, “shpirti i zi” i Arsenalit quhet Nicolas Jover, bashkëpunëtor i Mikel Artetës dhe strateg i goditjeve standarde. Saka dhe Rice godasin korneret me kurbë nga brenda, ndërsa lojtarët e Arsenalit që kërcejnë lëvizin nga shtylla e dytë te e para. Ndërkohë, shokët e skuadrës vendosin “blloqe basketbolli” mbi portierin dhe mbrojtësit kundërshtarë, duke liruar kështu sulmuesin Gabriel. Askush nuk ka shënuar aq shumë sa Arsenali nga goditjet standarde. A do të fitojë “regbisti” Luis Enrique apo “basketbollisti” Arteta? Shpresa është që në Hungari, tokë e violinave, të ringjallet magjia teknike e Kombëtares së Puskas dhe të fitojë futbolli i vërtetë.
Marrë nga La Gazzetta dello Sport
KOHA JONË SONDAZH

