Ligji për plehrat/ Edi Rama deklaron: Jam i vendosur ta zbatoj me forcë
Ligji i importimit të mbetjeve u bë temë e diskutimit të kryeministrit Rama me shoqatën e ricikluesve. Edi Rama tha se jam i vendosur ta zbatoj me çdo kusht këtë ligji, pasi jemi në rregull me BE dhe ata që sulmojnë mediatikisht dhe politikisht nuk e njohin fare ligjin. Shteti ynë është i fuqishëm-tha Rama- që të kontrollojë çdo mbetje që hyn në territorin e Shqipërisë. Ndaj nuk lejojmë asnjë mbetje tjetër e rrezikshme të hyjë në territor.
Më tej Kryeministri Rama duke u munduar të sqarojë ligjin se është konform rregullit përdori një sqarim që nuk shkonte si krahasim. Ai tha se është njëlloj se sikur po importojmë grurin për të bërë miell për qytetarët!
Ndërkohë duket frika e kryeministrit për protestën e ditës së shtunë, ora 11.00 organizuar nga shoqeria civile në Tiranë, pasi është akoma i freskët shembulli i protestës kundër armeve kimike të cilët detyruan kryeministrin të tërhiqej nga vendimi premtuar SHBA.
Edi Rama me thirrjen e biznesit të mbetjeve të importit dhe riciklimimit tregoi se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga ligji i mbetjeve të importit dhe ka vendosur të përplaset fort me shoqërinë civile, e cila siç ka informacione do jetë me e vendosur se me armët kimike.
Kryeministri Edi Rama tha se shqetësimi i qytetarëve dhe i mediave që i kujtojnë atij “tradhëtinë” që u bëri shqiptarëve në vitin e tretë të pushtetit, ngrihet mbi premise tërësisht spekulative.
Por qytetarët ka ditë që e pyesin Ramën se si është e mundur që në një vend që nuk është i aftë të menaxhojë as plehrat e veta apo të kontrollojë drogën që ka mbuluar vendin, të marrë përsipër të lejonë futjen e plehrave të Europës?
Në tentativën e tij për të qetësuar shqiptarët që po organizohen për protesta popullore masive për ta kundështuar ligjin, Rama u tha ricikluesve se vetë mafia e plehrave është tërësisht kundër riciklimit. Dhe për këtë mori shembull Napolin, por pa dhënë asnjë fakt apo detaj.
Kryeministri ka disa ditë që është i shqetësuar për ligjin që miratoi pa e diskutuar me qytetarët, që 3 vjet më parë mblodhën 65 mijë firma për ta rrëzuar ligjin e importit të plehrave me referendum, firma këto që u mblodhën edhe me ndihmën e deputetëve të Ramës.
Ai akuzohet se këtë ligj e ka miratuar vetëm për interesa të pastra financiare, klienteliste e korruptive dhe se po lejon pikërisht mafian e plehrave të hyjë në Shqipëri.
Shumë analistë tregojnë se vendimi i kryeministrit Rama ka me shumë thelb korruptimi se sa interesi për 3200 punonjës që përfitojnë nga ky biznes. Futja me ligj e importit duket se ka dorë mafia dhe qindra milionë euro të cilat sillen rreth këtij ligji.
Me ironi e sarkazëm ndaj atyre që e akuzojnë kryeministrin për këtë ligj, ai u drejtua në fund të fjalës së tij “Kush do të flasë tani nga mafiozët?”.
Teatri i kryeministrit me ricikluesit vazhdoi me përdorimin e një pedagogie të një universiteti privat. Ajo i ngriti atij shqetësimin për protestën që po organizohet kundër tij, për arsye se ka lejuar me ligj hyrjen e plehrave të huaja në Shqipëri. Roli që i ishte caktuar ishte ai një “kundërshtarje” të moderuar kreut të qeverisë. Ajo u shfaq si përfaqësuese e atyre që kanë dalë në protestë kundër armëve kimike. Kryeministri e vuri edhe më tepër në dukje këtë. “Me sa më shohin sytë, 90 % e juve këtu keni qenë në protestën kundër armëve kimike”, tha Rama për të dhënë idenë se ka ftuar në takim edhe kundërshtarët e ligjit dhe po ashtu për t’u thënë qytetarëve se armët kimike dhe ligji i plehrave nuk janë njësoj. Por pedagogen në fjalë askush s’kujtohet të këtë bërë ndonjë kritikë për ligjin që lejon importin e plehrave. Nëse do të ishte në atë krah, ajo do të ishte duke i kërkuar llogari kryeministrit. Do të ishte rreshtuar me ata që po organizohen për t’u përballur me të në dyert e kryeministrisë dhe jo në rreshtin e garniturës së shou-t të tij. Të tillë “kundërshtarë me porosi” s’bënë gjë tjetër veçse e nxorrën zbuluar kryeministrin, që shirej sikur ka ftuar edhe ata që i ka kundër, kur në të vërtetë ata janë në një tjetër llogore.
Është e qartë se hallin më të madh, kryeministri Edi Rama nuk e ka me pronarët e fabrikave të riciklimit, që janë gati ta falenderojnë nga mëngjesi në darkë për ligjin e ri. Problem është me qytetarët, me ambjentalistët, me shoqërinë civile që nuk kanë asnjë fitim apo interes me importin e plehrave. Këto të fundit Rama i shpërfilli dhe nuk i konsultoi në asnjë moment para se të miratohej ligji në parlament. I vetmi konsultim ndodhi mes Eduart Shalsit dhe Besnik Bares. Tani që qytetarët janë gati të dalin në protesta kundër importit të plehrave, kryeministri ka nisur një fushatë gjoja sqarimi. Për shembull në takimin që pati me pronarët e fabrikave të riciklimit ai i krahasoi importin e plehrave me importin e grurit.
“Këtu bëhet fjalë për mbetje që nuk t’i dhuron askush. Është njësoj si të thuash që gruri për t’u bërë miell nuk duhet të blihet jashtë. Kjo është lëndë e parë që përpunohet dhe sjell përfitim ekonomik përmes një procesi të domosdoshëm” u shpreh Rama që kujdes të bëjë dallimin se nuk flitet për plehra, por për mbetje, lëndë e parë që nuk ta fal askush në Bashkimin Europian.
Mbetet të shikohet se kush do të fitojë nga përballja:Shoqëria civile apo kryeministri Rama!
Kombet e Bashkuara paralajmërojnë: Mbetjet toksike të materialeve elektrike hidhen në vendet e varfra
Miliona telefona celularë, laptopë, tableta, lodra, kamera dixhitale dhe aparate të tjera elektronike të blera këtë Krishtlindje janë të destinuara të krijojnë një përmbytje të rrezikshme “e-mbetjesh” të cilat janë flakur ilegalisht në vendet në zhvillim. Kështu ka paralajmëruar Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Volumi global i mbetjeve elektronike pritet të rritet me 33 për qind gjatë katër viteve të ardhshme, e do të peshojë sa tetë piramida egjiptiane të mëdha, sipas matjeve të iniciativës “StEP” të Kombeve të Bashkuara, e krijuar për të përballuar rritjen e krizës së e –mbetjeve. Vitin e kaluar rreth 50 milionë tonë e-mbetje u gjeneruan në mbarë botën – ose rreth shtatë kilogramë për çdo person në planet. Këto janë mallra elektronike të përbëra nga qindra materiale të ndryshme dhe përmbajnë substanca toksike si plumb, mërkur, arsenik dhe material për ngadalësimin e zjarrit. Për shembull, një kompjuter mund të përmbajë deri në tre kilogramë plumb.
Kur arrijnë në landfill, këto materiale toksike lëshohen në mjedis, duke ndotur tokën, ujin dhe ajrin. Gjithashtu, aparatet shpërbëhen në kushtet e tyre fillestare. Punëtorët që punojnë në këto vende vuajnë vazhdimisht nga probleme shëndetësore, si pasojë e ndotjes.
Një tregues i nivelit të e-mbetjeve të dërguara në vendet në zhvillim u bë i ditur nga Interpoli, javën e kaluar. Sipas Interpolit, gati një në tre kontenier që dalin nga Evropa e që u kontrolluan nga agjentët e Interpolit përmbanin e-mbetje të paligjshme. 40 kompani po hetohen lidhur me këtë fakt.
“Periudha e Krishtlindjeve do të shkaktojë një hov në shitjet dhe mbetjet për rreth botës,” deklaroi Ruediger Kuehr, Sekretar ekzekutiv i StEP.
“Shpërthimi po ndodh sepse ka shumë inovacion teknologjik. Televizora, telefona celularë dhe kompjuterë po zëvendësohen gjithmonë e më shpejt. Jetëgjatësia e një produkti po shkurtohet.”
Sipas, raportit të StEP, e-mbetjet – të cilat përfshijnë që nga frigoriferët e vjetër deri tek lodrat, madje edhe furça elektrike dhëmbësh – janë bërë grupi i mbetjeve që po rritet më shumë. Kina gjeneroi 11.1 milionë ton vitin e kaluar, e ndjekur nga SHBA-të me 10 milionë tonë, por gjithsesi ka një ndryshim domethënës në sasinë e e-mbetjeve për person. Për shembull, mesatarisht çdo amerikan gjeneron 29,5 kilogramë, domethënë pesë kilogramë më pak për person se në Kinë.
Deri në 2017-ën, Ruediger Kuehr pret që volumi i produkteve të prishura apo që nuk përdoren më si televizorë, telefona, kompjuterë, monitorë, lodra elektrike dhe produkte të tjera të jenë të mjaftueshme për të mbushur 15 mijë milje me kamionë 40 –tonësh. Në Evropë, Gjermania shkarkon sasinë më të madhe të e-mbetjeve në total, por Norvegjia dhe Lihtenshtajni hedhin më shumë mbetje për person. Britania është tani e vendi i shtatë në botë duke shkarkuar 1.37 milionë tonë, ose rreth 21 kilogramë për person. Nuk ka shifra nga qeveritë apo industria që të tregojnë se sa shumë eksportohet.
Megjithëse është e ligjshme të eksportosh këto mallra në vendet e varfra nëse ato mund të ripërdoren, pjesa më e madhe dërgohet në Afrikë ose Azi me dëshmi të rreme, thotë Interpoli. “Shumë janë të klasifikuara në mënyrë të gënjeshtërt si “mallra të përdorura”, megjithëse në të vërtet nuk janë më funksionale. Ato shpesh devijohen për në tregun e zi dhe trajtohen si materiale të përdorura për të shmangur kostot që vijnë nga riciklimi i ligjshëm,” shprehet një zëdhënës i projektit. “ Një pjesë e rëndësishme e eksportit të e-mbetjeve shkojnë në vendet jashtë Evropës, duke përfshirë edhe vendet e Afrikës Perëndimore. Trajtimi në këto vende zakonisht ndodh në sektorë informalë, duke shkaktuar ndotje të mjedisit dhe duke rrezikuar shëndetin për popullatën vendase,” tha ai.
Pak vende e kuptojnë problemin, sepse nuk mbahet asnjë e dhënë mbi të gjithë e-mbetjet, shprehet Agjencia Evropiane e Mjedisit, sipas së cilës 250 mijë tonë deri në 1,3 milionë tonë produkte elektrike të përdorura dërgohen jashtë Evropës çdo vit, pjesa më e madhe për në vendet e Afrikës Perëndimore dhe Azisë. “Këto produkte më pas procesohen në kushte të rrezikshme, duke dëmtuar shëndetin e njerëzve vendas dhe duke dëmtuar mjedisin,” deklaroi një zëdhënës.
Një studim i ri i Institutit Teknologjik të Massachusets tregon se SHBA-të shkarkuan 258.2 milionë kompjuterë, monitorë, televizorë dhe telefona celularë në 2010-ën, nga të cilat vetëm 66 për qind u ricikluan. Afërsisht 120 milionë telefona celularë u mblodhën, pjesa më e madhe e të cilëve u dërguan në Hong Kong, Amerikën Latinë dhe Karaibe.
Jetëgjatësia e një telefoni celular tani është me pak se sa dy vjet, por qeveritë e vendeve evropiane, SHBA-ve dhe Japonisë thonë se qindra milionë po hidhen çdo vit. Në SHBA, vetëm 12 milionë telefona celularë u mblodhën për tu ricikluar në 2011-ën, megjithëse 120 milionë u blenë. Ndërkohë, modele të reja të telefonave po hidhen në treg duke lënë ato të vjetrat të përfundojnë nëpër landfille. Pjesa më e madhe e telefonave përmbajnë metale me vlerë. Qarku i brendshëm mund të përmbajë bakër, ar, zink, berilium dhe tantalium; veshjet e jashtme janë zakonisht të përbëra nga plumbi dhe kompanitë prodhuese të telefonave po rrisin përdorimin e baterive prej litiumi.
Pavarësisht kësaj, më pak se 10 për qind e telefonave celularë çmontohet dhe ripërdoret. Pjesë e problemit është që kompjuterët, telefonat dhe pajisje të tjera elektrike po bëhen gjithnjë e më komplekse dhe përbëhen nga përbërës gjithmonë e më vegjël.
Dështimi në riciklim është duke ulur gjithnjë e më shumë sasinë e mineraleve të rralla të tokës, të nevojshme për të prodhuar pajisje elektrike të gjeneratës së ardhshme. / Exit – Artikulli është marrë nga gazeta britanike “The Guardian”
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=y7dEj77XBfU&feature=em-uploademail” width=”560″ height=”315″]