Rama mbledh Kryesinë e PS-së, de facto Koço Kokëdhima përjashtohet

Kryesia e Partisë Socialiste është mbledhur sot pasdite për të diskutuar për projektligjet e parashikuara në punimet parlamentare të seancës plenare të së enjtes. Kryesia u mblodh rreth orës 18:00 në selinë e Partisë Socialiste. Mësohet se ish-deputeti Koço Kokëdhima nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Kryesisë. Ndonëse ai është Sekretar për Reformën Strukturore dhe Emigracionin, ish-ligjvënësi i majtë nuk është vënë në dijeni për mbledhjen.

I pyetur për ‘News24’, Kokëdhima theksoi se: “Nuk kam marrë asnjë njoftim për mbledhje”.

Prej kohësh Kokëdhima është distancuar nga roli i tij brenda PS-së, ndërsa shpesh herë në media është përfolur për një marrëdhënie jo të mirë me kryeministrin Rama.

Megjithatë, mosnjoftimi për mbajtjen e mbledhjes është rasti i parë kur Kokëdhima përjashtohet direkt nga forumet e Partisë Socialiste, edhe pse nuk ka një vendimmarrje zyrtare. Zyrtarisht, siç duket edhe në faqen zyrtare të PS-së, Kokëdhima vazhdon të jetë Sekretar për Reformën Strukturore dhe Emigracionin.

Ndërkohë, në linjën e përjashtimit të Kokëdhimës nga PS dhe uljes së ndikimit të tij në opinion është dhe vendimi i fundit Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).

Ky institucion ka hequr licencën për “Radio +2”.  Në njoftimin zyrtar, AMA bën të ditur se në mbledhjen e ditës së premte, është vendosur “Mosrinovimi i licencës së shoqërisë “Radio +2” sh.a. për subjektin radiofonik privat kombëtar “Radio +2”.

“Radio +2” është një kompanitë e para mediatike të ish-deputetit Koço Kokëdhima

Ajo ka filluar transmetimin në shkurt të vitit 1998 dhe bordi drejtues i AMA ka vendosur që të mos ja rinovojë më licencën për shkak të mos përmbushjes së kushteve. Në thelb të arsyetimi i vendimit ishte “mosrespektim i kushteve të licencës në ofrimin e shërbimit”.

Por dihet se AMA nuk guxon të marrë asnjë vendim pa lejen e kryeministrit Rama. As në qeverisjen e PD-së sado armik me Berishën ishte Kokëdhima nuk guxoi njeri ti hiqte liçensen. Duket se marrëdhëniet mes njeri tjetrit kanë shkuar shumë larg dhe shumë keq.

kryesia-e-ps

SHKARKO APP