Lirimi ish-ministrit. Basha: Pakti mafioz Rama-Tahiri

Kreu i PD-së, Lulzim Basha reagoi sot për vendimin e Gjykatës së Apelit të Krimëve të Rënda, e cila la të lirë ish-ministrin Saimir Tahiri.

Në një deklaratë në Facebook, Basha thotë se kjo është goditja që Edi Rama i dha negociatave për në BE me anë të gjykatave të korruptuara. Basha paralajmëron Ramën se me vendimin e sotëm ka dalë kundër një kërkese të vendeve të BE që i është bërë në mënyrë zyrtare Edi Ramës.

“Lirimi i Tahirit tregon se Edi Rama ka zgjedhur përfundimisht anën e krimit në dëm të Shqipërisë. Kjo është goditje direkte për mundësinë e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Nxjerrja e Saimir Tahirit para drejtësisë është kërkesë specifike për hapjen e negociatave për disa qeveri europiane të cilat e kanë informuar qartë dhe direkt Edi Ramën për këtë gjë”,- shkruan Lulzim Basha.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë të lirë sot ish-ministrin, Saimir Tahiri duke hequr masën “arrest shtëpie” që iu dha 15 ditë më parë. Vendimi është marrë pas apelimit të ish-ministrit. Avokati i Tahirit, Maks Haxhia deklaroi pas seancës që zgjati 2 orë e 30 minuta se “klienti im është që sot i lirë. Nuk ka asnjë provë kundër tij”.

Pas vendimi të gjykatës ka reaguar dhe Ambasada e SHBA, e cila një ditë më parë foli për korrupsion dhe presion ndaj gjyqtarëve të çështjes. Në një komunikim për “Fax News” ambasada thekson se “i qëndrojmë deklaratave të një ditë më parë”, duke nënkuptuar se vendimi i gjykatës është dhënë nën presion apo edhe me ryshfet.

Deklarata e plotë e Lulzim Bashës:

“U mbyll sipas paktit mafioz Rama-Tahiri, farsa e paralajmëruar e “arrestit” dhe “dorëzimit” të kontrolluar të Tahirit tek “drejtësia”.

Lirimi i Saimir Tahirit është triumfi i krimit, trafikantëve të drogës dhe goditje e rëndë për integrimin europian të Shqipërisë dhe drejtësinë e vërtetë.

Ky akt rikonfirmoi se Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë qenë, janë dhe do të jenë një dhe të pandarë. Ata së bashku përdorën krimin, drogën për para dhe pushtet e tani po përdorin pushtetin për të garantuar pandëshkueshmërinë e Tahirit, Habiljave dhe trafikantëve të tjerë të drogës.

Lirimi i Tahirit tregon se Edi Rama ka zgjedhur përfundimisht anën e krimit në dëm të Shqipërisë. Kjo është goditje direkte për mundësinë e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Nxjerrja e Saimir Tahirit para drejtësisë është kërkesë specifike për hapjen e negociatave për disa qeveri Europiane të cilat e kanë informuar qartë dhe direkt Edi Ramën për këtë gjë.

Lirimi i Tahirit tregon se drejtësia është tashmë nën kontrollin e plotë të Edi Ramës dhe kriminelëve të lidhur me të. Kapja totale e Prokurorisë, shkrirja e Gjykatës Kushtetuese dhe paralizimi i Gjykatës së Lartë janë garancia më e madhe që Edi Rama ofron për të gjithë kriminelët dhe pushtetarët e lidhur ne krimin”.

Ambasadori Lu dyshoi për gjykatën. Lirohet Tahiri

SHKARKO APP