“Llogaridhënia publike e Qeverisë”, fushatë për zgjedhje parakohshme?

Edi Rama paralajmëroi para disa ditësh, sapo u kthye nga Berlini ku mori një refuzim në parim për statusin, pavarësisht se Komisioni Europian ia dha “deftesën”, se do të fillonte ndryshimin e qeverisë dhe takimet me popullin. Takimet me popullin në formën e “Llogaridhënies Publike të Qeverisë”, kështu e nisi sot kryeministri nga Amfiteatri i Tiranës. Një skenar finok për të zgjuar PS-në nga gjumi dhe larguar mërzinë socialiste prej mos punësimit dhe mosrritjes së mirëqënies ekonomike. Kjo “fushatë” të cilën kryeministri pa dashje i vuri emrin e vertetë, kur foli sot te Amfiteatri, ka jo synimin e llogaridhënies, por përgatitjen për një fushatë të mundshme elektorale deri në tetor të këtij viti. Burime konfidenciale nga selia e PS-së thonë nën zë se me 99 përqind statusi nuk jepet në fund të qershorit, pra do shtyhet. Qeveria do ta justifikojë me faktin se “deftesën” e mori, ndonëse është lufta politike mes vetë BE, e cila mbetet në proces reformimi pas ikjes së Britanisë së Madhe. Edi Rama kupton nga sondazhet se tashmë pikët e qeverisjes gjithnjë po daraviten dhe në vitin 2021 kur ka zgjedhje të radhës parlamentare, mund të përfundojë afër votave të PD-së që ajo mori në qershor 2017. Tashmë nuk ka kujt t’i turret për tepsi dhe me sa duket po mundohet të kap mat opozitën, pra të papërgatitur për fushatë e me një Kod Zgjedhor krejt të papërshtatshëm. Nga pikëpamja kushtetuese Edi Rama e zgjidh se mjafton një Mocion Besimi dhe e fiton duke u rrëzuar, pasi Kushtetuta parashikon që për 45 ditë vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare, natyrisht me këtë qeveri.

E gjithë loja për “Llogaridhënie Publike e Qeverisë” ka një synim: Futjen e vendit në zgjedhje për 45 ditë, duke patur mundësinë e rifitimit me çdo mënyrë, aq me tepër ku PD-ja doli nga një Kuvend Kombëtar më e përçarë.

Opozita të mos rrijë duke menduar se Edi Rama rrëzohet vetë në vitin 2021, por të ndezë motorat e luftës elektorale dhe të përballjes me popullin kundër qeverisë.

Edi Ramës nuk i duhet zënë besë kur thotë “Llogaridhënie Publike e Qeverisë”. Siç tha edhe vetë sot nga Amfiteatri se “dardha e ka bishtin prapa”, ai po përgatit diçka për ti zënë të gjithë në befasi. Ndaj duhet lexuar mes rreshtave të cilat kurrë nuk i shkruan Rama.

SHKARKO APP