Llalla: Kushtetuta e re bllokon Prokurorinë. S’hetojmë dot ministrat

Mosmiratimi i paketës së plotë ligjore të reformës në drejtësi, por vetëm kalimi i ndryshimeve kushtetuese ka sjellë bllokimin e punës në institucionin e organit të akuzës. Prokuroria e Përgjithshme shprehu sot shqetësimin se me Kushtetutën e re të miratuar me 21 korrik, disa aspekte proceduriale thelbësore, janë të pazbatueshme për shkak të mungesës së bazës ligjore.

Mungesa e ligjeve organike ka bërë që Prokuroria e Përgjithshme të mos ketë momentalisht drejtën për hetimin në juridiksion fillestar (hetimin e zyrtarëve të lartë, deputetë, ministra, gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, etj). “Sipas dispozitave të reja, kompetenca për hetimin e këtyre funksioneve i takon Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Prokuroria e Përgjithshme konstaton si problematikë mungesën e një strukture që do të zhvillojë hetimin për këtë nivel zyrtarësh, deri në ngritjen e SPAK-ut. Po ashtu, problematikë është edhe fakti se duhet gjetur një zgjidhje emergjente për trajtimin e rasteve të juridiksionin fillestar që janë aktualisht në gjykim apo në hetim”,- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Nga ana tjetër, kushtetuta e re i ka hequr Prokurorit të Përgjithshëm të drejtën e vendimmarrjes për karrierën e prokurorëve (emërim, komandim, transferim, shkarkim). Kushtetuta e re ia ka caktuar këtë kompetencë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Kjo strukturë e re duhet të ngrihet brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e Kushtetutës. Prokuroria e Përgjithshme konstaton se, deri në ngritjen e KLP-së, krijohet ngërç në disa nivele të prokurorisë, ku aktualisht ka drejtues prokurorie, prokuror dhe oficer të Policisë Gjyqësore të komanduar, të cilëve u përfundon afati i komandimit. Gjithashtu, brenda muajit Tetor 2016 duhen emëruar prokuror magjistratët e rinj, të cilët kanë fituar këtë të drejtë. Edhe për këtë çështje, Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se është shumë e nevojshme miratimi i një dispozite tranzitore kushtetuese, për të rregulluar veprimtarinë deri në aplikimin e plotë të paketës ligjore të Reformën në Drejtësi.

DEKLARATA E PLOTË E PROKURORISË

Kushtetuta e re e Republikës së Shqipërisë ka sjell pengimin e ecurisë normale të institucionit të Prokurorisë, e cila kërkon zgjidhje të menjehërshme nëpërmjet miratimit të një dispozite kushtetuese tranzitore. Në optikën e Prokurorisë së Përgjithshme, kjo ndërhyrje emergjente në ligjin themeltar duhet t’u japë fuqi dispozitave të mëparshme ligjore, deri në miratimin e paketës së plotë të Rëformës në Drejtësi.

Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka gjetur mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të institucioneve kryesore kushtetuese në vend, si edhe të faktorit politik në Kuvendin e Shqipërisë, për të siguruar një zgjidhje të shpejtë dhe efikase.

Prokuroria e Përgjithshme konstaton se, në Kushtetutën e re, disa aspekte proceduriale thelbësore, janë të pazbatueshme për shkak të mungesës së bazës ligjore.

Po ashtu, konstatohet me shqetësim se, ndryshe nga sa është parashikuar me institucionet e tjera, vetëm për Prokurorinë nuk janë parashikuar dispozitat kalimtare, të cilat do të rregullojnë veprimtarinë deri në hyrjen në fuqi të paketës së plotë ligjore të Reformës në Drejtësi.

Prokuroria e Përgjithshme nuk synon të gjejë arsyet që kanë nxitur hartuesit e Kushtetutës për këtë diferencim në trajtimin e institucionit, por është e prirur të sugjerojë zgjidhje që i shërbejnë mbarëvajtjes së aktivitetit të mëtejshëm.

Në këtë fazë, kur Kushtetuta e re ka hyrë në fuqi, por ende nuk janë miratuar ligjet organike, Prokuroria e Përgjithshme u ka kërkuar zyrtarisht institucioneve vendimmarrëse që të hartojnë norma kushtetuese për të shmangur ngërçin në disa çështje, të cilat renditen në mënyrë të përmbledhur si më poshtë:

– Kushtetuta e re i ka hequr Prokurorisë së Përgjithshme të drejtën për hetimin në juridiksion fillestar (hetimin e zyrtarëve të lartë, deputetë, ministra, gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, etj). Sipas dispozitave të reja, kompetenca për hetimin e këtyre funksioneve i takon Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Prokuroria e Përgjithshme konstaton si problematikë mungesën e një strukture që do të zhvillojë hetimin për këtë nivel zyrtarësh, deri në ngritjen e SPAK-ut. Po ashtu, problematikë është edhe fakti se duhet gjetur një zgjidhje emergjente për trajtimin e rasteve të juridiksionin fillestar që janë aktualisht në gjykim apo në hetim.

– Kushtetuta e re i ka hequr Prokurorit të Përgjithshëm të drejtën e vendimmarrjes për karrierën e prokurorëve (emërim, komandim, transferim, shkarkim). Kushtetuta e re ia ka caktuar këtë kompetencë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Kjo strukturë e re duhet të ngrihet brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e Kushtetutës. Prokuroria e Përgjithshme konstaton se, deri në ngritjen e KLP-së, krijohet ngërç në disa nivele të prokurorisë, ku aktualisht ka drejtues prokurorie, prokuror dhe oficer të Policisë Gjyqësore të komanduar, të cilëve u përfundon afati i komandimit. Gjithashtu, brenda muajit Tetor 2016 duhen emëruar prokuror magjistratët e rinj, të cilët kanë fituar këtë të drejtë. Edhe për këtë çështje, Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se është shumë e nevojshme miratimi i një dispozite tranzitore kushtetuese, për të rregulluar veprimtarinë deri në aplikimin e plotë të paketës ligjore të Reformën në Drejtësi.

– Kushtetuta e re i kalon kompetencat e inspektimit dhe kontrollit të brendshëm Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Por, deri në krijimin e kësaj strukture, Kushtetuta e re nuk ka parashikuar se si do të veprohet me çështjet që janë aktualisht në proces inspektimit dhe procedime disiplinore për prokurorë dhe oficerëve të policisë gjyqësore, të cilat janë në zhvillim nga ana e Drejtorisë së Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Po ashtu, Prokuroria e Përgjithshme, në sugjerimin e saj zyrtar drejtuar institucioneve ligjvënëse, ka renditur edhe disa aspekte të tjera proceduriale, të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëhershme nëpërmjet mekanizmave ligjorë tranzitorë.

SHKARKO APP