Basha: Qyteti i Elbasanit kontrollohet nga bandat e Qazim Sejdinit dhe Ballës

Opozita e bashkuar është mbledhur ditën e sotme në Elbasan. Nën drejtimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha opozita vijon të denoncojë edhe ditën e sotme lidhjet e qeverisë me krimin.

Opozitarët kanë vendosur të bojkotojnë për të dytën herë radhazi seancën plenare për t’u zhvendosur në një tjetër qytet, pas Shkodrës në Elbasan, duke e vlerësuar këtë të fundit si qytetin e dytë në vend ku sipas tyre fshihen lidhjet e forta krim-qeveri.

Në fjalën e tij në nisje kryedemokrati Basha e konsideroi Elbasanin qytetin simbol të bashkëqeverisjes se Ramës me krimin. Kryetari i PD akuzoi Olsi Ramën. vëllain e kryeministrit, si njeriu që merret me kokainë, duke nisur nga dosja Xibraka.

“Elbasani kryeqytet i krimit, një epitet aspak i merituar për këtë qytet dhe këta qytetarë, të cilët kanë pasur rastin t’i njoh nga afër, pasi janë të mbushur me vlera. Elbasani po vuan nga bashkëqeverisja me krimin. Qazim Sejdini, Taulant Balla dhe bandat e krimit të organizuar, të cilët një vit më parë treguan se kush sundon në këtë qytet kur goditën Policinë e Shtetit pa asnjë pasojë ligjore”, tha Basha.

Basha tha se situata është shumë e rëndë, ndërsa opozita do të marrë vendime të rëndësishme. “Shqipëria po destabilizohet nga krimi sepse krimi po sundon Shqipërinë. Kryeministri ja ka dorëzuar kontrollin e vendit kriminelëve dhe bashkëpunëtorëve të krimit, nga Fatmir Xhafaj të Taulant Balla. Elbasani është dhe gjeneza e bashkëqeverisjes me krimin. Xibrika, fabrika e kokainës, është çengeli kriminal që mban të varur Edi Ramës, përmes pjesëmarrjes së vëllait të kryeministrit Olsi Rama. Faktet e përfshirjes së tij janë fshehur në një mënyrë kriminale nga Saimir Tahiri dhe vazhdojnë të mbetet të fshehura nga Xhafaj. Kjo është arsyeja pse sabotohet komisioni hetimor. Sepse faktet tronditëse që do të dalin nga hetimi parlamentar, që bashkëveprimi i Edi Ramës me krimin në Elbasan ngriti çengelin e krimit nga ku varet tani e 5 vite më parë Edi Rama”, tha Basha.

Më tej, kreu i PD theksoi se “prej 5 vitesh, rruga Tiranë-Elbasan nuk përfundon, madje ka gëlltitur për pjesët e mbetura më shumë para se segmentet e përfunduara dhe kjo ka ndodhur për shkak të vjedhjeve që janë bërë”.

“Marrëdhënia e Taulant Ballës me Edmond Begon është një hesap që rëndon në xhepat e shqiptarëve. Falë marrëdhënies së këtyre të dyve janë zhdukur miliona euro dhe nuk përfundon ky aks rrugor”, tha Basha.

Basha tha se Qazim Sejdini, Taulant Balla dhe banda e krimit të organizuar nga Çelët te Sanxhaktarët treguan se kush sundon kur goditën policinë e shtetit pa asnjë pasojë ligjore.

“Në takimin e jashtëzakonshëm të opozitës parlamentare në Elbasan kundër krimit me mbështetje qeveritare”- shkruan Basha.

Partia Demokratike do të ndërmarrë nismë kushtetuese për vetingun në politike dhe ka qenë vetë kryetari i saj, Lulzim Basha në takimin e opozitës në Elbasan që ka shpallur katër objektivat e “e platformës për çlirimin e qeverisë nga krimi”, siç e quan ai.

“Vendimi ynë është t’i japim fund një elite politike të lidhur me krimin dhe të çojmë politikanët e lidhur me krimin, në radhë të parë jashtë institucioneve, dhe pastaj para një drejtësie të reformuar dhe jo para një drejtësie të kapur”, tha Basha në fillim të mbledhjes së opozitës.

Sipas njoftimit zyrtar, PD beson se duhet zbatimi i vettingut dhe masa e kontrollit të figurës edhe për politikanët dhe zyrtarët e të tjerë të lartë publikë pasi:

• dekriminalizon plotësisht qeverisjes dhe politikën
• lufton me tolerancë zero korrupsionin dhe krimin
• ndalon aleancat mes politikanëve dhe grupeve kriminale
• pastron nga rradhët e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë individë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.
•garanton qeverisje pa ndikimin e krimit të organizuar

Ligji i propozuar nga Partia Demokratike për realizimin e vettingut edhe ndaj deputetëve, Kryeministrit, ministrave, kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të institucioneve kushtetuese, është një mundësi reale për fillimin e çlirimit të qeverisjes nga krimi. Ai zgjidh fenomenin e hasur pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit, atë të zëvendësimit në institucionet shtetërore të vetë eksponentëve të botës së krimit, me individë të lidhur drejtëpërdrejtë, në shërbim apo të caktuar prej tyre.
“Opozita kërkon miratimin e këtij ligji, pa asnjë vonesë, me qëllim zbatimin e menjëhershëm, duke i hapur rrugë kështu procesit të vettingut për të gjithë politikanët në detyra shtetërore dhe zyrtarët e tjerë të lartë publikë. Partia Demokratike kërkon që ligji të përkrahet nga të gjitha forcat politike në Kuvend, si një tregues i vullnetit të tyre të sinqertë për dekriminalizimin e plotë të politikës, vettingut ndaj çdo funkisonari kushtetues, dhe mospërdorimit të krimit për të ardhur në pushtet apo mbajtur pushtetin. “, thuhet në njoftimin e PD-së.

SHKARKO APP