Ligji për koncesionet. Vasili, letër Ruçit: Ktheji dinjitetin Kuvendit

Lëvizja Socialiste për Integrim ka propozuar dy vite më parë ndryshime në ligjin për koncesionet. Amendamentet e LSI synojnë të bëjnë transparencë për shumë prej kontratave të debatueshme që qeveria ka firmosur me firma private, të cilat marrin para nga buxheti për të bërë shërbime publike.

Por drafti i LSI edhe pas shumë kohësh, në kundërshtim me rregullat e parlamentit, është shmangur nga komisionet e Kuvendit dhe nuk është futur në rend dite. Për këtë qëllim, kreu i deputetëve të LSI, Petrit Vasili në një letër dërguar kryetarit të Parlamentit, Gramoz Ruçi kërkon që të Kuvendi të mos shkelë me rregulloren duke anashkaluar qëllimisht propozimin e ligjvënësve të opozitës.

Në letrën e tij, Vasili thotë se projekti i LSI-së është shtyrë qëllimisht nga mazhoranca. Ai i kujton kreut të Kuvendit se shqyrtimi i nismave ligjore nuk është favor politikë, por detyrë e Kuvendit.

Duke kërkuar reagimin institucional të kreut të Kuvendit, Vasili shprehet se zbatimi i rregullores është detyrë e kryetarit të Parlamentit.

“Unë i kuptoj ndjeshmëritë dhe njëanshmëritë tuaja për mazhorancën që ju ka zgjedhur, por ju kujtoj se administrimi i jetës parlamentare në respekt të Rregullores së Kuvendit është detyrë e juaja”,- shkruan ndër të tjera Petrit Vasili.

Kreu i deputetëve të LSI-së kërkoi nga kryeparlamentari nxjerrjen e personave përgjegjës që kanë bllokuar diskutimin e projektit të kësaj force politike.

(LETRA E PLOTË) GRUPI PARLAMENTAR I LËVIZJES SOCIALISTE PËR INTEGRIM

Lënda: Kërkesë

Drejtuar: KRYETARIT TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË, Z. Gramoz RUÇI

I nderuar Kryetar,

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim nisur nga:

-Shqetësimet e mëdha që kishin lindur lidhur me zbatimin e ligjit për Konçesionet dhe  partneritetin publik privat,

-Ndjeshmërinë tepër të lartë publike,

-Mungesën totale të trasparencës në dhënien e koncesioneve dhe klientelizmin e shfrenuar korruptiv qeveritartë lidhur me to,

-Përdorimin e fondeve shumë të mëdha shtetërore në Konçesione teper te dyshimta dhe pa asnjë impakt pozitiv për publikun.

Që në 16 02.2016 ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë nismën ligjore për një PROJEKTLIGJ “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 125/2013 “PËR KONCESIONET DHE PARTNERITETIN PUBLIK PRIVAT”, TË NDRYSHUAR”

Kjo nismë filloi shqyrtimin e saj në parim në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese,por shqyrtimi i mëtejshëm i saj u bllokua në mënyre të njëanshme dhe arbitrare nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste.

Kjo nismë u ridepozitua në shtator të vitit 2017 me fillimin e Legjislaturës së re.

Megjithëse jemi në mbyllje te Sesionit të dytë të Legjislaturës së re kjo nismë vazhdon të bllokohet në mënyre arbitrare dhe arrogante nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese si dhe Komisioni i Ekonomisë  në Kuvendin e Shqipërisë.

Këto komisione në shkelje flagrante të Rregullores së parlamentit kanë bllokuar totalisht shqyrtimin e saj pavarësisht se kjo nismë ka qenë vazhdimisht e miratuar në Programin e Kuvendit dhe në Kalendarin e punimeve te tij edhe me data te përcaktuara.

Kjo situate dëshmon plotësisht se veprimtaria parlamentare nuk udhëhiqet më nga Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë si dhe detyrimet e patjetërsueshme, që rrjedhin nga ajo,por vetëm nga interesat e ditës së maxhorancës e cila praktikisht ka dalë mbi Rregulloren dhe detyrimet që rrjedhin prej saj duke uzurpuar edhe formalisht edhe procedurialisht Kuvendin e Shqipërisë.

Z.Kryetar

Ju dini fort mirë që shqyrtimi i nismave të deputetëve apo të një grupi deputetësh nuk janë një favor, që maxhoranca mundet apo jo t’ja bëje opozitës apo deputetëve të veçantë, por një detyrim i patjetërsueshëm, dhunimi i të cilit e zhbën Parlamentin dhe thelbin demokratik të ekzistencës së tij.

Ndaj kësaj ngjarje, që ka qenë vazhdimisht në sytë tuaj nuk ka pasur asnjë reagim institucional, ndonëse unë, në emër të grupi parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kam pritur me durim, që ky respekt minimal dhe imponim për të ushtruar rregulloren të ndodhte nga Ju.

Për fat të keq kjo nuk ndodhi dhe nisma nuk është marrë fare në shqyrtim edhe sot e kësaj dite ndonëse Ju dhe maxhoranca nëpërmjet jush ka futur per shqyrtim e miratim në Seancë Plenare dhe Komisione Parlamentare, projektligje të qeverise pa fund dhe me procedurë te përshpejtuar.

Unë e kuptoj ndjeshmërinë dhe njëanshmërinë tuaj për maxhorancën, që ju ka zgjedhur,por ju kujtoj se administrimi i jetës parlamentare në respekt të Rregullores së Kuvendit dhe monitorimi i saj janë detyrë e juaja.

Tolerimi i një situate të tillë, kur nisma e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim bllokohet në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e juaja.

Për sa më sipër kërkoj nga ju te evidentoni përgjegjësit dhe përgjegjësitë e kësaj situate tepër të rëndë e të paprecedent në jetën parlamentare si dhe kthimin e funksionimit të Komisioneve Parlamentare jo sipas dëshirës dhe interesit politik të dites së maxhorancës, por në përputhje me rregulloren e Kuvendit.

Eksperienca e gjatë e juaja në jetën parlamentare besoj se është e mjaftueshme, qe ju të ndani me objektivitet dhe pa komplekse, detyrimet parlamentare tuaja si Kryetar i Kuvendit nga ato si një i zgjedhur i maxhorancës. Unë dua të besoj se ky rikthim ndonëse tepër i vonuar i normalitetit në punën e Kuvendit do të ishte jetik jo vetëm për të, por në radhë të parë për qytetarët, që e kanë votuar Kuvendin për të funksionuar si pushtet demokratik dhe përfaqësimi dhe jo si një plaçkë tregu e maxhorancës.

Duke ju falënderuar për vëmendjen,

KRYETARI, Petrit Vasili

Letra e plotë e Petrit Vasilit për Gramoz Ruçin (FOTO)

SHKARKO APP