Lirohet Ramush Haradinaj
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, heroi i Kosovës, sapo është liruar nga gjykata franceze e Colmarit.
Procesi gjyqësor ndaj tij në Francë ka përfunduar. Ai po gjykohej atje mbi akuzat e autoriteteve të Serbisë, për, siç thuhet, krime lufte të kryera në periudhën e viteve 1998-1999.
Haradinaj: Lirimi im konsiderohet si fitore e shqiptarëve ndaj Serbisë
Gjykata franceze ka vendosur ta lirojë nga të gjitha akuzat që Serbia akuzonte ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj menjëherë pas lirimit u është drejtuar qytetarëve. Ai ka thënë se beson që brenda dite do të kthehet në Kosovë. “brenda ditës besoj se do të kthehem në Kosovë”, ka thënë ai.
Haradinaj u ka dhënë dorën dhe i ka përqafuar përfaqësuesit e tij në gjykatë dhe kur ka dalë jashtë, u ka thënë shqiptarëve të mbledhur aty: “Nuk mendoj se ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme. E drejta jonë është e drejta jonë. Ka ndodhur ajo që duhet të ndodhte. Do kisha qejf me ju marrë të gjithëve në Kosovë sot!”
Pas prononcimit të tij për mediat franceze, shqiptarët kanë nisur këngën “Me besa – besë” në oborrin e gjykatës.
Pacolli: Urime Ramush, urime Kosovë
Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka uruar lirimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt.
Ai në Facebook ka shkruar “Urime Ramush, urime Kosovë! Drejtësia sot ka folur. Të presim!”
Ish-kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, duket se ka marrë rrugën për t’u kthyer në shtëpi, pas katër muajsh qëndrimi në Francë, në pritje të një vendimi gjyqësor.
Të paktën kështu ka thënë konsulli i Kosovës në Francë, Edon Cana, i cili ka postuar një fotografi në llogarinë e tij në Facebook.
Në këtë fotografi shihet lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, konsulli Cana, dhe avokatja mbrojtëse e Haradinajt në Francë, Rachel Lindon.
Anita Haradinaj: U lodhëm, por ia vlejti
Anita Haradinaj, bashkëshortja e Ramush Haradinajt, ka folur pas lirimit të tij nga Gjykata e Francës.
Ajo ka thënë se lufta e Kosovës është e drejtë dhe e pastër dhe ka fituar Kosova.
Haradinaj ka thënë se askush nuk mund t’ua mohojë shqiptarëve të drejtën.
“Të vërtetën e shqiptarëve nuk mund ta mohoj askush, vendimi është i drejt dhe drejtësia po e vërteton se mund të vonojë por do të fitojë. Ne dolëm fitimtar dhe e gjithë Kosova. Na kanë lodhë procedurat, dhe nuk ka pasur nevojë të ndodhë kjo se lufta jonë ka qenë e drejt. Kjo situatë e ka lodhur të gjithë Kosovën, i falënderoj të gjithë popullin anembanë për mbështetjen që e kanë dhënë për ne dhe Ramushin. Po kam biseduar e ka mirëprit vendimin, dhe unë besoj se ai kështu do të thotë, se lufta e UÇK-së është e drejt”, ka thënë Haradinaj.
Nis festa në Prishtinë
Sapo gjykata në Colmar të Francës mori vendimin që të lirojë ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, në Prishtinë ka nisur festa. Qytetarët e kanë pritur me hedhje fishekzjarresh lajmibn e gëzuar.
Sakaq në deklaratën e tij të parë Haradinaj tha se kjo ishte fitore e gjithë shqiptarëve dhe se pret të marrë pasaportën për tu kthyer që sot në Kosovë.
Lideri i AAK-së, ishte ndaluar në aerporotin e Bazelit më 4 janar mbi bazën e një flet arresti serb, mbi akuza për krime lufte të kryera në periudhën e viteve 1998-1999.