Linda Rama i përgjigjet pyetjes: A e ka menduar ndonjëherë t’i futet politikës?
Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, ishte e ftuar këtë të shtunë në emisionin “Inside Albania” në Euronews Albania, ku u pyet mes të tjerash nëse kishte menduar ndonjëherë të bëhej pjesë e politikës aktive.
Intervistën e drejtoi gazetarja e njohur Alice Taylor.
Pjesë nga intervista:
Alice Taylor: Linda, mirë se erdhët në Inside Albania. Faleminderit që u bashkuat me mua sot.
Linda Rama: Po, faleminderit që më ftuat, Alice, dhe dua ta bëj këtë lëvizje. Ashtu siç e bën ti, sepse më pëlqen shumë.
Alice Taylor: Kur të bëjmë tjetrën, do të të ftoj që të bësh një cameo.
Linda Rama: Do ta bëj, kënaqësi të vij sërish këtu.
Alice Taylor: Dua t’i qasemi kësaj interviste në një mënyrë kronologjike, duke filluar nga fillimi. Ti ke punuar në Agjencinë Kombëtare të Privatizimit që herët, në fillim të tranzicionit të Shqipërisë, në fillim të viteve ’90. Dhe mendoj se aty nis gjithçka. Ishte një kohë e vështirë. Ishte një kohë e trazuar, kalimi nga komunizmi në ekonomi tregu të lirë, dhe ishte shumë e vështirë… Cili ishte sfidimi më i madh për ty në atë kohë dhe, kur e shikon pas në kohë, çfarë mund të kishe bërë ndryshe?
Linda Rama: Po flasim për vitin 1993. Pra, fillova të punoj atje vetëm dy ose tre vjet pasi ra komunizmi. Ndërkohë, në atë moment isha pjesë e dy projekteve, projekte ndërkombëtare që merreshin me çështje ekonomike të vendeve në tranzicion. Dhe, në fakt, kur hyra, kur fillova të punoja për agjencinë, mendoja vetëm për reformën ekonomike. Dhe atje kuptova kompleksitetin e gjithë procesit. Kështu që pata mundësinë, mundësinë e rrallë, dhe ndihem me fat, gjithmonë jam ndjerë me fat për këtë, të takoja grupe interesi shumë të ndryshme dhe shumë njerëz të ndryshëm që ishin të interesuar për privatizimin në atë kohë. Takova të burgosur politikë dhe të burgosur të tjerë për shkak të regjimit. Takova ish-pronarë të tokave dhe godinave. Takova punëtorë dhe drejtues. Atje takova, në fakt, edhe investitorë, investitorët e parë të huaj ndërkombëtarë që po vinin, të interesuar për të marrë pjesë në proces, por edhe investitorët e parë shqiptarë. Dhe, në fakt, ajo ishte edhe koha kur unë pata kontaktin tim të parë me politikën, në aspektin e qeverisjes dhe institucioneve, por edhe në aspektin e figurave politike të asaj kohe. Kështu që hyra si ekonomiste në agjencinë e privatizimit, por në fakt dola prej andej si dikush që mendonte më shumë për njerëzit. Ishte një reformë e jashtëzakonshme. Mendoj se përtej emergjencës, përtej krizës së ushqimit dhe përtej përpjekjeve për të mbajtur rendin publik nën kontroll në ato vite, privatizimi i pronës shtetërore dhe ndarja e tokës ishin dy reformat më të rëndësishme që përcaktuan të gjithë ecurinë e tranzicionit në vend, përcaktuan ecurinë e investimeve, të drejtësisë, si edhe paqen sociale.
Çfarë mund të kishim bërë ndryshe, thatë ju?! Kam menduar për këtë me kalimin e kohës. Kam gjetur njëfarë paqeje në zemrën dhe mendjen time. Sepse sa më shumë mendoj për atë… besoj se ndoshta kjo ishte e vetmja mënyrë si mund ta bënim, duke marrë parasysh faktin se po vinim nga dy ndikime shumë fatkeqe historike. Njëri ishte ndikimi i Perandorisë Osmane. Ne ishim periferia më e largët e Perandorisë Osmane, në një prapambetje shumë të thellë. Dhe i dyti ishte regjimi komunist. Pesë dekada regjim komunist nuk mund të kalonin pa një kosto. Dhe kjo ishte kostoja që mendoj se duhej ta paguanim. Është shumë e vështirë për mua të besoj se kishte një rrugë tjetër në ato vite.
Alice Taylor: Sepse, në njëfarë mënyre, ishte si të kishe një faqe bosh, por në të njëjtën kohë kishe gjithë mbetjet e regjimit komunist në veçanti. Nuk është se regjimi komunist dhe gjithë pushteti i tij thjesht u zhduk brenda natës. Duhet të ketë qenë e vështirë të hyje dhe t’i përmbysje gjërat dhe të gjeje atë faqe bosh për të nisur prej saj. A është kjo një vlerësim i drejtë?
Linda Rama: Po, është e vërtetë.
Alice Taylor: Shumë pengesa, në njëfarë mënyre njerëz që donin atë nivel ndryshimi.
Linda Rama: Të gjithë njerëzit ëndërronin për ndryshimin, por nuk e dinin çfarë ishte ndryshimi. Pra, ata ëndërronin të ishin të lirë nga komunizmi, por liria nuk ishte në mënyrën siç e njohim tani, çfarë do të thotë liri. Ishte nevoja për t’u çliruar nga presioni i plotë nën të cilin kishin qenë për 5 dekada. Nga kushte shumë ekstreme apo të varfëra ekonomike dhe nga mënyra e jetës që kishim, sidomos pas viteve ’80. Pra, ata thjeshtë kishin nevojë të hiqnin qafe atë, ndërkohë që sa më i izoluar je, aq më shumë ëndrra ndërton dhe mendon që pjesa tjetër e botës është pa probleme. Partia dhe shteti i asaj kohe na bënte lavazh truri duke na thënë sa të mëdhenj ishim, sa të pathyeshëm ishim, sa të fortë ishim, sa më të mirët në botë ishim. Por nga ana tjetër ne e dinim që një jetë tjetër ekzistonte përtej. Ne ndiheshim krenarë për atë që bënim. Por në të njëjtën kohë, në imagjinatën tonë po ndërtonim një botë që, në fakt, ishte shumë e zhvilluar, por në të njëjtën kohë kërcënuese; me mundësi, por në të njëjtën kohë shumë e rrezikshme. Sepse gjithë kohës përballeshe me gjëra ku të tregonin një realitet, dhe një realitet tjetër të shfaqej para syve. Dhe Shqipëria ishte i vetmi realitet që njihnim. Dhe nga ana tjetër, merrnim sinjale nga ata që ishin jashtë. Sinjale të heshtura që ndërtonin tek ne një imagjinatë ndryshe. E gjitha ishte kaotike dhe ngatërruese për mendjen e njerëzve.
Alice Taylor: E shoh ende, në një farë mënyre. Kjo ndodh kur njerëzit më thonë: “Ti erdhe këtu nga Anglia, pse doje të rrije këtu me kaq shumë probleme?” Ata mendojnë se Anglia është një vend perfekt, ku gjithçka funksionon, të gjithë janë të pasur dhe rrugët janë të lyera me ar. Ende ekziston kjo lloj mendësie, që këtu është tmerr dhe jashtë është gjithçka e mrekullueshme, perfekte dhe funksionale. Dhe unë u them: nuk është aspak kështu.
Linda Rama: Është e vërtetë. Sot e gjithë bota po jeton në pasiguri shumë të mëdha. Dhe fatkeqësisht, disa vite më parë ishim të sigurt që po u linim fëmijëve tanë një botë shumë më të mirë. Nuk mendoj se flasim sot me të njëjtin gjuhë. Mendojmë dy herë para se ta themi këtë. Dhe kjo sepse edhe vendet e zhvilluara po përballen me shumë sfida, e lëre më të flasim për sfida që lidhen me çështje më të mëdha të përbashkëta, si për shembull mjedisi – planeti. Ne ndajmë një planet për të cilin çdo ditë po vërtetojmë që nuk jemi në gjendje të kontribuojmë. Dhe teknologjia. Teknologjia sot është një sfidë shumë e madhe për çdo vend dhe ti sheh që çdo vend, në një mënyrë apo një tjetër, po përpiqet të kuptojë – madje edhe vendet nordike që janë shumë të avancuara – po përpiqen të kuptojnë cila duhet të jetë qasja për të mbajtur shoqërinë të sigurt në rrethana që askush më parë nuk i ka njohur. Vetëm si shembull, disa javë më parë, doli një studim në Suedi, nëse nuk gaboj, në lidhje me përdorimin e pajisjeve digjitale nga fëmijët në shkolla. Ata ishin të parët që futën këto pajisje në shkolla. Tani, disa vite më vonë, janë të parët që flasin kundër tyre, sepse studimet kanë treguar se ka efekte negative. Pra, ende nuk kemi gjetur përvoja apo le të themi praktika, as në vendet e zhvilluara, mbi të cilat mund të mbështetemi. Kështu që sot Shqipëria është në të njëjtën pozitë si këto vende për sa i përket këtyre sfidave. Dhe sa herë që janë gati t’i adresojnë një sfidë apo që BE mund të bjerë dakord për diçka, çështja ka evoluar. Dinamika është shumë e shpejtë, Alice.
Alice Taylor: Linda, çfarë do t’i thoshe një vajze të re shqiptare që aspiron të punojë në akademi, në kërkim shkencor, apo edhe në politikë, ose në sektorin e qeverisjes? Çfarë këshille do t’i jepje?
Linda Rama: Të japësh këshilla është… Unë jap ndonjë sugjerim herë pas here. U them: “do të donit një këshillë prej meje?” Sepse përvoja dhe gjithë puna që kam bërë ndoshta më kanë ndihmuar të kuptoj disa gjëra. Por për gratë, unë jam vërtet shumë e ndjeshme ndaj zhvillimeve, ndaj mënyrës si po zhvillohemi në të gjitha nivelet – edhe në ato që përmendni ju: akademia dhe fushat e tjera.
Mendoj se në çdo fushë ku ndodhemi si gra… kemi dëshmuar në Shqipëri që numrat nuk mjaftojnë. Është një e drejtë për një grua të punojë, është një e drejtë të përdorë talentet e saj, të jetë e dobishme për shoqërinë, të trajtohet në mënyrë të barabartë, të ketë një ekuilibër të mirë mes jetës dhe punës. Këto janë të gjitha të drejta. Problemi është se, për aq kohë sa këto të drejta nuk ekzistonin, mendoj se gjithë beteja jonë ishte që këto të drejta të vendoseshin. Tani, prej vitesh, kemi bërë përparim të mirë në përfaqësimin e grave, në nivele të ndryshme të politikës, qeverisë, administratës publike, gjyqësorit, në qeverisjen vendore dhe gjithashtu në sektorin privat.
Kam bërë një studim vite më parë, nuk e kam përsëritur atë studim, por është e qartë që gratë kanë role shumë të rëndësishme në menaxhimin e kompanive private gjithashtu.
Problemi është që ndoshta duhet të mendojmë pak më shumë për disa kapacitete të tjera– cila është gruaja e duhur, profili i duhur. Sepse të kesh thjesht numra të grave, nuk mendoj se ka rëndësi. Është shumë e rëndësishme, por nuk mjafton.… Gratë vetë duhet të pyesin: çfarë profili na duhet në parlament? Çfarë profili na duhet në qeveri? Dhe çfarë vajzash të reja na duhen në politikë? Dinjiteti, integriteti dhe aftësia për të mos u përdorur dhe për të mos u abuzuar janë thelbësore për një grua. Mendoj që për gratë… dhe kjo vlen për çdo sektor në thelb… mendoj që për gratë është shumë e rëndësishme të dinë si të përballen me konkurrencën dhe si të përdorin gjithë njohuritë dhe aftësitë për të qenë në atë konkurrencë – le të themi fituese – por përmes konkurrencës. Mendoj se gratë duhet të jenë shumë të kujdesshme kur janë në politikë, sepse duhet të pranojnë të fitojnë, por edhe të humbasin.
Alice Taylor: Po
Linda Rama: Dhe nuk mendoj që një grua ka të drejtë të sfidojë gjithçka që është në thelb të demokracisë – çfarëdo që të votojnë njerëzit. Gjithçka duhet të bazohet në meritë, në demokraci. Vota, çfarëdo që njerëzit të votojnë, duhet të respektohet seriozisht. Numërimi i çdo vote është shumë i rëndësishëm. Dhe ne kemi përparuar shumë në atë drejtim. Por çdo votë ka rëndësi për të përcaktuar se kush është fituesi. Dhe askush nuk ka të drejtë të kapërcejë vullnetin e njerëzve, nëse ti kërkon nga njerëzit që të të besojnë dhe të të votojnë, bazuar në rregullat që ne i kemi pranuar si rregulla të vendit tonë, pas dekadave katastrofike të votimeve dhe zgjedhjeve të rreme.
Alice Taylor: Totalitarizmi
Linda Rama: Mendoj që mënyra se si gratë përballen me kundërshtarët e tyre është gjithashtu shumë e rëndësishme. Dhe kam parë, në disa raste, gra që thërrasin origjinën e tyre. Përmendin gjyshërit, përmendin ndonjëherë komunitetet e tyre. I thërrasin për të mbrojtur pozicione të caktuara. Ndërkohë që ankohen se po sulmohen, nga mëngjesi në darkë sulmojnë vetë. Ose thonë se po bullizohen, ndërkohë që bullizojnë vetë.
Nuk mendoj që gratë kanë ndonjë ekskluzivitet mbi gjërat që ne nuk i pëlqejmë në shtëpitë tona të ndodhin, apo që nuk duam që t’i shohin fëmijët tanë. Vetëm të jesh grua nuk e justifikon diçka. Përkundrazi, shoqëria pret nga gratë cilësi më të mira – dhe për këtë kemi luftuar shumë. Dhe mendoj që ky kontribut më i mirë është i rëndësishëm sidomos për gratë dhe vajzat e tjera.
Dhe e di çfarë, Alice?! Ndonjëherë, gratë solidarizohen me gra të tjera kur ato ndodhen në pozicione të gabuara vetëm sepse janë gra. Tani, kjo është edhe më keq. Kushdo grua që vendos të jetë në anën e një gruaje tjetër, edhe kur shoqëria ka mendime shumë të kundërta, vetëm sepse ajo është grua – mendoj se kjo është edhe më keq sesa vetë gruaja që është gabim. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshme në kohën që po jetojmë, sepse tashmë mbajmë mbi supe të gjitha stereotipet dhe të gjitha problemet që historia dhe shekujt i kanë sjellë profilit të gruas. Nëse një burrë vendos njëfarë energjie, ne duhet të vendosim qindfish më shumë për të na marrë seriozisht. Që të mos paragjykohemi, që të na jepen mundësi – dhe kjo është koha kur duhet të ndërtojmë një profil që, në fakt, e meritojmë të kemi. Sepse ky profil do të shërbejë shumë si model për vajzat e reja dhe gratë e reja, që mund të gjejnë frymëzim për të mos prekur karakterin dhe thelbin e tyre – ndërsa mendojnë se duhet ta ndryshojnë për të ecur përpara. Dhe kjo vlen për çdo sektor, kjo vlen për çdo nivel – dhe kjo vlen për gjithçka në jetë.
Alice Taylor: Po, jam dakord – nuk është vetëm sepse je grua, por sepse e meriton. E meriton të jesh aty sepse është gjëja e duhur për të bërë. Kjo do të jetë pyetja ime e fundit. Do të doja të kishim më shumë kohë, por kjo që thatë më bëri t’ju pyes këtë… A keni menduar ndonjëherë të futeni në politikë, apo e preferoni më shumë të qëndroni pas skenës? Sepse mënyra si flisni me kaq shumë bindje për këto tema dhe keni këtë pasion në mënyrën si e shprehni veten… A keni menduar ndonjëherë për këtë?
Linda Rama: E kam kuptuar shumë herët në jetën time që, për të hyrë në politikë, duhet të jesh fituese. Dhe, sigurisht, kur dola nga agjencia, në fakt, u gjenda përballë një dileme: çfarë të bëj më pas? Dhe në atë moment, për shkak të gjithë përballjes që kisha pasur me politikën – sepse isha në një pizicion që, në fakt, përballesha shumë me të – vendosa që do të isha shumë më e dobishme si pjesë e shoqërisë civile, si pjesë e, le të themi, kërkimit dhe këshillimit të pavarur, së bashku me institucionet ndërkombëtare që janë të pranishme në Shqipëri.
E vlerësoj jashtëzakonisht shumë këdo që është në politikë. Kështu që nuk kam paragjykime. Por, në të njëjtën kohë, përgjegjshmëria e tyre ka shumë rëndësi për mua. Dhe mendoj që duhet bërë shumë nga politikanët dhe kushdo që është në politikë për të merituar respektin dhe për të përmbushur gjithçka që u është ngarkuar – sepse është një privilegj i madh të kesh këtë mundësi.
Dhe kur bëtë këtë pyetje, më erdhën ndër mend shumë miq të mi që, në fakt, mund të kishin qenë politikanë fantastikë, deputetë fantastikë dhe ministra fantastikë. Ata tashmë janë në administratën publike. Dhe mendoj që shumë prej tyre – dhe kjo është arsyeja pse procesi i “screening”-ut i surprizoi të gjithë në BE – disi i befasoi të gjithë për nivelin… Sepse në atë nivel ka ekspertë patriotë që në fakt kujdesen shumë për vendin dhe japin çdo ditë më të mirën e tyre. Kështu që, fakti që disave u është dhënë mundësia të jenë në politikë – ata kurrë nuk duhet ta harrojnë që ka shumë të tjerë që e meritojnë të jenë në politikë, por që nuk iu dha mundësia të jenë aty. Prandaj ne duhet të shohim prej tyre maksimumin e mundshëm, në mënyrë që të mos mbeten në borxh me gjithë ata të tjerë që, në fakt, kishin gjithë kapacitetin për t’u bërë dikush. Por që nuk do të mund ta shohin këtë kapacitet të përfaqësuar në këto pozicione gjatë jetës së tyre.
(marrë me shkurtime)

KOHA JONË SONDAZH

